MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Doganat dhe globalizmi neoliberal - Thesari

E Dielë 29 Mars, 2015
Doganat dhe globalizmi neoliberal

albanian-customs-ibna

Vendimi i qeverisë Rama për vendosjen e doganave nën mbikqyrjen e “Crown Agency”, agjencisë së “Kurorës Britanike”, sigurisht që shton implikimet në doganat tona, por, implikimi kryesor nuk është, siç pretendoi Berisha, se kjo agjenci ka qenë në “listën e zezë” të Bankës Botërore (BB), as se kjo agjenci do të rrisë të ardhurat për qeverinë, siç pretendoi Rama, përkundrazi, siç do të shohim këtu, të ardhurat e qeverisë Rama do të përkeqësohen, pavarsisht ndonjë rritje të përkohshme që mund të shënohet në këtë sektor. Dhe kjo sepse atje është një mekanizëm strukturor efektet e të cilit në ekonominë tonë nuk përmenden nga demagogët, që është, “liria e mallrave”. Dhe nuk e përmendin ndoshta ngaqë nuk kanë kohë të kundrojnë rreth efekteve të kësaj “lirie” në ekonominë tonë dhe se përse ajo imponohet.

Kështu, liria e mallrave është institucionalizuar që nga koha e bisedimeve të GATT (General Agreements on Tariffs and Trade) pas Luftës së Dytë Botërore, që njihet si “periudha statiste” ose periudha e “konsesusit social-demokrat”, që u themelua në Perëndim midis vitit 1930-70. Ishte e njëjta periudhë që themeloi institucionet ndërkombëtare që njohim sot: FMN dhe Bankën Botërore.[1] GATT u zëvendësua me “Organizatën Botërore të Tregut” (OBT/WTO) në vitin 1995. Principi bazë që ka adoptuar ky institucion është ‘reduktimi i rëndësishëm i tarifave dhe barrierave tregëtare dhe eliminimi i preferencave, mbi bazën e ndërsjelltësisë dhe avantazhit’.[2] Në fjalë të tjera, kjo marrëveshje nënkupton qarkullimin e lirë të mallrave. Tre liritë e tjera, siç janë liria e kapitalit, shërbimeve dhe punës, janë subjekt i traktateve të tjerë. Në BE, është traktati i Maastricht-it i cili ka institucionalizuar të katërta këto liri. Kjo do të thotë më tej se cilido shtet që integrohet në bllokun ekonomik të BE-së dhe Eurozonës, do t’u përmbahet katër lirive, ndryshe shkel traktatin dhe mund të ndëshkohet.

Kështu, Shqipëria është bërë anëtare e “OBT-së” në 8 Shtator të vitit 2000 kur në pushtet ishte “Partia Socialiste” me Kryeministër Fatos Nanon.[3] Që nga ajo kohë Shqipëria filloi të liberalizonte tarifat doganore. Deri në vitin 2006 ajo ushtronte kontroll të plotë fizik mbi mallrat. Por pas këtij viti, e veçanërisht me qeverinë “Rama”, kontrolli i mallrave u kufizua. Racionalja pas kësaj politike është se kur ulen tarifat ato shtyjnë autoritetin doganor për të ulur inspektimet, dhe rrjedhimisht, kur ulen inspektimet kufizohen abuzimet. Sidoqoftë, shteti shqiptar ka miratuar disa tarifa preferenciale, kryesisht për armët, lëndët kimike, mbetje etj.[4] Nuk është rastësore që partitë në pushtet, përgjatë fushatës së fundit parazgjedhore, premtonin, midis të tjerash, heqjen e taksës për makineritë bujqësore që vijnë nga jashtë etj. Kështu, zhdoganimet janë përqendruar më shumë te karburantet, cigaret, kafja dhe birra (akciza). Nuk do të ishte e çuditshme, rrjedhimisht, që qeveria “Rama” të përqendrohet te këto katër mallra dhe të rrisë çmimin e duhanit, duke iu përshtatur “kërkesës së BE-së”. Nga rritja e çmimit të duhanit ajo synon rritjen e të ardhurave.[5]

Nëse gjykojmë nga dekada e parë e “demokracisë” parlamentare dhe tregut të marketingut (1994-2005) që u instalua në Shqipëri pas rënies së socializmit, kur në pushtet ishte PS-ja, koha kur remitancat kanë qenë në rritje dhe kërkesa brenda vendit njëlloj, shohim se të ardhurat nga karburantet luhaten nga 322,668 në 326,861 tonë; kafja nga 4,104 në 3,735; ndërkohë duhani është rritur nga 551 tonë në 3,927 tonë dhe birra ka rënë nga 36,905 litra në 20,036 litra.[6]

Kështu, në vend që qeveria të ruante sasinë e karburantit që prodhohet brenda vendit dhe të shtonte rezervat – e ka lënë atë në dinamikën e konsumit të shfrenuar të tregut ndërkombëtar; në vend të zhvillonte industrinë e duhanit, meqënse vendi ynë gëzon kushtet klimatike, ku kemi shënuar rendimente rekord përgjatë socializmit, ai importohet; dhe në vend të zhvillonte birrën për të mbuluar kërkesën e brendshme dhe pse jo, të eksportonte – e importon atë! Në të vërtetë, në sektorin e energjitikës, dy dekadat e fundit, 15 përpunuesit e naftës dhe gazit në Shqipëri kanë qenë të parregulluar me ndonjë ligj. Por qeveria aktuale, në përpjekjen e saj për t’a rregulluar këtë sektor, vendosi “sahate” në vendin e prodhimit, përpunimit dhe magazinimit. Këtë ajo e konsideron ‘kontroll doganor’ meqënse, sipas saj, ‘rrjedhja’ dhe ‘evazioni’ ndodh brenda rafinerive të prodhimit dhe jo nga dy pikat e importit.[7]

Në dekadën pasardhëse, megjithëse të ardhurat nga akciza janë dyfishuar, nga —në milion— 18,523 lekë në vitin 2005 në 39,446 lekë në 2012, të ardhurat nga taksa doganore kanë rënë më shumë se gjysma, nga 13,629 lekë në 6,101 lekë në vitin 2012.[8] Në fjalë të tjera, ngaqë vendi ynë është orientuar drejt shërbimeve dhe prodhimeve financiare, ku konsumohet më shumë karburanti, kafja, birra dhe cigarja, mbi këto produkte është mëshuar nga qeveritë. Sigurisht, nga gjithë kjo sasi, ka luajtur rol vendimtar edhe kontrabanda, abuzimi dhe përvetësimi në nivel ministror, drejtorish dhe doganierësh. Fundja përmes këtyre produkteve elita politike është majmur për 20 vjet me rradhë. Ndërkohë, të ardhurat nga taksa doganore, d.m.th të gjithë ato produkte që konsumohen në rrjetet e supermarketeve, industria, forcat e NATO-s, trupa diplomatike, komisionerë etj., kanë rënë. Dhe janë produktet e supermarketeve që dëmtojnë më shumë bujqësinë dhe blektorinë e vendit tonë, të cilët, bashkë me çmimin e naftës, i cili përcaktohet nga tregu ndërkombëtar,[9] e shkatërron atë.

Por ndryshe nga koha kur PD-ja erdhi në pushtet (2005), kur remitancat ishin konsante dhe kriza botërore nuk kishte shpërthyer ende, një fakt që e bënte Ministrin e Financave, Ridvan Boden, të ngazëllente me ndonjë rritje të përkohshme, sot, PS-ja, përballet edhe me krizën e brendshme (rënien e kërkesës) edhe me krizën e jashtme (mungesën e remitancave). Kështu, në vend që qeveria “Berisha” të luante me avantazhet e ekonomisë sonë — luajti me avantazhet e ekonomive të huaja! Dhe nëse gjykojmë nga “buxheti i vitit 2015” i qeverisë “Rama” dhe tarifat doganore për produktet kryesore (naftën, miellin e grurit etj.), atëherë pritshmëritë bëhen edhe më negative. Në princip ajo kërkon të “ndihmojë” industrinë, blegtorinë dhe bujqësinë, por, megjithëse çmimi i naftës do të ulë koston e prodhimit, dhe disa ndërmarrje do të rrisin fitimet, qeveria “Rama” do t’i ulë ato! Nuk është e rastit që importuesit e grurit kërkojnë nga qeveria “Rama” heqjen e TVSH-së, përtej heqjes së tarifës doganore. Sepse ata kërcënojnë me shtrenjtimin e bukës!

Duhet thënë gjithashtu se Shqipëria aplikon edhe principin e “lirisë së kapitalit”. Ky princip aplikohet sepse aplikohet një princip tjetër politik: “principi i politikave konçesionare”. Dhe janë pikërisht “politikat konçesionare” që imponojnë aplikimin e dy principeve të tjerë: lirinë e kapitalit dhe mallrave. Por, është orientimi i përgjithshëm politik dhe ekonomik, i cili e bën vendin tonë, ose qeveritë përkatëse, që të adoptojnë principin e “politikave konçesionare”. Për shembull, përgjatë krizës dhe qeverisjes “Rama”, 13 banka të nivelit të dytë dhe të huaja, jo vetëm që vjelin fitime marramendëse në tregun e kreditimit, por fitimet i nxjerrin në kohë reale jashtë Shqipërisë.[10] Shkaku përfundimtar i adoptimit të këtyre masave, rrjedhimisht, është orientimi politiko-ekonomik i vendit. Gjithashtu, atje është edhe një aspekt tjetër që imponojnë politikat konçesionare: borxhet që merr një qeveri. Ndryshe nga periudha statiste kur qeveritë merrnin “borxhe” nga Banka Qendrore e një vendi, pa interes, për të investuar në sektorin publik, sot, ato marrin borxhe në tregun ndërkombëtar të marketingut, me interes (!), sipas disa rregullave që janë krijuar si domosdoshmëri e kësaj praktike. Nuk do të ishte e çuditshme që pa mbushur një vit partia në pushtet, rriti deficitin.[11] Shkurt, Shqipëria aplikon lirinë e mallrave dhe kapitalit ngaqë është orientuar politiko-ekonomikisht për t’u integruar në globalizmin neoliberal.

Kur “stanári” nxjerr dhjam nga mashtruesit

Por le të shikojmë shkurtimisht përplasjen e PS-së dhe PD-së rreth ardhjes së Tony Blair: cilët kanë të drejtë? Rama na tha, ndër të tjera, se Tony Blair erdhi me kursimet tij në Shqipëri dhe kostua ndaj shqiptarëve ishte “zero” lekë. PD-ja akuzoi se ai paguhet shumë shtrenjtë për këshillat që jep rreth botës dhe ka rënduar shqiptarët. Toni Blair, në fakt, siç tregojnë raportet,[12] paguhet shumë shtrenjtë për shërbimet që ofron, por…nga korporatat! Pas daljes nga politika, Blair-i ngriti një zyrë për shërbime tregëtare në nivel botëror, siç e imponojnë kohët.

Kështu, ndërsa Britania gjëndet në reçesion dhe shtresa e mesme dhe e varfër është në rrënim të mëtejshëm, zyra e tij ka kryer fitime marramendëse. Dhe, njëlloj si gjithë ndërmarrjet e tjera ndërkombëtare, edhe zyra e Blair u është shmangur pagimit të taksave. Por puna e Blair, ndryshon nga puna që bëjnë ndërmarrjet e tjera ndërkombëtare: ajo ka për detyrë të bind (ose mashtrojë) qeveritë ose udhëheqësit rreth botës për shërbimet që ofron një ndërmarrje tjetër në një sektor të veçantë të ekonomisë së një shteti dhe, krijimin e ndonjë marrëveshje të mundshme.

Në këtë kuadër, Blair-i erdhi përnjimend me kursimet e tij, por merr një përqindje të “kripur” nga ndërmarrja konçesionare që solli. Por këtu lind pyetja: sa mundësi ka një ndërmarrje ndërkombëtare, me origjinë Britanike, të sjellë fitime më të larta për nji vend, kur në vendin e saj të origjinës, nuk e ka bër diçka të tillë? Sepse duhet të themi se edhe Britania aplikon lirinë e mallrave, ndoshta në një shkallë më të lartë se vendi ynë, por, ajo ka dështuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë ekonomike. Në fakt, Britania, meqënse ka qendruar jashtë Eurozonës, ushtron presion në Bruksel mbi lirinë e qarkullimit të njerëzve ose lirinë e punës. Dhe kjo, sepse në Britani, ndërsa propagandohet fuqishëm mbipopullimi i saj, britanikët, sipas sondazheve nuk e mbështesin lirinë e qarkullimit të njerëzve (ose punëtorëve) as drejt vendeve të huaj as drejt Britanisë.

Kështu, Kameron, Kryeministri aktual, duke ndjekur reformat ekonomike liberale të Tony Blair, kërkon të çlirojë të drejtat e punëtorëve dhe shtrëngimet mjedisore. Dhe kjo, në kohën kur rreth 55% e britanikëve, mbështet mendimin se e drejta për të lëvizur lirshëm në BE është e keqe dhe duhet të kufizohet. Dhe kjo, ndoshta sepse është e njëjta përqindje që kërkon të shtrëngojë hyrjen e Rumunëve dhe Bullgarëve qoftë edhe nëse kjo do të thotë se shkelet ligji i BE-së. Në thelb, Kameron luan me doktrinën e Shkollës së Çikagos: ruajtjen e kërkesës në tregun e punës me qëllim që të mbajë rrogat e ulëta! Por, ndërsa ai thërrmon disi lirinë e lëvizjes së njerëzve, duke iu përshtatur edhe elektroratit, ai anon më shumë nga lëvizja e shërbimeve meqënse Britania ka një avantazh krahasuar me vendet e tjerë. Siç citon një kolumnist politik për Financial Times:

Britania është skizofrene me globalizmin. Ajo është çuditërisht, lavdërueshëm e qetë rreth të huajve që blejnë ndërmarrjet e energjisë, aeroportet dhe asete të tjerë strategjikë. Por gjëndja e përgjithshme popullore (dhe si rezultat, edhe politika zyrtare) kundrejt tregut të saj të punës është, dhe atje s’ka fjalë tjetër të mirë, proteksioniste. Politikanët bretanikë mallkojnë Francën për egoizëm dhe pabesi në çështjet e Europës. Por ata kurrë nuk kanë pretenduar të pëlqejnë ndonjë liri tregu që janë institucionalizuar nga BE-ja: mallrat, shërbimet, kapitalit dhe punës. Britania flet për një lojë të mirë rreth liberalizmit por preket nga një nga katër liritë.[13]

 Dhe në Britani është në rritje edhe fryma kundër BE-së,[14] —një BE-je, që ajo vetë i ka qendruar larg në projektin e saj politiko-ekonomik. Sepse Britania nuk ka pranuar të jetë pjesë e Eurozonës, d.m.th ajo nuk përdorë “euro-n”. Dhe kjo, për arsye se urtësia konvencionale sugjeron se kur një vend ruan pavarësinë monetare ruan edhe pavarësinë ekonomike. Por, kjo s’është e vërtetë, sepse me politikat konçesionare që zbaton një vend në kuadër të G/N, siç zbaton edhe Britania, politika monetare s’ka asnjë efekt në tërësinë e ekonomisë reale. Dhe kjo sepse janë braktisur gjithë principet keinsiane që zbatoheshin përgjatë periudhës statiste dhe konsesusit social-demokrat. Nuk do të ishte e çuditshme që David Cameron, Kryeministri Britanik, duke parë rrymën anti-BE, një rrymë që udhëhiqet kryesisht nga partia “UKIP”, në një artikull në Financial Times, argumentoi se do të kundërshtojë “lëvizjen e lirë” në BE,[15] një pretendim që Brukseli ia ktheu me një ‘Jo’ të fuqishme, mbi arsyen se ky princip është një nga principet bazë të Unionit dhe ai është i panegociueshëm![16] Ndërkohë, meqënse “liria e shërbimeve” është themeluar dhe Britania ka avantazhe krahasuar me vendet e tjerë (banking etj.),[17] Tony Blair, ish-Kryeminitri Britanik, krye-mashtruesi i botës së dakadës së parë të mijëvjeçarit të tretë, për luftën në Irak, dhe rrjedhimisht, krye-kriminel, këshillon rreth 20 qeveri në vende të ndryshme të botës për të njëjtin “biznes” duke sfiduar kohët! Siç e vendos vetë ai: sfidimi është sfidimi i efikasitetit: si do t’i përfundosh gjërat?[18] Dhe ai përgjigjet:

…kështu globalizëm, teknologji, demografi do të thotë se këto gjëra duhet të bëhen ndryshe. Kështu programi akademik është një program që lind nga fakti se shkollat e këqija nuk vendosin drejtësi sociale. Dhe nëse shkollat e këqija japin edukim të keq për nxënësit, në një fazë ti duhet të kuptosh se nëse ky është një ndryshim sistemik që nevojitet, dhe i përshtatesh atij. Kjo është ajo që bëhet fjalë. Bëhet fjalë për politikë moderne progresive.[19]

Nuk do të ishte e çuditshme që ndërmarja “Windrush Ventures”, pronari përfundimtar i së cilës është Blair-i, realizoi fitime prej 1,995,000 stërlina vitin e kaluar, me një rritje prej 50%. Ndërmarrja që ofron “shërbime administruese” tashmë ulet mbi 8.8. milionë stërlina dhe punëson 35 njerëz dhe ka një pagë-faturë prej 3 milionë stërlina, baraz me 85,000 stërlina për çdo të punësuar, më shumë se 7,000 stërlina në muaj.[20]Kjo është një rrogë mjaft e majme për kushtet Britanike. Dhe Blair-i kontrollon edhe një fondacion fetar, të cilin e ngriti direkt pas tërheqjes së tij nga politika aktive, me qëllim që të “edukojnë” njerëzit rreth botës për “tolerancë fetare”, sepse, sipas tij, luftrat zhvillohen për arsye fetare dhe kulturore, dhe jo nga fondacionet ekonomike dhe institucionet e globalizmit neoliberal,[21] në të cilin ai luan rol vendimtar, një fondacion që është shpërhapur në rreth 20 vende, dhe me një buxhet prej miliarda stërlinash.[22] Tashmë biznesi i tij është shtrirë në Lindjen e Mesme, i cili përfshin një kontratë për të këshilluar “Mubadala”, një ndër “fondet sovrane” më të mëdha të Abu Dhabi-t. Dhe Blair-i, ndryshe nga Brown, ish-kryeministri Britanik, përvetëson jo vetëm rrogën e deputetit, por edhe të kryeministrit. Siç citon një kolumnist: ndërsa Blair është i pashqetësuar, i etur të bërtasë rreth të ardhmes së Lindjes së Mesme — kur të tjerët qendrojnë të rezervuar, nga fakti se si gjërat shkuan në Irak – Brown është paraqitur më fjalëpak.[23]

Për më shumë, Blair është emëruar nga “JPMorgan Chase”, një konglomerat dhe fond gardhonjës amerikan, që ofron shërbime bankare dhe financiare rreth botës, përgjegjës për mashtrim, korrupsion dhe krijimin e skemës më të madhe në botë, “ponzi”, si këshilltar në pension, ku përvetëson 2 milion dollarë në vit.[24] Siç e vendos një ish miku i tij dhe autor i librit “Fatherland”: ‘Blair është një “narcist” me një “kompleks mesie’ i cili i ktheu shpinën Britanisë dhe bredh me amerikanë të pasur. Kush do t’a besonte se ai do të bombardonte popujt dhe do të bëhësh kaq pasionant për të bërë pará’.[25] Në fjalët e një komentatori liberal: ‘Blair mishëron korrupsionin dhe luftën. Ai duhet të zhduket’.[26] Në fjalë të tjera, Blair-i, në njërën anë pohon se shkollat në vendin e lindjes janë të këqija dhe dikush duhet t’i përshtatet sistemit, sigurisht, duke e shfrytëzuar atë, dhe në anën tjetër, ngre shkolla fetare rreth botës, me qëllim që të “edukojë njerëzit” për “tolerancë fetare”, duke çorientuar shkollarët nga shkaqet e vërtetë të krizave. Kjo, sipas tij, është “politikë moderne progresive”! Është e tepërt këtu të zgjerohesh mbi faktin që Blair ka bashkëpunuar, sipas një hetimi njëvjeçar të HRW, me qeverinë e Presidentit Mohamed Morsit në Egjipt, në protestat e Gushtit të vitit 2013, ku janë vrarë nga forcat e sigurisë “sistematikisht dhe qëllimisht” një numër i madh protestuesish të cilët mblidheshin në sheshin Rabaa al-Adawiya të Kajros![27]

Përfundimet

Është e qartë se nuk bëhet fjalë se korporata që solli Rama do të rrisë efiçencën dhe të ardhurat për qeverinë, as se dje ajo ishte në “listën e zezë”, siç argumentoi Berisha, por se si do të mbijetojë ajo në një treg të globalizuar, me qëllim që të pasurohet më shumë Blair-i me “zotërinjtë” që e rrethojnë. Sepse edhe nëse pranojmë se doganat tona kanë probleme dhe abuzime, sërish pyetja që ngritëm më lartë, d.m.th. se si ka mundësi një vend që ka dështuar ekonomikisht të “ndihmojë” një tjetër, s’merr përgjigje.

Kështu, doganat do të siguronin të ardhura për një qeveri vetëm nëse ajo ndryshon orientim politiko-ekonomik dhe trajinon analogjikisht personelin në dogana. Nëse ajo dominohet nga importet, siç dominohet Shqipëria, oligopolet gjithnjë do të kërkojnë favore në dogana. Për shembull, nga ulja dhe heqja totale e tarifave deri tek eliminimi i plotë i kontrollit fizikë të mallrave. Në kushtet aktuale, dhe me politikat që po ndiqen nga qeveria “Rama” për t’u integruar edhe më shumë në BE, raporti import-eksport, nuk mund të përmbyset. Kjo s’do të thotë, sigurisht, se me përmbysjen e këtij raporti, doganat do të rrisin automatikisht të ardhurat. Thjesht, në rastin kur përmbyset ky raport, dominojnë oligopolet vendore sesa të huaja. Por, në rastin e Shqipërisë, oligopolet administorhen kryesisht nga të huajt. Kjo do të thotë se çdo vendim për përmbysjen e këtij raporti do të dëmtojë oligopolet e huaja. Rrjedhimisht, është e qartë se problemi është kryesisht strukuror sesa administrativ. Përdorimi i një ndër principeve të OBT-së, “avantazheve” tregëtare, në këtë kuadër, humbet rëndësinë e tij. Sepse “avantazhet” i (para)përcaktojnë oligopolet. Edhe nëse pretendojmë të përmbysim raportin e oligopoleve të huaja me vendorët, sërish, do të jenë oligopolet që do të përcaktojnë “avantazhet” ekonomike…

 

[1] Shih për më shumë, Ylli Përmeti, FMN dhe Banka Botërore: organe të globalizmit neoliberal dhe Juntave parlamentare

[2] General Agreement on Tariffs and Trade, Wikipedia.

[3] WTO, Members.

[4] Administrata Doganore Shqiptare, Kreu, Biznesi, Mallrat, Ndalimet dhe Kufizimet.

[5] Kufizohet importi i cigares, sa të hyjë në fuqi akciza e re, Shqip, 12 Tetor 2014.

[6] Gazeta politika, javore, 17-23 mars 2006, f, 35, tabela 1.

[7] Sahate në çdo pus prodhuesve të naftës, Shqip, 24 Janar 2015.

[8] Ministria e Financave, Relacioni i projektit të buxhetit 2013 (word), f, 28.

[9] Shih për më shumë, Ylli Përmeti, Globalizmi neoliberal, Amerika dhe Rusia.

[10] Bankat e nxjerrin valutën jashtë shtetit, Shqip, 24 Maj 2014.

[11] Më pak para nga emigrantët, rritet deficiti, Shqip, 10 Gusht 2014.

[12] The £12m tax mystery, Dailymail, 9 January 2012.

[13] The paradox at the heart of Britain’s EU posturing, Janan Ganesh, FT, October 28, 2013.

[14] Shock four-country poll reveals widening gulf between Britain and EU, The Observer, 1 December 2013. Opinion found that just 26% of British voters regard the EU as, overall, a “good thing” compared with 42% who say it is a “bad thing”. In Poland 62% say it is a good thing and 13% bad; in Germany 55% good and 17% bad, and in France 36% good and 34% bad.

[15] Free movement within Europe needs to be less free, David Cameron, FT, November 26, 2013.

[16] Brussels slaps down British threats to rewrite immigration rules, The Guardian, 12 January 2014.

[17] Shih për më shumë, Ylli Përmeti, Sekreti i financës së globalizmit neoliberal dhe koncepti i ri i shpëtimit të bankave.

[18] Tony Blair: How I became Prime Minister of the world, The Independent, 28 October 2013.

[19] Po aty.

[20] Tony Blair businesses amass £13m cash after surge in profits, The Guardian, 5 January 2014.

[21] Shih për më shumë Ylli Përmeti, Pushteti, lufta e përhershme e elitave dhe islamofobia.

[22] Religious difference, not ideology, will fuel this century’s epic battles, Tony BlairThe Observer, 25 January 2014.

[23] Gordon Brown is back, and may be the man to save the union, The Guardian, 27 June 2014.

[24] Suicides of Bank Executives, Fraud, Financial Manipulation: JPMorgan Chase Advisor Tony Blair is Not Involved, Prof Michel Chossudovsky, Global Research, February 14, 2014.

[25] Tony Blair a ‘narcissist with a messiah complex who abandoned Britain to hang out with rich people in America’, The Independent, 04 June 2014.

[26] Blair embodies corruption and war. He must be sacked, Seumas MilneThe Guardian, 2 July 2014.

[27] Tony Blair’s Egypt links in spotlight after scathing report on the deaths of over 1,000 supporters of ousted president Mohamed Morsi, The Independent, 12 August 2014.

fb/ylli.permeti

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?