MENU
thesari.com © 2001

Çështja Frroku, kush i ka fshehur gjurmët e kriminelëve? - Thesari

E Martë 31 Mars, 2015
Çështja Frroku, kush i ka fshehur gjurmët e kriminelëve?

andi-bushati

Sa më shumë gërvishtet çështja Doshi apo Frroku, aq më shumë dalin në pah fakte tronditëse. Arrestimet e fundit në mesnatën e mbrëmshme tregojnë se ende kemi zbuluar vetëm majën e ajsbergut të një sistemi që ka punuar për të fshehur gjurmët e krimit, ndërkohë që paguhej për t'i zbuluar ato. Dy shefa të lartë të Interpolit janë vënë nën pranga me akuzën e shpërdorimit të detyrës, sepse, sipas të dhënave paraprake, kanë mbajtur të fshehur dokumentat e ardhura nga Brukseli për kërkimin e deputetit Mark Frroku. Njëkohësisht me to dyshohet se janë mbajtur të pazbuluar edhe bashkëpunëtorët e tjerë të Frrokut për vrasjen e 5 marsit 1999 në Belgjikë. Ky fakt për të cilin prokuroria thotë se do të hetojë tani, nuk ka nevojë për koment. Nëse duhej ruajtur deputeti i shumicës, nuk mund të dekonspiroheshin bashkëpunëtorët e tij.

Por çfarë tregojnë arrestimet e mesnatës të së hënës?

Në radhë të parë ato flasin për një përgjegjësi të madhe të organeve shtetërore, që i shpërfillën, madje u përpoqën t'i mundin me alibi zërat e rrallë mediatikë, që denoncuan një mbrojtje antiligjore të deputetit të majtë. Prej kohësh policia dhe prokuroria shqiptare qenë vënë nën akuzë se ato e mbronin të shkuarën belge të deputetit, vetëm e vetëm për të mos i hapur probleme kësaj shumice që përditë e më shumë po rezulton e kriminalizuar.

Në radhë të dytë ato flasin për një komplicitet të hapur me personat me rekorde kriminale që përpara se të jetë thjeshtë çështje personash, po rezulton më tepër si frymë qeverisëse.

Duke hapur siparin e arrestimeve, organet ligjvënëse, kanë pranuar edhe zyrtarisht një fakt të njohur publikisht: atë të mbrojtjes jashtë çdo norme ligjore për deputetin e Shkodrës. Por pyetja që shtrohet pas këtij akti është: a është kjo një aferë personale? A mos vallë grupi i Mark Frrokut ka korruptuar dy, tre, apo më shumë funksionarë policie për ta mbajtur të fshehur dosjen kundër tij? Kjo është një hipotezë. Por një hipotezë që ka fare pak gjasa të vërtetohet në realitet.

Sepse faktet flasin për të kundërtën. Në sferat e larta të shtetit të gjithë e dinin të shkuarën belge të Frrokut. Prokurorët nga Brukseli ishin bërë si në shtëpinë e tyre në Prokurorinë e Përgjithshme dhe shkulnin flokët nga habia se si një kontingjent krimi për ta, ishte ulur në karriken e kuvendit në Tiranë. Këtë habi e kanë shprehur edhe mediat belge që në fillim të vitit të shkuar. Prej 15 muajsh atë e rimorën edhe gazetat shqiptare. Po që në këtë kohë, Jozefina Topalli e denoncoi me guxim këtë fakt në sallën e kuvendit. E po t'u shtosh këtyre fakteve edhe kërkesën e komisarit të ndjerë Dritan Lamaj, për aktivitetin e vëllezërve Frroku në Belgjikë, historia del më e ngatërruar: atë e kanë ditur shumë persona. Atëherë pse nuk kanë vepruar?

Këtu dalim tek pyetja e shtruar në fillim. Dosja Frroku nuk është fshehur nga persona privatë të korruptuar në gjirin e policisë. Ata që akuzohen sot nuk kanë vepruar vetëm. Ata kanë qenë nën trysni ose të urdhëruar. Sepse përndryshe, nëse do të qe kështu, pra nëse ata me kokën e tyre do e mbanin të fshehtë dosjen belge, po shefat e tyre ç‘kanë bërë? A nuk qenë të mjafta informacionet e mësipërme për ta shtyrë prokurorin e përgjithshëm të bëhej aktiv? A nuk qenë ato të bollshme për ta vënë në lëvizje ministrin e Brendshëm. A nuk duhej ta shqetësonin ato drejtorin e policisë, pa e detyruar atë sot që të jepte dorëheqjen?

Mjaftojnë vetëm këto pikëpyetje për të dëshmuar se kjo nuk është një aferë personale. Fshehja e krimit është bërë në mënyrë të organizuar dhe me vullnet politik. Nëse nuk ka diçka më shumë, nëse nuk dalin edhe më tepër fakte të reja, në rastin më të mirë, ai është mbajtur i fshehur, për të mos krijuar një problem politik që do të diskreditonte këtë shumicë. Por dhe nëse është kështu, ky është njëkohësisht edhe krim më vete, por edhe një idiotësi. Sepse sot edhe mëkati u zbulua edhe mazhoranca ka marrë një peshë disa fish më të madhe: atë të fshehjes së organizuar të autorëve të prezumuar të një vrasjeje.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?