MENU
thesari.com © 2001

Bukinisti i rrugës time - Thesari

E Dielë 20 Shtator, 2015
Bukinisti i rrugës time

Auron_meneri

Rruga "Qemal Stafa" është një rrugë e qetë dhe me fare pak trafik. Sikur qetësia të mos prishej nga hareja dhe thirrjet e fëmijëve që shkojnë në shkollë, të krijohet përshtypja se je në ndonjë periferi të qetë dhe me pak lëvizje dhe jo fare pranë qendrës së kryeqytetit. Dyqanet kanë pak ose aspak punë, kurse shitësit e vetë-punësuar më tepër i shikon ulur nëpër tavolina duke rrufitur kafenë e rradhës e dukë qarë hallin njëri tjetrit se kjo rrugë të falimenton. Ashtu duke shtyrë ditët dhe mbijetuar. Në këtë rrugë nuk ndodh pothuaj asgjë dhe ritmi i jetës nuk është ai i frenetik i qendrës së kryeqytetit.

Nga fundi i rrugës ndodhet një dyqan librash të përdorur. Muret e gërryera nga lagështia, qepenat e vjetër që rrallë i gjeje gjysmë të hapur, librat e stivosur në dysheme dhe një burrë i trishtuar që shfaqej mes pirgjeve të librave. Pak njerëz hynin e dilnin në dyqanin e tij. Por edhe kjo nuk vazhdon më... 

Nisma e qeverisë për kasën e kuponin shtriu duart e saj të hekurta dhe e shkatërroi këtë realitet paralel. Në një ditë të ngrohtë u shfaqën taksidarë e makina policie, dhe pa e zgjatur sekuestruan mallin, ato libra të përdorur nganjëherë edhe të mykur. Ndërsa ekonomia informale mori një goditje të fortë dhe buxheti i shtetit u forcua ndjeshëm, një baba, i vetmi i punesuar në familje prej pesë vetësh, u hodh ne mes të katër rrugëve.

........

Në gjithë botën kjo veprimtari biznesi njihet si sistemi D ose(DIY- do it yourself). Eshtë sipërmarrja e atyre që sfidojnë kushtet e vështira ekonomike duke improvizuar dhe duke bërë biznes më vete, pa u regjistruar dhe në pjesën më të madhe pa paguar taksat. Kjo është përpjekja e dëshpërimit, por një përjekje që siguron punësim. Sipas një studimi të OECD, në vitin 2009, gjysma e të punësuarve të botës, rreth 1.8 miliard njerëz punojnë në sistemin D, jashtë bilanceve, në punë që nuk janë të rregulluara ligjërisht nëpërmjet licensave dhe që paguhen me para në dorë dhe në shumicën e rasteve shmangin taksat. Friedrich Schneider, dekan i fakultetit ekonomik të Linzit në Austri, ka llogaritur që sistemi D jo vetëm është në rritje por në shumë vende ai po rritet më shpejt sesa ritmi i rritjes së GDP. Sipas tij, ky sistem përfaqëson ekonominë dytë më të madhe në botë, me rreth 10 trilion USD.

Në të shumtën e rasteve sistemi D krijohet sa herë që njerëzit kalojne nga një ekonomi e centralizuar në ekonominë e tregut. Kjo veprimtari fillon me fitime të vogla dhe pothuaj jo eficente, por me kohë forcohet, krijon vende pune dhe ofron mundësi për njerëz që kurrë nuk kanë patur mundësi të jenë të pasur ose të mirëarsimuar. Është e vërtetë që ekonomia informale(sistemi D) sfidon mbledhjen e taksave, legjislacionin e punës, mbrojtjen e të drejtave të autorit, cilësinë e sigurinë e produkteve, legjislacionin mjedisor, dhe një mori të politikash të tjera sociale dhe mjedisore. Por ka edhe shumë anë pozitive gjithashtu.

Deri në 2020, gjithmonë sipas OECD, rreth 2/3 e punëtorëve në botë do të jenë të punësuar në sistemin D. Tashmë është vërtetuar që është pamundur që biznesi i madh dhe qeveritë të rivalizojnë me sistemin D në krijimin dhe shtimin e vendeve të punës. Duke patur parasysh madhësinë dhe rëndësinë që ka ky sistem për ekonomitë kombëtare, politikanët nuk mund të bëjnë plane zhvillimi, rritjeje dhe qëndrueshmërie pa marrë parasysh sistemin D, lëre pastaj ta shkatërrojnë atë me një të rënë të lapsit.

Pas krizës ekonomike të 2008/2009, sistemi D u konfirmua si një zgjidhje për të përballuar situatën e rëndë ekonomike dhe katastrofën. Vërtet ekonomitë që kishin një porcion të rëndësishëm të tij në ekonomitë e tyre ja dolën me sukses të mbijetonin. Në një studim të vitit 2009 nga Deutsche Bank, rezultoi se vendet evropiane me pjesë më të madhe të ekonomisë informale i përballuan më mirë vështirësitë ekonomike të vitit 2008 në krahasim me vendet që ishin të rregulluara e planifikuara fort nga qendrat financiare. Po kështu ndodhi në Amerikën Latine ku njerëzit e dëshpëruar u përshinë në ekonominë informale për të mbijetuar gjatë krizës më të fundit financiare. Përvec aftësisë së pakrahasueshme për të siguruar vende pune, sistemi D kryen edhe shpërndarjen e mallrave dhe shërbimeve me cmime të përballueshme për të varfërit, në një formë dhe në një mënyrë që asnjë qeveri ose kompani e madhe nuk mund ta realizojë. 
Sistemi D përbën një barrikadë gjigande parandaluese në raste krizash të papritura duke shpëtuar sistemin e formalizuar që në këto raste e ka të pamundur të zgjidhë situatat e rënda sociale. Në thelb, kjo është pikëpamja e sociologut të Princetonit, Alejandro Portes, i cili shkruan:" Për shtetin, ekonomia informale ofron një valvul sigurie, sepse njerëzit gjejnë një lloj punësimi që përkthehet në qetësi relative. Në të njëjtën kohë, ajo mban pagat për të varfërit në nivelin e mbijetesës dhe shërben si një mekanizëm për të mbajtur të varfërit dhe klasën e mesme të qetë. Pa atë, shteti modern nuk mund të mbijetojë." Ka edhe të tjere si profesori i Fakultetin Juridik të Harvardit, Roberto Mangabeira Unger që e shikon sistemin D si një mundësi dhe jo një pengesë për zhvillimin.

Qeveritë, në pergjithesi duan të zvogëlojnë ose ta zhdukin sistemin D duke e detyruar atë të legalizohet. Por, në secilin rast, shtrohet një pyetje serioze. Në qoftë se ky sistem përfshin gjysmën e punëtorëve të botës, ndoshta është e nevojshme për të ndryshuar politikat? Nëse idea jonë e ndertimit të tregut kalon nëpërmjet krijimit të vendeve të punës, rritjes së të ardhurave, reduktimit të pabarazisë dhe rritjes së numrit të sipërmarresve dhe jo krijimit të fitimit individual, atëhere sistemi D bëhet një pjesë e rëndësishme e të ardhmes ekonomike, - thotë Unger. Sistemi D sjell më shumë njerëz në treg dhe ju mundëson tregtarëve të vegjël mbijetesën. 
Përse nuk formalizuar me dhunë sistemi D?

Partizan i legalizimit, ekonomisti peruan Hernando de Soto, njeh vitalitetin, vlefshmërinë, dhe vlerat e Sistemit D. Ai ofron një zgjidhje në pamje të thjeshtë për formalizimin e biznesit të vogël duke lehtësuar procedurat e rregjistrimit dhe duke përmirësuar legjislacionin për licencsim. De Soto pranon se bizneset e sistemit D janë një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e ekonomisë, por pronarët e këtyre firmave dhe banorëve të këtyre lagjeve u eshte mohuar qasja në mjetet e sistemit kreditues, llogarive bankare, ndihma formale qeveritare, etj. Paratë(kapitali) që qarkullojnë në sistemin D, janë në thelb të vdekura. Sipas tij formalizimi i sistemit D do të jetë një situtatë ku të gjithë fitojnë.

Por në jetën reale nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh kështu. Edhe pas formalizimit të detyruar sistemi D nuk ka provuar në ndonjë rast një "boom" të nivelit të kreditimit dhe kapitali i tyre vazhdoi të jetë i "vdekur" sepse nuk ka bankë që pranon si kolateral ndërtesa ose biznese "ilegale". A i shton avantazh konkurencial këtij sistemi përshpejtimi i procedurave ose ulja e pagesës dhe kohës së rregjistrimit këtij biznesi? Jo, aspak.

Në fakt ky biznes siguron ato të ardhura të pakta pikërisht sepse është i parregjistruar dhe nuk paguan taksa. Prandaj megjithëse ideja e formalizimit është tërheqëse ajo nuk ka funksionuar asnjë herë.

Marta Chen, një lektore pranë Universitetit të Harvardit shkruan, ... "Ne kemi nevojë për të dalë me modele që lejojnë tregtarin e rrugës të bashkëjetojnë së bashku me dyqanet e shitjes me pakicë dhe së bashku me qendrat e mëdha tregtare. Ekonomia informale nuk është problemi. Ajo është pjesë e zgjidhjes. Tregtarët e rrugës, mbledhësit e mbeturinave, shitesit e tregut: këta njerëz me të vërtetë kontribuojnë në ekonominë dhe në qytetet e tyre. Ajo që ne duhet të bëjmë me ekonominë informale është që të kuptojmë se si mund ta ndihmojme atë që të bëhet më produktive, më efikase dhe më efektive. "

Ndërsa Alfonso Morales, i universitetit të Wiskonsin thotë se "Ne kemi nevojë për të shkuar nga një mentalitet thjesht i formalizimit me forcë në rritjen e pjesëmarrjes së njerëzve në sistemin ekonomik dhe marrjen e përgjegjësive qytetare. Ai propozon që qeveria të ofrojë licensa për biznesin joformal, që këto firma të kontribuojne në arkën publike pa paguar taksat. Përfitimi i kësaj licence është i qartë: tregtarët nuk mund të arrestohen dhe ti sekuestrohet malli nga policia. Megjithatë, ai argumenton se procedura e licencimit nuk duhet të detyrojë ata për t'u formalizuar dhe per të deklaruar të gjitha të ardhurat e tyre. 

Qeverive perfshi edhe këtë tonën, i duhet sistemi D sepse është krijues i pazëvendësueshëm punësimi. Ndërkaq edhe sistemi D ka nevojë për qeverinë, sepse ka nevojë për infrastrukturën, monedhën etj që vetëm qeveria mund ta sigurojë. Ky tension ofron një mundësi për ndërtimin një hapësirë kreative dhe produktive në të cilën sistemi D mund të zhvillohet dhe të lulëzojë, ndërkaq qeveria të ulë presionin për punësim dhe të mbledhë të ardhura nga një sketor informal. Çdo zgjidhje tjetër, sidomos formalizimi me forcë është e destinuar të dështojë sepse bazohet të politika që nuk marrin parasysh realitetin dhe e shikojne sistemin D nga jashtë dhe si një lopë e madhe për t'u mjelë. Ky sistem është një përpjekje mbijetese dhe cdo ndërhyrje pa marrë parasysh këtë, më së paku do të dëmtojë paqen sociale, do të rrisë tensionet dhe papunësinë.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?