MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Edi kujdes, nuk je pronar i vendit! - Thesari

E Enjte 27 Tetor, 2016
Edi kujdes, nuk je pronar i vendit!

rama-cavo

Letra e profesoreshës për kryeministrin:

I dashur Edi, a e di pse nuk të kanë “duk” punët?

Në tri vite qeverisje "Rilindje" unë gjithnjë kam vlerësuar ato punë që qeveria i ka bërë mirë. Dhe jam e bindur se në vizionin e saj për të bërë punë të "cilësisë së mirë" vendin kryesor e ka zënë dukja. Por gjithsesi është për tu vlerësuar. Unë ju jam mirënjohëse që para shtëpive tona, para shkollave apo universiteteve, nuk "mbijnë" më ndërtime që të fortët i realizonin me paratë e drogës apo paratë e politikës. Unë gjithashtu vlerësoj faktin që energjinë elektrike në pallatin tim nuk e paguaj vetëm unë, por të gjithë. Jam krenare kur sjell vizitorë të huaj që të shikojnë se si po transformohen qendrat urbane. Ju jam mirënjohëse për angazhimin tuaj për të bërë reforma me synimin e funksionimit të shtetit! Dhe këto punë unë i quaj vërtetë të rëndësishme. Por vërej çdo ditë se si edhe ata, që i quanin të tilla punët e mira të qeverisë, sikur kanë ndryshuar mendje. Ata "kazanët" mediatik ose jo, që sipas jush bëjnë "përshesh" gjithcka, duket se kanë më shumë influencë, se sa puna e bërë nga ju. Për mëndimin tim ka disa arsye:

- Së pari: Vizioni juaj për të bërë punë të mira për vendin duket se ka një kahje personale, një vështrim që ju si lider e keni për vehten tuaj dhe punën tuaj. Këtij vizionit Tuaj, i ka munguar ideologjia, i ka munguar fryma, i ka munguar masa. Nëse do kishit patur vizionin ideologjik të së majtës, do ta kishit vënë re se këto punët e mira që keni bërë janë një shinë, shina tjetër është ekonomia, janë xhepat e njerëzve, janë hallet e problemet e akumuluara ndër vite, që u kanë kërrusur shpinën. Por ju keni vendosur të ecni në shinën tuaj. Dhe teksa keni parë shpinën e kërrusur të popullit e keni gjetur më të lehtë të uleni sipër saj, për të parë se si do ndryshojë vendi dhe e ardhmja e "dukjes" së tij. Ajo dukje që për ju përben thelbin e qeverisjes.

Ju do rrisni pagat dhe sigurisht nuk ka shqiptarë që të mos e vlerësojë këtë! Por a ju kanë thënë këshilltarët se a do ndryshojë vërtetë pozitivisht ekonomia familjare e shtresave të cilët do përfitojnë nga kjo rritje? A ju kanë thënë se sa është rritja e cmimeve, rritja e taksave në masë dhe në numër, të cilën do duhet ta përballojnë këto grupe? A ju kanë thënë se ka shumë familje që mbahen vetëm me rrogën e njërit prej familjarëve që mund të përfitojë nga kjo rritje? A ju kanë thënë që një familje me katër persona ku i punësuar është vetëm njeri prej tyre, duhet ta ketë pagën mbi 600 mijë lekë (të vjetra), që të kap minimumin jetik, pale të jetojë mirë?

- Së dyti: Shqipëria është vend i vogël dhe i varfër. Sfida më e madhe juaja do duhej të ishte lufta me varfërinë. Dhe varfërinë e zbusin jo vetëm politikat sociale ndihmuese, por kryesisht nxitja e investimeve në sektorët prioritar. Por ju nuk keni përcaktuar as këta sektorë. A e keni parë se çfarë po i ndodh Malit të Tomorrit? Eshtë shkërmoqur i gjithi për tu bërë gur e për tu shtitur në biznese, që nuk pyesin për vendin, por vetëm për xhepin e tyre. Dhe në këtë Mal punojnë e rropaten çdo ditë pothuaj të gjithë kryefamiljarët e Poliçanit për 2 mijë lek ditën, sepse nuk kanë ku të punojnë? Por nga ana tjetër nuk mund të mos e pranoj se Rilindja urbane e ka urbanizuar vërtetë qendrën e këtij qyteti!

- Së treti: Ju ndjeheni krenar kur krahasoni punët e bëra nga ju me atë banalitet që la pas Berisha. Dhe keni plotësisht të drejtë! Por njerëzit janë të mënçur dhe e shikojnë dhe e kuptojnë dhe e vlerësojnë. Ju vazhdoni tua përsërisni çdo ditë. Kjo i ka lodhur njerëzit. Madje me raste dhe i ka neveritur. Por ju vazhdoni ta bëni çdo ditë! E mbani mënd atë fabulën me ariun? Ariu kishte hequr një ditë gëzofin e vet për të ndihmuar një njeri që e kishte lagur shiu. Dhe pasi e bëri këtë dhe mori falenderimet e njeriut të gjorë, filloi t'ja përsëriste kaq shpesh këtë veprim sa një ditë njeriu u hodh në një pellg me ujë të qelbur dhe i tha ariut: Më shume se kaq do lagesha...?

- Së katërti: Ju jeni mjeshtër i batutave. Unë ju dëgjoj dhe vlerësoj maksimalisht për këtë. Por batutat nuk shkojnë me qytetarin individ. Batutat shkojnë mes të barabartëve. Më ndodh gjithnjë e më shpesh që nuk di të zemërohem apo ta marrë me sportivitet batutën tuaj të hedhur kuturu në mes të njerëzve të thjeshtë. Po si mund tu thuash fshatarëve në Krumë se në vend të shtypit shqiptar u duhet të lexojnë "The Guardian" apo "The Sun " apo "Daily Mail"?? Dhe e thua në një grup njerëzish që të kërkojnë bukë e punë për mbijetesë! Çfarë emri mund ti vë këtij qëndrimi përvecse një cinizëm që shkon me profilin tuaj të një lideri europian, por jo shqiptar? Nga podiumi ku të kanë ngjitur këta njerëz është fare e lehtë t'ua bësh "përshesh" mëndjen dhe personalitetin, por problemi mbetet dhe ata gjithnjë e më shumë do t’ju konsiderojnë të huaj, të largët e të padëshiruar!

- Së pesti: Një qeveri që punon edhe gabon. Por është i fituar ai lider që i njeh gabimet e veta dhe bën ç’është e mundur për ti korigjuar ato. Por ju nuk jeni i tillë! Ju nuk pranoni jo gabime, por as vërejtje. Madje silleni si një fëmijë kokëfortë që kur i thua "mos" ai e bën edhe më keq. Aty ku publiku kritikon më shumë (arsimi, shëndëtësia, koncensionet, Valbona, etj) aty bëni dhe "shfaqje publike" ku dukshëm tregoni mbështetjen tuaj ndaj këtyre gabimeve që njerëzit i kritikojnë. Dhe publiku nuk është Lulzim Basha as opozita që kritikon aty ku nuk është për të kritikuar! Dhe ju i quani kritikët "qentë që lehin" dhe qeverinë si të vetmen që duhet të drejtojë vendin, sepse vetëm ajo e di çfarë duhet të bëjë. Unë nuk jam e bindur në disa raste se Qeveria e di më mirë nga të gjithë se çfarë duhet të bëjë. Por ata që e dinë nuk kanë instrumentet që keni ju, po kështu nuk kanë as mirëkuptimin tuaj.

- Së fundmi: Ju jeni kryeminsitri i vendit, por nuk jeni pronari i saj! Qeveria është drejtuesja e rradhës së popullit, ndaj është shërbëtorja e tij! Kam dyshimin se këto ju i keni kuptuar gabim!

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?