MENU
Thesari.com © 2001 - 2020

"Cunam" ne PD, Basha i ben raprezalje grupit te Olldashit - Thesari

E Mërkurë 04 Dhjetor, 2013
"Cunam" ne PD, Basha i ben raprezalje grupit te Olldashit

doda_patozi

Basha përgatit fshesën ndaj kundërshtarëve pas vdekjes së Olldashit, Doda, Bode, Patozi dhe Topalli në shënjestrën e spastrimeve

Ndërsa dyshimet rreth vdekjes së Sokol Olldashit sa vijnë e thellohen, dy bashkëkryetarët e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Sali Berisha, po përgatisin në detaje spastrimin e grupit anti-familje nga forumet e larta drejtuese të partisë. Aksidenti plot mistere dhe pikëpyetje i Sokol Olldashit, i ka hapur rrugën Lulzim Bashës, për të shtrirë kontrollin e tij në të gjitha nivelet drejtuese të Partisë Demokratike. Siç dihet dhe siç u konfirmua më në fund edhe nga Mesila Doda, Sokol Olldashi ishte makthi dhe kundërshtari më i fortë i Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Sokol Olldashi ishte rreziku më serioz për pozitat e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, si dhe barriera kryesore për planet e tyre për kontrollin e Partisë Demokratike. Por, me shuarjen e Sokol Olldashit, të gjithë ata që janë identifikuar si mbështetës të tij, pritet të jenë objekt i fshesës së Lulzim Bashës. Gjithçka pritet të ndodhë në muajin dhjetor, në një kohë kur Lulzim Basha ka paralajmëruar edhe zhvillimin e zgjedhjeve të 23 Qershorit. Nën alibinë e ndarjeve të përgjegjësive për disfatën në zgjedhjet e 23 Qershorit, Basha dhe Berisha do të nisin gjuetinë e shtrigave, për të larguar nga forumet njerëzit që u pozicionuan në krahun e Sokol Olldashit dhe kundër linjës së familjes në PD. Një udhëzim për këtë çështje po përgatitet në fshehtësi nga dyshja Berisha-Basha, ndërsa pritet t’i paraqitet për miratim Kryesisë së PD. Udhëzimi do të jetë si udhërrëfyes për zhvillimin e zgjedhjeve në të gjithë piramidën e forumeve të PD. Sipas burimeve, i gjithë qëllimi është largimi i njerëzve të Sokol Olldashit nga Këshilli Kombëtar, Kuvendi Kombëtare, Kryesia dhe Sekretariati i Partisë Demokratike.

Basha vërsul Rulin kundër Mesila Dodës
Po sipas burimeve, në shënjestrën e fshesës së Bashës është Mesila Doda, e cila shihet si rrezik për stabilitetin e brendshëm në PD. Zonja Doda është pasuese e linjës së Olldashit në PD, ndërsa ka akuzuar edhe dyshen Berisha-Basha se e lanë vetëm Olldashin. Kjo deklaratë ka shkaktuar turbullira në PD. Madje, dy bashkëkryetarët hodhën në sulm Genc Rulin për të sulmuar zonjën Doda. Po ashtu, edhe Jozefina Topalli, armikja më e përbetuar e Bashës, pritet të spostohet nga kupola drejtuese e PD. Zonja Topalli edhe sot e kësaj dite nuk e njeh Bashën si kryetar. Po ashtu, pritet të largohen edhe Ridvan Bode, Astrit Patozi, Ilir Rusmali, Selami Xhepa, Fatos Hoxha, Leonard Demi etj., të rreshtuar kundër linjës së Bashës.

Mbështetësia e Olldashit në qarqe
Objekt i fshesës së Bashës, do të jenë, pikësëpari, drejtuesit e PD në 12 Qarqe, të cilët janë identifikuar si mbështetës të Olldashit në zgjedhjet për kreun e PD. Më konkretisht, pritet të largohet Igli Cara drejtues i Qarkut Durrës, Ardian Kollozi drejtues i Qarkut Vlorë, Arenc Berati drejtues i Qarkut Berat, Astrit Bushati drejtues i Qarkut Shkodër, Bexhet Çobani drejtues i Qarkut Gjirokastër, Luçiano Boçi drejtues i Qarkut Elbasan, Bedri Hoxha drejtues i Qarkut Dibër, Pashk Noci drejtues i Qarkut Lezhë, Admirim Shehu drejtues i Qarkut Fier, dhe Andrea Mano drejtues i Qarkut Korçë.

Lufta mes grupeve

Lufta mes grupeve dhe klaneve për dominancë në Partinë Demokratike pati nisur në mënyrë të nëndheshme, shumë kohë para përmbysjes së Berishës në zgjedhjet e 23 Qershorit. Që kur Berisha ishte kryeministër, në PD ishin kristalizuar tre linja kryesore, të cilat luftonin për të dominuar partinë. Grupi i parë ishte ai i familjes, ku përfshihej Basha, stafi i bashkisë, Shkëlzeni, Jamarbër Malltezi, Keltis Kruja, shokët dhe shoqet e Argitës, disa ministra, disa drejtorë etj. Grupi i dytë ishte ai i Jozefina Topallit, me rrethin e saj të Shkodrës, disa deputetë, disa krerë institucionesh etj. Grupi i tretë dhe më i rrezikshëm për pozitat e familjes ishte grupi i Sokol Olldashit, i cili përfaqësonte linjën më të fuqishme ekonomiko-politike në PD. Lufta me këtyre grupeve doli në pak pas përmbysjes së Sali Berishës nga pushtetit dhe pas manovrave të tij për të katapultuar pasardhësin Basha në krye të partisë, për të qenë vetë kryetar në hije dhe defakto i partisë. Grupi i Topallit u izoluar shpejt nga dyshja Berisha-Basha, ndërsa rezistenca e saj kundër Bashës ishte e dobët. I vetmi qëndrestar mbeti Sokol Olldashi, i cili pati guximin të denonconte publikisht planin e familjes për të kontrolluar partinë nëpërmjet kukullës Basha.

Ja çfarë ka thënë Olldashi për Bashën dhe Berishën

1. Akuza Bashës për zgjedhjet

Përzgjedhja e kryetarit të ri të PD-së u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar. Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD.

2. Njëanshmëria e Berishës

Procesi, për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je, u përjashtua siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Shkodër e Korçë apo u pushua nga puna, siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë. Intimidimi u kurorëzua me fletën e numerizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Nga ana tjetër, tensionimi i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm.

3. Avantazhet ndaj Bashës

Pikërisht kjo, njohja kapilare që unë kam me strukturën e PD-së dhe fakti që unë e njoh jetën e opozitës. E di se si është opozita. Unë i njoh militantët e PD. I njoh personalisht pjesën më të madhe të strukturave të PD-së. Kam përjetuar me ta ditët e mira dhe të këqija. Unë besoj se di si ta ringre strukturën e PD dhe si ta çoj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

4. Për spastrimet në PD

Kjo parti ka nevojë të rritet, sepse ka marrë një goditje dhe ka nevojë të rigjenerohet prapë me anë të një karte morale opozitare. Sali Berisha i fitoi zgjedhjet në vitin 2005 më një kartë të fortë morale. Sali Berisha u rikonfirmua në vitin 2009 më një kartë të fortë morale. Ne duhet domosdoshmërish të ndërtojmë një kartë të fortë morale mbi të cilën të ngremë gjithë aksionin opozitar, që të kthehemi në pushtet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dhe çdo njeri i arsyeshëm do të shkonte drejt unifikimit të partisë dhe jo drejt përçarjes së partisë. Në qoftë se anëtarësia e partisë do të më besojë drejtimin e PD-së, unë absolutisht do t’i ofroj të gjitha garancitë edhe statusore që askush në PD nuk mund të bëjë spastrime të funksionarëve.

5. Për armët kimike

Çështja e armëve kimike përfundimisht u zgjidh. Ose, më saktë akoma, u fitua! U fitua nga ata mijëra djem dhe vajza që i dolën për zot problemit dhe që meritojnë mirënjohjen dhe falënderimin tonë më të madh njerëzor. Sot shoqëria shqiptare është më e mirë dhe kjo, në sajë të brezit të gjimnazistëve dhe studentëve që treguan se janë po aq të pjekur sa ç’ishte brezi ynë 23 vjet më parë. Unë ndihem mirë që isha ndër të parët politikanë që iu bashkova protestës së tyre si qytetar. Miqësisht do t’i ftoja ta kultivonin edhe më këtë kulturë proteste që krijuan në këto dy javë, sepse është një garanci e fortë për mbarëvajtjen e punëve të këtij vendi.

6. Për fraksionet

Unë jam kundra fraksioneve sepse janë një derë për përçarjen e partisë. PD nuk është repart ushtarak, por parti e njerëzve të lirë. Kjo parti ka nevojë të rigjenerohet, sepse e ka marrë një goditje në këto zgjedhje. Ne duhet të rikthehemi në pushtet me një kartë të fortë morale. Çdo njeri do të shkonte drejt unifikimit dhe jo përçarjes. PD nuk e ka termin përjashtim, por PD ka nevojë të forcojë disa mekanizma për të mbrojtur. Duhet riorganizimi i partisë dhe thithja e të gjitha kontributeve opozitare në parti. Hapje e PD ndaj elementëve të rinj.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?