MENU
thesari.com © 2001

Edhe unë si ty, jam i pakënaqur nga ty - Thesari

E Enjte 22 Qershor, 2017
Edhe unë si ty, jam i pakënaqur nga ty

Rama_rilindje_bus

Kur njerëzit të thonin, ...ore shiko se po e dhjet, nuk ta dhamë votën për këto që po bën, por ta dhamë për ato që s'po bën, sepse pikërisht ato që s'po bën na premtove..., përgjigja jote ishte se rezultatet e punës së qeverisë duhet ti shikoni në fund të mandatit. Fundi i mandatit erdhi, dhe rezultatin ti e ke thënë vet me një fjalë - "Pakënaqësi". 

Por ti nuk thua kush është shkaku i kësaj pakënaqësisë tëndë, siç po ta them unë shkakun e pakënaqësisë time. Ti nuk e thua sepse ti bën sikur nuk e kupton atë që është e dukshme, e zhurmshme dhe e prekshme nga të gjithë. Prandaj për mua ti mashtron akoma, sepse ty të duhet të mashtrosh, ngaqë të duhen votat e mia.

Të duhen prap votat e mia, 

... që më zbraze portofolin me administratën tënde politike komplet të paaftë dhe grabitqare, 

... që më mbyte me gjoba të padrejta deri qesharake (mua më kërkoje të mbaja kutinë e ndihmës së shpejtë në makinë, ndërsa spitalet i le pa ilace), 

... që më ngrite çmimin e energjisë elektrike duke më mashtruar se tashti që e pagojnë të gjithë do e ulje, por ndodhi e kundërta dhe jemi akoma pa drita, 

... që më vodhe taksat duke ja dhënë miqve të tu duke filluar nga Tony Blair me Crown Agent që të përlanë 12 milion euro për të konkluduar se në Dogana ka korrupsion, gjë të cilën unë ta thoja çdo ditë pa të kërkuar asnjë qindarkë, por ti s'më besoje mua,

... që më fute në burg se vura një tjegull për të mbyllur vrimën ku më pikonte çatia, 

... që më terrorizove berberin se kishte një palë gërshërë tepër pa faturë, por vet nuk na tregove asnjë faturë se me çfarë e ngrite shtëpinë bunker ku jeton vet, edhe pse na flisje për transparencë,

... që më vodhe prasin dhe spinaqin që mamaja ime shiste në rrugë për të mbajtur frymën gjallë, por atë që ja rrembente nuk e pyete njëherë publikisht sa e kishte pensionin nga Sorosi mamaja që e martoi,

... që më shite gjithë pasurinë e vendit me koncensione që rrezatojnë "grabitje", 

... që më shkatërrove identitetin e qytetit me Rilindjen tëndë Urbane duke filluar nga qyteti i tyt'eti, Durrësi, të cilit i hoqe shatërvanin 80 vjeçar, për ta zëvendësuar me projektin tënd "shesh-besh", me përfitime kolosale për qurravecët e tu në OSHEE, 

... që më le disa fëmijë pa shkollë dhe të tjerët i detyrove të paguajnë tek universitetet e atyre që të lyenin ty fasadën e arsimit të "analfabeteve funksional", 

... që më prishe parqet natyrore për ti kthyer në Luna Park me beton, 

... që më prishe Stadiumin Kombëtar për ta rindërtuar si qendër komerciale ku luhet futboll, 

... që më prishe lumenjtë për të ushqyer miqtë e tu me hidrocentrale,

... që më mashtrove për plehrat duke ma hequr të drejten e referendumit dhe duke mi sjellë në derë të shtëpisë, që unë të jetoj në mes të sëmundjeve, ndërsa ti të jetosh në ajër të pastër në mal duke më parë mua tek mbytem në smog, 

... që më ngrite çmimin e naftës, gazit, ujit, ushqimit, autobuzit, autostradës,

... që kam frikë të hap TV se do të gjej ty në çdo stacion në çdo orë të ditës me një taksë të re ose me një mashtrim të ri,

... që kam katër vjet që të dëgjoj të më thuash së fajin e ka Ujku që çau kopenë, por ndërsa kopesë ti i vure gardhin, Ujkut i hëngre marmalatën dhe e bëre shok dhe sot ai livadhis duke të përqeshur ty që ma mbushe vathën me çakenj më të uritur se vet Ujku.

Dhe mua tashti s'më vjen aspak keq për ty e as për shokët e tu. Se mua më hoqe shpresen e fundit që kisha dhe më binde që gjëja më e mirë që mund të bëj tashti është të heq ty një orë e më parë nga ajo karrike ku të ula, në menyrë që mos i them edhe unë si ty vetes nesër që jam i pakenaqur me vendimin tim... dhe kështu korigjoj gabimin që bëra kur u mashtrova dhe të votova.

Mendimi juaj
27 Qershor, 2017 05:00 UTC
Era
E mjera shqiperi 🤔
Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?