MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Kokëdhima trajton vlera, Rama importon plehra - Thesari

E Mërkurë 22 Mars, 2017
Kokëdhima trajton vlera, Rama importon plehra

nertila-selimaj-zgjidhja

Është për të ardhur keq që në vitin 2017 qeveritë tona nuk kanë ende një plan konkret për popullsinë e vet, e cila është po aq e madhe sa brenda kufijve edhe jashtë tyre. Është për të ardhur keq që vende të avancuara kërkojnë të tërheqin sa më shumë të rinj të mirëformuar ndërkohë që vendi ynë i shikon si rrezik për "pushtetin e të fortëve". Është akoma më shumë për të ardhur keq kur pjesë e konsiderueshme e popullsisë tonë emigruese nuk ka as të drejtën më elementare për të ushtruar sovranitetin që i takon, votën. Qeveritë tona preferojnë të mbushin autobusët me mashtrime dhe t’i orientojnë për votime se sa t’i bëjnë ata emigrantë që të ndjehen pjesë aktive e vendimmarrjes në vendin e tyre. Ky është një shtet që i pëlqejnë akoma kukullat e teatrit, ato kukulla marionetë që lëvizen me komandim nga pas kuintave dhe japin shfaqen që do regjisori.

Ashtu sikurse u pretendua që të bëhesha pjesë edhe unë e atij teatri përndryshe do të hiqesha nga puna. Unë e bëra zgjidhjen time! Zgjodha të mos bëja kompromis me parimet që më karakterizojnë, ata vepruan ndryshe! Ky teatër i çuditshëm ku hiqesh nga puna për një status në Facebook ndërkohë që s’kemi një statut partie, kur hiqesh nga puna se nuk bënë like, share, koment për “kryenaltmadhëninë” tone, por merresh me interesa të tjera. E pra ky teatër i çuditshëm duhet të dalë nga skena pa spektatorë dhe plot ushtarë të shantazhuar. Unë jam anëtare e Asamblesë Kombëtare në Partinë Socialiste e zgjedhur me votë dhe e renditur e treta në rang qarku. Nuk futa mik as dhash lekë që të konkuroja, por falë punës së bërë gjatë reformimit të PS-së në Rajonin VLORË-GJIROKASTËR mu dha mundësia të kontribuoja duke shpalosur aftësitë që mu vlerësuan nga vetë asambleja e rajonit, prandaj edhe më votuan.

Jam një qytetare që e braktisa Shqipërinë nga politikat e Saliut. Ika me premtimin se do të rikthehesha me formimin e duhur për t’u bërë oponencë formave totalitare të të ushtruarit të politikës, për të mos lejuar më rrjedhjen e të rinjve në forma masive drejt Perëndimit. Pas vullnetarizmit në strukturat e Partisë Socialiste aplikova dhe fitova një vend pune. Një muaj e gjysmë kohë pune dhe kontrata u shpërbë pa respektuar asnjë procedurë. Në momentin kur jam shkarkuar "me urdhër nga lart", sipas shpjegimit që mu dha në atë moment, i shkruajta kryetarit të PS-së, z.Rama, duke i kërkuar arsyen e kësaj sjelljeje, pa e ofenduar, pa e kërcënuar, pa shkelur asnjë pikë në etikën e sjelljes. Pasi ai më përgjigjet duke më quajtur arrogante e duke konfirmuar në këtë mënyre sjelljen e padrejtë për pushimin nga puna, hapi i radhës që bëri ishte bllokimi në rrjetin social ku po bashkëbisedonim.

Më thoni ju zoterinj, në cilin vend të botës ndodh që një kryeministër sillet pa pikë sensibiliteti kundrejt një qyetari, i cili ka hasur një padrejtësi? Kjo ndodh vetëm në vendet e qeverisura nga totalitarizmat. Ashtu si mua janë persekutuar me dhjetra të tjerë të paktën në qarkun e Vlorës. Këto sjellje nuk na nderojnë, me siguri, por unë i siguroj kryetarin e PS-së dhe të gjithë intrigantëve që e rrethojnë se nuk do të jem e shantazhueshme për as edhe një moment të vetëm.

Ndonëse financiarisht do të kem veshtirësiram, zemrën do ta kem plot mjaftueshëm për të pasur energjinë e duhur për të çuar përpara ato të vërteta që nuk mund të fshihen më. Unë jam mjaft e pasur z.kryetar. Pasuria më e madhe që ju detyrohem gjithë jetën prindërve te mi është shkollimi në një vend ku dje isha emigrante dhe sot u bëra nënshtetase sepse atje vlej më shumë ndërkohë që këtu vlej një hiç para shumë kryetarësh të mbetur në errësirën e injorancës të cilët maten ende me muskujt e krahut. Unë muskuj krahu nuk kam, por ju garantoj që do të qëlloj aq fort me muskujt e zemrës dhe të parimeve të mia saqë të mos e marrë veten për mandatin e ardhshëm asnjë arrogant e intrigant socialist.

Në selinë e PS-së së Vlorës kanë marrë gjithë listën e anëtarësisë dhe e skanojnë duke klasifikuar në grupe se kush është i Ramës e kush i Kokëdhimës. Unë ia kam thënë kryetarit të PS-së Vlorë dhe Ramës në një status se nuk jam as e Ramës as e Kokëdhimës, por e prindërve të mi. Patjetër që në termat e vlerësimit të karrierës mund të konsiderohem “import” i Kokëdhimës me krenari, por me siguri jo në termat e importit të Ramës. Kokëdhima trajton vlera, Rama importon plehra...

Kaq mjafton qytetarë të dashur për të kuptuar se vendi ynë i begatë që fqinjët quajnë Albania, po kalon në Albanistan. Unë e dua Shqipërinë dhe e bëra zgjidhjen time. Zgjodha që të mos jem një aktor pasiv, por një faktor aktiv, duke kontribuar për më të drejtën dhe më të merituarën. Të rinjtë e këtij vendi janë të vetmit trashgimtarë të gjithçkaje dhe historia u takon atyre ta bëjnë. Të tjerë që e pikturojnë apo e shkruajnë le te hapin rrugën dhe të mbajnë gjallë artin sepse edhe për atë kemi nevojë. Në politikë nuk mund të improvizohet. Në politikë duhet të jesh zgjidhja.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?