MENU
thesari.com © 2001

ARMO - Pasuria kombëtare që ju dorëzua hajdutëve me kollare pushteti - Thesari

E Shtunë 27 Janar, 2018
ARMO - Pasuria kombëtare që ju dorëzua hajdutëve me kollare pushteti

armo-korrupsion

Ka vetëm një rrugë për shpëtimin e ARMO-s. Rishtetëzimi! Dhe tek ky përfundim kam ardhur nga logjika dhe nga eksperienca ime në këtë fushë.

Pikë së pari duhet kuptuar që privatizimi i saj nuk u bë, se po rëndonte arkën e shtetit shqiptar me humbje të cilat po na zbraznin buxhetin. ARMO ishte një ndërmarrje shtetërore që në vitin 2006 ka realizuar fitim 1.6 miliarde leke (16 milionë USD) dhe ka shpërndarë 1.1 miliardë lekë divident (11 milionë USD), përpos mbi 4.5 miliardë lekëve taksa të derdhura në buxhetin e shtetit dhe pagesës me paga mbi-mesataren të 2100 punonjësve. E pra privatizimi nuk u be, se dikush mendoi se me privatizimin do të përfitohej më shumë nga ana e shtetit apo e punonjësve. Jo! U bë për arsyen e vetme, sepse dikujt i duhej një aset i shëndetshëm për të implementuar një skemë të caktuar mashtrimi financiar, duke e vendosur si kolateral për të marrë kredi të njëpasnjëshme nga bankat. Këtu fillon dhe mbaron historia!

Çdo gjë tjetër, çdo raport i dalë që nga ai moment kur u vu në lëvizje i gjithë ky makinacion i madh, nga cilido konsulent, i pajtuar nga cilido organizëm, kishte për synim një gjë – të tregonte në te gjitha format që ARMO duhej privatizuar patjetër!

Prandaj u privatizua ARMO!

Dhe prandaj vazhdoi dhe më pas shitje-blerjet. Taçi, në 2013, kur iku krahu i tij politik nga pushteti, ia shiti asetin azerëve të cilët ia shitën Besos, të cilit sapo i kishte ardhur krahu politik në pushtet. Natyrisht që Beso nuk e mori ARMO-n se pati një plan për ta nxjerrë nga bataku. Rama s’ia kishte dhënë për ta nxjerrë nga bataku. Rama ia kishte dhënë që të vazhdonte skenarin dhe të vidhte ndonjë lek.

Fati ynë i keq që Beso nuk ishte aq i gojës sa Taçi, kështu që taksirati ynë që Beso lekët tashmë nuk do t’i vidhte nga bankat, por nga taksat e shtetit.

Dhe nëse dikush tjetër vjen pas Besos, harrojeni se do të marrë përsipër të rregullojë kompaninë. Një kompani që ka 700 milionë USD borxhe, që kërkon 100 milion USD investime dhe fitimin në kapacitet maksimal, me teknologji të rinovuar, e ka rreth 30 milionë USD në vit, s’është fare në listën e një investitori të ndershëm. Zero! Duhet të jesh totalisht idiot te vish dhe të shkapëlyhesh për të paguar ca lekë borxhesh që i ka vjedhur dikush tjetër. Ai i ka marrë, ti t’i paguash! Kush është kaq budalla?-S’ka!

Keshtu qe kushdo që të vijë, do të vijë të vazhdojë me skemën e deritanishme, të mos paguajë taksa, të mos paguajë furnitorët, të mos shlyejë overdraftet. Cilido Kastrat të vijë, do të vazhdojë të njëjtën stil.

Prandaj alternativat janë që 
1. ose ta shtetëzojmë, 
2. ose ta shesim për skrap.

Unë besoj te shtetëzimi.

Duke qënë se shteti është një kreditor primar dhe me rreth 45% të vëllimit të vlerës, atëherë ka të gjithë prerogativat për ta marrë dhe për ta manaxhuar vetë asetin (natyrisht në marrveshje dhe me kreditorët sekondarë). Meqënëse rreth 300 milionë janë borxhe ndaj vetë shtetit, shuma që i mbetet për të shlyer ndaj të tretëve është 400 milionë USD, shumë që, me një ristrukturim eventual, mund të shpërndahet në kohë në mënyrë të përballueshme!

Dhe rafineria shteterore, jo vetëm shpëton rafinerinë, por i jep frymëmarrje gjithë industrisë së naftës!

Një rafineri shtetërore e ka lëndën e parë të siguruar!

Kam lexuar lloj lloj budallalliqesh në internet këto ditë sikur Bankers e çon naftën bruto në Itali, sepse ka një rafineri në pronësi aty. Bankers dhe të gjitha kompanitë e nxjerrjes, duke përfshirë dhe blerësit e naftës së Albpetrolit, e kanë eksportuar naftën, sepse Besoja nuk iu jepte lekët e mallit. Prandaj kompanitë, nga ç’të humbnin lekët, më mirë paguanin më shumë transport dhe e çonin në Itali.

Që të kuptojmë të gjithë. Çdo kompani nxjerrëse lutet që të ketë një rafineri afër vendburimit, sepse i kursen shpenzime transporti. Sepse (për ata që s’e dinë) nafta shitet me çmim burse, pra nuk ndryshon nga rafineria në rafineri. Ato që ndryshojnë janë kostot e transportit.

Një rafineri shteterore është mëse e mirëpritur në këtë biznes dhe nëse ajo vjen, ju siguroj që asnjë nga kompanitë nxjerrese shqiptare nuk ka për t’i rinovuar më kontratat aktuale të rafinimit në momentin që rafineria do të jetë shteterore dhe pagesat për mallin janë të garantuara.

Kostot fikse të rafinerisë shteterore mbulohen me 300.000 tonë në vit, lëndë të parë, ose sa 1/3 e prodhimit aktual shqiptar. Që do të thotë që me një furnizim me 900.000 – 1.000.000 ton/vit (sa ç’është sot prodhimi ynë i naftës bruto që përkon me kapacitetin maksimal të rafinerisë) ajo krijon një super marzh ndërhyrjeje (investimi) që do t’ia lehtësojë fizibilitetin e fondeve të investimit për ringritjen e rafinerisë, të cilat nga vlerësimi më konservator duhet të arrijnë në rreth 100 milionë USD për të prodhuar deri në D1 cilësor (sepse si produkt bazë, dhe për shkak të cilësive të naftës shqiptare, rafineria jonë prodhon kryesisht gjysëm-produkt si solar, mazut, bitum etj..).
Pra, me shtetëzimin dhe vendosjen në efiçencë të rafinerisë përfiton gjithë industria e naftës!

Fitojne puntorët e uzinës që nuk do të vuajnë më nga stresi dhe ankthi se do të jenë apo jo në punë; dhe kur janë në punë, do ta marrin apo jo rrogën.

Fiton qyteti i Ballshit, ekzistenca e të cilit vazhdon të ketë sens.

Fiton thesari i shtetit leket e taksave çdo vit.

Fiton industria nxjerrese reduktimin e kostove të transportit dhe shmangien e risqeve që vijnë nga malli në tranzit (u vonua anija, u bllokua anija, ndodhi avari u derdh nafta në det, etj..).

Fitojnë bankat lekët e kredive që deri sot quhen të humbura.

Fitojnë bankat një partner serioz që mund ta kreditojnë për investimet e nevojshme, duke qënë e sigurta në bashkëpunim dhe pa frikën se po iu ikin lekët e kredive me avion Jet për në llogari bankare në offshore, si më parë.

Me rreth 200 mijë ton diesel/benzinë që mund të prodhojë në vit (ose 40% të tregut), konsumatori shqiptar fiton një rregullator të çmimit të naftës dhe rrjedhimisht çmime nafte më të lirë në treg.

Pra shtetëzimi hap një mundësi të re që çdo gjë të fillojë të funksionojë. Çdo gjë tjetër thjesht do të na prodhojë një hajdut më shumë, ca taksa të papaguara më shumë, ca refugjatë më shumë dhe një qytet më pak.

fb/panajot.soko

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?