MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

A mund të diskutohet shkarkimi i Adriatik Llallës - Thesari

E Shtunë 04 Shkurt, 2017
A mund të diskutohet shkarkimi i Adriatik Llallës

Lu-Llalla-Rama-Meta

Akuzat e ndërsjellta të ditës së enjte mes Kryeprokurorit dhe Ambasadorit Amerikan në Shqipëri, kanë krijuar një situatë krize institucionale, që mund të diktojë edhe një krizë politike në vend. Shumë pyetje kanë rrethuar debatin mes Adriatik Lallës dhe Donald Lu-së.

A shkeli vërtetë Kryeprokurori Kushtetutën duke dërguar vetëm 3 emra, si propozime të tijat në Këshillin e Emërimeve të Drejtësisë? Ambasadori Amerikan “e pagëzoi” Lallën si një kundërshtar të Reformës në Drejtësi dhe tha se prej 18 muajsh ai nuk është treguar bashkëpunues në këtë pikë.

Lu kërkoi që Këshilli i Emërimeve t’i nënshtrohej sa më parë Vettingut, ndërsa Llalla në reagimet e tij nuk sqaroi fiks këtë pjesë, por u mor kryesisht me çështjen e revokimit të vizave, të cilën ai e konsideroi një “shantazh të hapur ndaj institucionit të Prokurorisë”.

Gjuha ishte edhe më e ashpër në deklaratat e bëra të enjten, por çështja që ngrihet tanimë është më e madhe se vetë Llalla. Kryeprokurori zhvilloi të premten një takim me Kryeparlamentarin Ilir Meta, ku në media u tha se atij iu kërkua informacion më konkret rreth çështjes së ngritur nga Lu mbi emërimet. Nga ana tjetër edhe vetë Ambasadori zhvilloi një sërë takimesh ditën e enjte, ku mes tyre ishte edhe takimi me Presidentin Bujar Nishani. Këto lëvizje lënë të hapur çdo lloj mundësie, pse jo edhe rreth një diskutimi për të shkarkuar Kryeprokurorin Adriatik Lalla. Përplasja e tij me Ambasadorin Lu, vjen në një moment kur në Qeveri ka pasur gjithashtu fërkime mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Kryeministri Edi Rama shkarkoi Ministrin e Drejtësisë Ylli Manjanin, ndërsa në ditët që e pasuan largimin e tij, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se nëse Partia Socialiste do t’i kishte 71 votat për të garantuar Qeverinë e saj, LSI-ja do të dilte menjëherë në opozitë. Pikërisht në dinamikën e kësaj gjendjeje politike, çështja e Kryeprokurorit mund të jetë pika e radhës ku Edi Rama me Partinë Socialiste të tregojë “muskujt”. Sipas Nenit 149 të Kushtetutës, Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti, me propozim të Parlamentit, “për shkelje të Kushtetutës”.

Aktualisht është Ambasadori Lu, ai i cili e ka akuzuar hapur Kryeprokurorin Llalla që ai e ka bërë këtë gjë. Nga ana tjetër ligjërisht Kryeprokurori mund të shkarkohet me një shumicë të thjeshtë votash. Këtu Partia Socialiste mund ta propozojë vetë kështu shkarkimin në Parlament, dhe të dëshmojë se i ka 71-votat, duke e votuar – pa LSI-në – propozimin për shkarkim. Por çështja është më komplekse se kaq. Një lëvizje e tillë mund të vërë në mëdyshje Zgjedhjet Parlamentare, që janë shumë afër.

Problem mbetet edhe fakti se kush mund ta zëvendësojë Adriatik Llallën? Një propozim për shkarkim do të vinte në diskutim edhe qëndrimin e LSI-së, në raport me Kryeprokurorin, i cili i “pagëzuar si anti-Reformë në Drejtësi” do ta kthente mos-votimin për shkarkim si një qëndrim edhe të LSI-së kundër reformës. Por nga ana tjetër kjo lëvizje mund të përkthehet edhe si një mundësi për të rikuperuar marrëdhëniet në koalicion. Një votim i gjerë i shkarkimit të Llallës (i konsideruar si njeri i Berishës, duke qenë se është votuar nga mazhoranca e kaluar) nga PS-LSI mund të dëshmojë kështu se koalicioni funksionon akoma edhe pas përplasjeve të fundit dhe se të dyja partitë punojnë në unison për çështje madhore. E gjitha kjo në prag të zgjedhjeve.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?