MENU
thesari.com © 2001

Groteskja e një mitingu - Thesari

E Hënë 11 Nëntor, 2013
Groteskja e një mitingu

basha-miting

Me një zë prej qaramani, ku kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u sforcua shumë që ta trashte, por sa më shumë tentonte aq më i hollë i dilte, opozita shqiptare organizoi të parin miting të sajin qysh prej rënies nga pushteti. Nuk dëshiroj të bëj ironi me numrin e pjesëmarrësve, pasi sikur edhe dy veta të dalin në shesh për opozitën për mua mjaftojnë që të respektohen. Prandaj po merrem me anën tjetër të mitingut, ku prej organizatorëve dhe veçanërisht prej atyre që u ngjitën në podium, u tentua të krijohej përshtypja se në Korçë ishte bërë nami. Prej ndonjë folësi nga shoqëria civile ngjarja e Korçës u konsiderua si më e rënda në këto 23 vjet demokraci. Qysh këtu, ky përfaqësues i shoqërisë civile na tregon se standardi i 26 majit 1996 qenka ndër më të mirët aq sa s’bën fajde për t’u treguar me gisht si pikënisja e të gjithë skenarëve të tjetërsimit të votës dhe vullnetit të lirë me dhunë psikologjike dhe fizike.

Gjithsesi, për të mbetur te mitingu, dua të theksoj se ka një moskuptim në këtë mes, ose më saktë, opozita e kupton shumë mirë, por dëshiron që nëpërmjet një propagande boshe të hedhë tymnaja për të mjegulluar realitetin dhe për t’i dhënë ngjyrat e një drame zgjedhore. Po ndalem vetëm tek dy termat e shumë përdorur gjatë mitingut: “dhunim të votës së lirë dhe, manipulim i saj”.

Që të konsiderohet dhunim i lirisë së votës do të thotë që ata studentë u dhunuan psikologjikisht që, ose të votonin për PS-në ose nuk merrnin notë kaluese në provime; ose të votonin PS-në ose humbnin ndihmën ekonomike ndaj familjes së tyre; ose votonin PS-në ose për ndryshe do u hiqeshin të afërmit nga puna. Do do thotë që një votues i opozitës të kërcënohej pranë qendrës së votimit dhe të kthehej mbrapsht pa iu dhënë mundësia që të votonte.

Kur ka manipulim të votës do të thotë që votuesi ta ketë hedhur votën për opozitën dhe numëruesi ta ketë prishur atë dhe të ketë futur një tjetër për qeverinë; do të thotë që komisionerëve të opozitës në qendrën e votimit t’u bëhet presion që të mos flasin për çdo manipulim vote.

E pra, asnjëra prej tyre s’ka ndodhur.

U tha se studentëve iu ble vota, po kush më thotë se këta studentë për cilin kandidat votuan? Cili del garant që ta vërtetojë votën e tyre? Me dhjetëra herë u kemi bërë thirrje votuesve përpara zgjedhjeve të 23 qershorit që t’i merrnin paratë që u ofronte pushteti, por votën të mos ua jepnin.

Dhunim i vullnetit të lirë është pra kur dikush më dikton se për cilin kandidat apo parti të votoj dhe më detyron që t’ia provoj që kam votuar për atë që më kanë diktuar, kundër dëshirës sime. Zgjedhjet në Korçë u konsideruan të qeta nga kandidati demokrat dhe nuk pati asnjë lloj kontestimi prej përfaqësuesve të PD-së, si në qendrat e votimit ashtu dhe te ato të numërimit. Po fundja, si nuk doli një qytetar i zakonshëm i Korçës dhe të thoshte se më kanë ofruar pará në këmbim të votës, që më detyruan të votoj për kandidatin socialist për këtë e atë arsye jashtë dëshirës sime?

Si përfundim, mënyra groteske e paraqitjes së argumenteve nga Lulzim Basha, nuk arriti t’i përmbushë pritshmëritë e demokratëve të mbledhur përpara Kryeministrisë. Kjo protestë, e organizuar shumë keq e në ngutje e sipër, na tregoi se sa shumë po tkurret opozita shqiptare aq sa i jep çdo lloj komoditeti mazhorancës që të qeverisë e qetë e të marrë vendime që me gjasë nuk janë dhe aq popullore. Vetëm një opozitë e kapur prej se kaluarës së saj kriminale dhe e pafuqishme që të shkëputet prej saj, mund t’i bëjë njerëzit aq të vakët e aq indiferentë. Siç u ndodhi edhe me demokratët e Korçës!

P.S. Më bënë sytë mua apo protestuesit Berisha njëra fytyrë i vinte e tjera i shkonte?!

Mendimi juaj
18 Maj, 2018 16:45 UTC
Martin
Akoma shkruan ky Ketri(o)?! Vetem gazetar nuk eshte. Nje sahanlepires qe vetem vrrer vjell dhe analiza nuk duket gjekundi. Plehre.
Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?