MENU
thesari.com © 2001

A dhunohen investitorët e huaj kështu?! - Thesari

E Shtunë 10 Shtator, 2016
A dhunohen investitorët e huaj kështu?!

blendi-fevziu

Një investitor i huaj i shtrirë në mes të rrugës së aeroportit, i dhunuar, i kërcënuar dhe thuajse pa ndjenja, është imazhi që ka dominuar ditën e sotme.

Për një vend si Shqipëria, ku investitorët e huaj janë kaq të rrallë; për një vend si ky i yni ku investimet e huaja janë shpresa kryesore për punësim dhe dalje nga kriza ekonomike; për një vend ku investimet e huaja bien nga viti në vit si pasojë e rritjes së taksave dhe gjithë pengesave të tjera, nuk mund të bëhej një lajm më i keq.

Një lajm i keq si për vetë shqiptarët ashtu edhe për ata pak kurajozë që kanë zgjedhur të investojnë në një vend me rregulla kaotike, pa krah pune, pa sistem të mirëfilltë gjyqësor të besueshëm dhe nën humorin e ndryshueshëm të politikës që ndërron rregullat e taksave dhe i ndan investitorët në të majtë e të djathtë.

Ka pak të dhëna për atë që ka ndodhur në rrugën e aeroportit, por media ka deklaruar se investitori me origjinë libaneze, veç dhunimit edhe është kërcënuar.

Nëse kërcënimi është i vërtetë, ai padyshim që është bërë për hir të investimit të tij në Shqipëri.

Ky nuk është rasti i parë që investitorë të mëdhenj të huaj kërcënohen. Në disa raste të tjera, investitorë të huaj janë kërcënuar deri me jetë për t’u tërhequr nga gara apo privatizime të mëdha. Ka ndodhur kështu me garën për një hotel të madh në Tiranë, por edhe në raste më modeste.

Kishte kohë që ngjarje të tilla nuk bëheshin prezente, por nëse kjo është e vërtetë, ky është një gjest i mirëfilltë mafioz. Është një akt kriminal, që duhet të investigohet, të zbulohet dhe të ndëshkohet rëndë.

Dikush që guxon të kërcënojë një investitor të huaj dhe i kërkon atij largimin nga Shqipëria është jo vetëm një shkelës i ligjit, por edhe dikush që nuk ka frikë nga ligji. Dikush që ka mbështetje dhe që vepron nën mbrojtjen e një apo disa personave të fuqishëm. Policia dhe Prokuroria duhet të gjejnë sa më shpejt autorët që rasti jo vetëm të zbardhet, por të mos përsëritet më.

Nëse ka ndodhur për një zënkë si pasojë e përplasjes, është po kaq e rëndë.

Një vend ku njerëzit rrihen se gërvishtin makinat; një vend ku një i huaj dhunohet sepse ishte në një makinë që ka gërvishtur makinën tjetër, tregon që është një vend që nuk meriton asgjë. Jo më investime të huaja, por as turistë të përkohshëm.

Vështirë se gjen vend tjetër në botë, që incidente banale zgjidhen me grushta, shkelma apo edhe të shtëna armësh. Dhe sërish në këtë rast përgjegjësia është e shtetit dhe e ligjit, që nuk e kanë frikë këta kaubojs modern.

Ngjarja ka ndodhur tashmë dhe Shqipëria ka vetëm një mundësi. T’i japë një shpjegim dhe përgjegjësit kësaj ngjarjeje. Në të kundërt, nuk ka pse del më të kërkojë investitorë dhe investime të botë, se askush nuk vjen të lerë kokën në rrugët e Shqipërisë.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?