MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Fitore historike?? - Thesari

E Martë 19 Nëntor, 2013
Fitore historike??

AFRIM_KRASNIQI

Të gjitha palët, protestuesit, mazhoranca dhe opozita, media dhe shoqëria civile, - flasin për fitore. Fitore kundër kujt? Kush ishte “armiku”? Kush ishte në garë? A nuk duket një situatë gati surrealiste? Ne kemi një shprehje në shqip: “fitore si e Pirros”....


Sukses protesta rinore?

Po, pjesërisht. Rrëzimi i mitit se askush nuk proteston, se rinia nuk merr përgjegjësi apo se shoqëria jonë ka humbur sensin e reagimit, - provuan se përbën sukses. Një sukses që shoqëritë e tjera ish komuniste e kanë kaluar 10-12 vjet më parë. Tek ne, një dekadë më vonesë, madje një vit më vonë edhe sesa në Turqi! Tani do jetë më e lehtë që protestat jopartiake të bëhen praktike reagimi qytetar dhe kjo nëse vërtetë ndodh, përbën zhvillim pozitiv.

 

Sukses raporti i ri midis qytetarëve dhe pushtetit?

Po, pjesërisht. Çdo vendim pas ditës së sotme do ta detyrojë qeverinë të jetë më transparente, më e hapur, më përfshirëse dhe një pjesë të qytetarëve, - më aktivë dhe të vëmendshëm. Gjithsesi është shpejt për të ëndërruar se kemi forcë qytetare të reagojmë p.sh, me të njëjtën forcë e kurajë kundër murit të korrupsionit politik që pasi na mbajti peng të kaluarën e afërt po na mban peng edhe të ardhmen tonë!
 

Sukses anulimi i projektit për arsenalin kimik sirian?

Për disa po, për disa jo. Publikut i mungoi shansi për tu mirëinformuar dhe debatuar. Alibia se këto janë çështje sekrete janë të denja për regjime të mbyllura apo shtete me mungesë të theksuar të përvojës drejtuese. Publiku ka gjithnjë të drejtë të informohet, fillimisht nga politikanët që e drejtojnë dhe më pas nga media e huaj apo vende partnere me Shqipërinë. Në fund të fundit secili ka të drejtë të gjykojë por unë mendoj se në thelb, edhe këtë herë emocionet fituan mbi logjikën, interesat e politikës së ditës fituan mbi politikën afatgjatë. E drejtë apo e gabuar, koha do ta dëshmojë.
 

Sukses tolerance e qeverisë dhe tërheqja e kryeministrit?

Ka nga ata që e besojnë. Unë nuk bëj pjesë tek ata. Të gjithë prisnim një fjalim? Të bukur në formë apo në përmbajtje? Brenda 60 ditëve ajo prodhoi debat publik te panevojshem në të paktën tre raste: problemi me Turqinë në Kosovë, zgjedhjet në Korçë dhe tani me debatin e papritur mbi armët kimike. Në thelb, mazhoranca dështoi në një konflikt që vetë e krijoi, krijoi një klimë keqkuptimi dhe reagimi të panevojshëm dhe të evitueshëm, vetëm për shkak se mendoi ashtu siç ka menduar çdo qeveri më parë: pushteti ka gjithçka nën kontroll, transparenca është bezdi. “Çuditërisht” 48 orët e fundit më kritikë në media e rrjetet sociale u bënë eksponentët e lartë të mazhorancës sesa kritikët e saj……gjë që krijon minimalisht dyshime nëse kjo klimë u bë krijua për të gjetur stimuluar një vendim refuzues apo për treguar se pushteti i ri është më demokratik e pluralist sesa ai para tij. Unë besoj se midis sjelljes politike të radhës dhe akteve të burrave të shtetit, pushteti zgjodhi të parën. Sepse atë kulturë ka, atë mentalitet ka, atë shkollë përfaqëson. Duke perifrazuar Sharl de Gol, midis “tradhtisë” për elektoratin dhe vendit….qofsha gabuar por u zgjodh e dyta! Të gjithë do jemi më shqiptarë të mirë, më patriotë, etj, vetëm kur të gjithë, me të njëjtin pasion si like-t në FB të respektojmë më shumë ligjin dhe kushtetutën, të drejtat dhe përgjegjësitë, të paguajmë taksat dhe të refuzojmë modelet negative ngado që vijnë, të mos marrim as paguajmë para për vota apo shërbime publike, të mësojmë të dëgjojmë e respektojmë Tjetrin edhe kur mendojmë ndryshe nga ai!...Pra, mbetet rrugë e gjatë!
 

Sukses për opozitën?

Ka nga ata që ende e besojnë. Unë nuk bëj pjesë tek ata. Opozita ende nuk ka mësuar se çfarë ndodhi me 23 qershor. Ndaj në këtë rast opozita kishte vetëm një shans: të kërkonte transparencë. Ajo e kaloi “vijën e kuqe” kur deshi të hynë në protestën e qytetarëve, kur shpalli referendum dhe deklaroi vendimin për aksion politik kundër një projekti me suport perëndimor. Ajo nuk llogariti dot vendimin e paracaktuar të qeverisë për refuzim dhe kështu gaboi, duke nxjerrë në pah krizën e aftësisë së saj për të menduar e vepruar në mënyrë profesionale e institucionale.
Sukses për median? Absolutisht jo. Media ka një mision, të informojë. Media e kapërceu rolin e saj, dhe kërkoi të imponojë një mentalitet e klimë që kishte pak lidhje me informacionin profesional. Ata preferuan sjelljen populiste në vend të paanësisë dhe mirë-informimit. Zgjedhje apo porosi në favor të palëve? Arsyet janë të ndryshme, por në thelb përfundimi i njëjtë: media është e mbetet shtojcë e prapaskenave politike. Me ndonjë përjashtim të rrallë.
 

Sukses për shoqërinë civile?

Një rresht më shumë për CV, asgjë më shumë. Shoqëria civile shqiptare ka pak dallime nga shoqëria partiake, politike, ekonomike, etj. Gjeti “ushqim” nga politika, dhe si në shtator, çuditërisht, edhe zgjidhjen e gjeti dhe e pranoi nga politika. Duke harruar referendumin e 22 dhjetorit, për të cilin patën mbledhur 60 mijë firma.
Çfarë mbetet në fund? Së pati dështoi zgjidhja institucionale. Presidenti mbeti jashtë loje (nuk kishte informacion – u tha), qeveria funksionoi si dy pjesë politike (sipas dy aleatëve), parlamenti mbeti jashtë funksionit të garantit të sovranitetit, partitë nuk arritën të kenë qartësi dhe as vendimmarrje, institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes nuk u pyetën ose u keqpërdorën në një lojë me shumë maska politike. Dhe një “detaj” domethënës: vendimi i kryeministrit ishte personal? Sepse nuk pati as mbledhje dhe as vendim qeverie, as mbledhje dhe as vendim parlamenti, as mbledhje dhe as vendim të Këshillit të Sigurimit Kombëtar?? Në një demokraci funksionale vendimet e mëdha u besohen institucioneve, jo individëve….tek ne ndodhi e kundërta!

Kushdo ka të drejtë të gjejë arsye sonte dhe nesër të jetë i gëzuar apo skeptik me lajmin se “shpëtuam” nga armët atomike! Po nesër, pasnesër, një javë, një muaj, një vit dhe një mandat më vonë? Ngjarjet e fundit kanë një përfundim që pakkush e përmend: Shqipëria humbi shumë në besueshmërinë dhe seriozitetin e sjelljes së saj politike. Shqipërinë e përfaqësojnë politikanët, ata që u refuzuan nga protestat, por që kanë mandatin tonë të jenë zëri e imazhi ynë në botë. Dhe ata dështuan. Premtuan diçka që nuk ishin të aftë ta mbanin. U sollën ndryshe nga çfarë premtuan se do të bënin. Direkt apo indirekt krijuan një konflikt të paqenë dhe me pasoja të mëdha politike në raport me shtetin më të madh pro shqiptar në botën e sotme, SHBA. Humbën besimin se mund të jenë partnerë seriozë dhe se dëshmojnë sjellje e përgjegjësi serioze. Pasojat? Kush e njeh politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare i di, i paramendon. Nuk janë për FB. Por janë të mëdha! Për fajin tonë, vetëm për fajin tonë!

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?