MENU
thesari.com © 2001

Kritikë kritikëve të qeverisë - Thesari

E Mërkurë 07 Janar, 2015
Kritikë kritikëve të qeverisë

Rama-Meta-Qeverisje-1024x788

Gjëja më e vështirë sot është të mos kritikosh qeverinë. Gjysma e dytë e pushtetit të socialistëve në pushtet po gjen një Shqipëri të gjunjëzuar nga lodhja e pritjes. Më tragjikisht akoma, shpresat kanë humbur nga zbulimi se me këtë farë qeverie, pritja është e kotë. Shumë nga premtimet pompoze që i dhanë tagji galopit triumfal të Ramës drejt zyrës së ekzekutivit, tashmë është bërë e qartë që paskëshin qenë në rastin më të mirë papërgjegjshmëri, në më të keqin mashtrime.

Viti i ri 2015 i gjeti tryezat e shqiptarëve më të zbrazëta. Varfëria e cila po këndon mirë është tashmë e pamundur të stoliset. Nëse pika jote e referencës nuk është qendra e Tiranës, peizazhi që të zinte syri në atë që duhej të ishte një natë gëzimi, ishte trishtues: lagje të tëra të pllakosura nën errësirën e mungesës së energjisë, njerëz të mardhur që ndiznin zjarre rrugëve në temperatura minus, festime të kursyera familjare, një heshtje e zezë pikëlluese në qindra hyrje pallatesh e lagjesh. Qendra ndihme sociale ku shteti të shpërndajë një vakt të ngrohtë a një shtrat për skamnorët janë utopi – një telajo tërësisht në kontradiktë me shfaqjet e neveritshme e mburravece të ministrit të asaj që madje ai e quan “mirëqenie”. Dështimi është fjala e vetme që mund të përshkruajë gjymtyrën sociale e cila në një shtet në duar vërtet të majta duhej të gjeneronte pa pushim – jo fjalë e spërdredhje, por vepra konkrete. Një spekullim i thjeshtë për punësim në Gjermani, mjaftoi për të yshtur drejt porteve qindra shqiptarë në një eksod të ngjashëm me atë të para çerek shekulli. Niveli i pagave dhe pensioneve mbetet i krahasueshëm vetëm me atë të Moldavisë në Evropë, sepse qeveria kujdeset t'i dërgojë paratë që mbledh nga taksat e qytetarëve për të shpërblyer bizneset për shërbime të dyshimta shpesh të panevojshme. Sektori shtetëror ndërkohë vazhdon të jetë i gërryer jo vetëm nga pagat e ulëta, demotivimi i punonjësve e punësimet partiake, por edhe nga mos-pajisja e qëllimshme me logjistikën e duhur apo stafin e domosdoshëm, për t'i lënë hapësirë supremacisë së një sektori privat vetëm një fije më pak rakitik se ai shtetëror.

Iluzioni i rendit dhe qetësisë është një nga pompat më të fryra të propagandës. Kriminaliteti mbetet po aq i përhapur sa edhe më parë. Qytetari vazhdon të jetë i vetëm përballë pasigurisë dhe polici nuk është i kudondodhur për ta ndihmuar atë, por për ta përndjekur dhe gjobitur. Përditë ndodhin vrasje në shproporcion me numrin e banorëve të këtij vendi, grabitjet po ashtu nuk njohin ditë festash. Kjo është normale në një shoqëri në këtë gjendje krize të përhershme ekonomike ku e kanë shtrënguar të mbijetojë. Nëse nuk do të ekzistonte përpjekja manipuluese për ta paraqitur situatën si oaz bilbilash të gjithë do ta mirëkuptonin pamundësinë e policisë për të bërë diçka në këtë skenë tragjike mjerimi. Por ja që supermenët nuk po e justifikojnë dot reklamën që u bëhet në kinema.

Zelli qeveritar, së fundi s'ka dyshim se është fokusuar për ta diskredituar edhe më tej imazhin e shtetit duke e prezantuar atë vetëm si një organ represiv. Si një kërbaç që të ndëshkon nëse ti mundohesh t'u bësh bisht detyrimeve, pagesave a taksave. Nga ana tjetër përballë mungesës së shërbimeve, shteti shfaqet si një justifikator që lan duart kalimthi, që nuk mban asnjë përgjegjësi dhe që jo vetëm nuk vuan asnjë sanksion, por e quan normale këtë padrejtësi. Çdo shqiptar që nuk u përgjigjet detyrimeve kontraktore të energjisë dërgohet fishek në burg. Në çdo rast kur është pala tjetër – qeveria – ajo që nuk respekton detyrimin kontraktor të furnizimit me energji duke lënë në errësirë lagje e qytete të tjera, gjithçka kapërcehet me një “sorry lal”. Të drejtat e tjera, ato civilet janë gjithashtu në një dishezë të rrëpirtë. Liria e medias ndodhet nën mësymje konkrete edhe pse jo të dukshme. Jo më informacion, por informacion të favorshëm. Është vetë produkti që del prej mediave ai që dëshmon se ajo ndodhet nën agresion prej grupit të kanakarëve në zyrën e marrdhënieve publike në qeveri të cilët rreken të maskojnë me teknika groteske gëbelsiane raportimin e të vërtetave të hidhura.

Punësimi? Një barceletë. Njëlloj si qeveritë djathtiste, edhe kjo e sotmja quan krijim vendesh pune, një lloj larjeje higjienike duarsh që nis e mbaron me fërkimin e kokës së bizneseve dhe pagëzimin e tyre si “bletë e artë”. Mesazhi është i qartë: këta janë të dobishmit e shoqërisë, të tjerët janë parazitë.  Edhe në rastin e atyre që e kanë në punë, peizazhi është i zymtë. Punëtorët shtypen barbarisht në këtë vend. Ajo që duhej të mbronte interesat e tyre, qeveria, nuk është aty përkrah tyre ndërkohë që kjo ndodh. Kryeministri më së shumti krekoset përkrah (skllavo)pronarëve teksa inspekton si oficer kuesture salla pune të detyrueshme ku shqiptarë kokëulur i nënshtrohen kërcënimit të zgjedhjes mes shfytëzimit dhe urisë. Kontratat kolektive – për çfarë po flisni ju lutem? Inekzistenca e një mjedisi për gjallimin e lëvizjeve sindikale është shndërruar në një nga atraksionet vendore me të cilat kryeministri “socialist” marketon avantazhet tona turistike tek vizitorët e huaj.

Nuk ka një drejtim të vetëm të veprimtarisë së qeverisë që nuk mund të kritikohet aktualisht në Shqipëri. Njerëzit po shohin se pikërisht ato që qeveria sforcohet t'i shesë si suksese të padiskutueshme janë në të vërtetë prova të gjalla të dështimit të saj katastrofik. Shprehja e parë e Edi Ramës ditën e mbërritjes në pushtet ishte: “Puna e opozitës është fjala dhe fjala e qeverisë është puna”. Tani, kryeministri e kalon kohën o duke kaluar në revistë ç'kanë bërë privatët, o duke u marrë me fjalë si adoleshent brenda botës virtuale ku duket se ai jeton me iluzionin se ajo është bota reale.  Një botë e kollajshme ku për dështimet e tua ka përherë një shkaktar jashtë teje. Po. Është e vërtetë. Në dimrin e këtij fillim 2015-e, të mos e kritikosh qeverinë, është me tërë mend e pamundur.

 

***

Tregu i kritikës është ndërkohë i mbipopulluar këtu tek ne. Kushdo e ka një llaf kritike ndaj qeverisë. Madje edhe vetë njerëzit pranë saj nuk duan ta humbasin trenin duke synuar që përmes komercializimit të kritikës, të nxjerrin sadopak përfitim në horizontin e kohërave me stuhi që mund t'ia behin. Ekziston edhe një përpjekje tinzare për inflacionim të kritikës, humbje të vlerës përmes shndërrimit të saj në një sport popullor ku për shkak të zhurmës së përgjithshme të mos zërë vend asnjë mendim me dobi.

Një kritikë nuk është thjesht kritikë por edhe një informatë. Ajo na flet shumë për koordinatën sociale dhe politike të atij që e formulon atë. Këtu do të mundohemi të përshkruajmë aspak mendimet konkrete apo listën e kritikave që mund t'i bëhen qeverisë, por metodologjinë e tyre, teknikën sesi një kritikë e mirëfilltë dhe efikase mund të ndërtohet ndaj saj. Por më parë, le të shohim se si aktualisht funksionon kritika ndaj pushtetit tek ne.

Ka sot tri mënyra sesi mund të artikulohet kritika e situatës ku ndodhemi. Kritika e parë është ajo më joseriozja. Ajo shënjestron personat por jo sistemin. Kjo lloj kritike bazohet mbi premisën se konteksti shoqëror, politik dhe ekonomik mbi të cilën po operon sot qeveria në Shqipëri është ai i duhuri. Çka mungon sipas saj është virtuoziteti teknik i zbatuesve. Kjo kritikë nuk e sheh problemin e varfërisë, mungesës së shtetit social, punësimit apo rendit si një produkt i sistemit të ekonomisë së tregut së cilës i mëshohet sot aq fort nga qeveria. Për të, fajin pse gjërat nuk ecin nuk e ka sistemi por aplikuesit e tij, pra emrat, individët. Artikuluesit e kësaj lloj kritike janë kryesisht partiakë apo njerëz të afërt me partitë e djathta që tani janë në opozitë.

Shikoni konferencat për shtyp apo ligjërimin e tyre publik. Klisheja e dikurshme “Fajin e ka Saliu” është kthyer mbrapsht pa asnjë vështirësi duke e adresuar gjithë ngarkesën e problematikës tek zoti Rama apo emrat përreth tij, tek deputetët me të kaluar kriminale, tek drejtorët e korruptuar apo me precedentë, tek ministrat e paaftë, etj. Duke e ridikulizuar kështu dhe zhveshur nga çdo fije serioziteti kritikën që mund t'i bëhej situatës e duke zhdukur çdo lloj perspektive për zgjidhjen, ata shërbejnë si një lloj sigurese. Si një garanci se sikurse kurrgjë nuk ndryshoi me rotacionin e dy viteve më parë, edhe në rast përsëritjeje të rotacionit ndryshimi do të jetë një zero me xhufkë e shumëzuar me emrat e rinj të “shpëtimtarëve” që vetëofrohen si zgjidhje.

Kritika e dytë është ajo në dukje më naivja por njëherit, më djallëzorja. Ajo e përqendron sulmin e saj mbi sistemin duke u munduar të nxjerrë të larë personat e përfshirë në implementimin e tij. Në vetvete ajo manifestohet si një lloj kritike e detyruar prej errupsionit të herëpashershëm të skandaleve qeveritare apo pasojave shpesh tragjike të keqqeverisjes. Për këtë arsye ajo synon të kryejë një ndarje anatomike midis fatalitetit teorik, të pakapshëm dhe të pashpjegueshëm të një sistemi që prodhon vetëm fatkeqësi nga njëra anë dhe nga ana tjetër teknicienëve të tij që vazhdimisht synohet të shtyhen prej kritikës, së paku në periferinë e mbrojtur të rrebeshit.

Ku i gjejmë artikuluesit e kësaj kritike? Oh, ata janë të shumtë dhe të kultivuar me kujdes. Kritizer sistemi është sot vetë deputeti socialist që shtiret si “zë kundra” brenda partisë duke u munduar të adresojë probleme të cilave duhet t'u vënë gjoksin ata “të tijtë”. Kritizer i këtij kallëpi është edhe simpatizanti i pushtetit i kamufluar si gazetar. Ai jo vetëm trafikon me lezet në çdo rast që i jepet klishe për ndershmërinë e iks-ministri, për përkorjen e atij tjetrit në dasëm, apo fajësinë naive pra të falshme të iks-ministri tjetër. Ky kritizer jo vetëm maskohet herë si komentator me pseudonim, ose infermiere seksi e turnit të tretë. Ai është një specie e përhershme edhe në studiot e debateve në prajm tajm. Në momentet e rralla kur nuk e harxhon kohën e çmuar televizive për debat shterp konjukturash partiake, ai trash zërin sikur po e vë me shpatulla për muri të ftuarin e tij qeveritar apo kryeministër teksa i ankohet për aksh fenomen. Si rastësisht, në fund të retorikës përherë qeveritari del nga situata me një përshkrim të sistemit, të trashëgimisë së tij ose të imponimit ndërkombëtar. Të gjithë dalin të fituar nga ky shkëmbim i lëngshëm favoresh: gazetari fiton kredite rezervë profesionisti të pakompromis, pushtetari ezauron situata të sikletshme të cilat në një mjedis të pafavorshëm do t'i kryenin atentat politik.

Ku e gjejmë tjetër këtë lloj kritizeri? Ai vesh bluzën kullere të aktivistit, lidh shallin tekstil palestinez të protestës, citon batuta të qëmtuara në google nga Marksi, Valter Benjamini ose deri Hegeli dhe shtiret se po punon për revolucionin në ilegalitet. Për këtë kritizer që e kupton Çe Gevarën vetëm si një masë flokësh, gjithashtu, Rama, Veliaj dhe këshilltarët e tyre nuk duhen parë si artizanë të së keqes por si vegla të verbra në duart e historisë së marrë peng nga e keqja e sistemit kapitalist. Këta kritizerë madje nuk mungojnë as ta shprehin me vepra devocionin e tyre tek kauza. Ama në këtë sektor me zarar befas kritika nuk adresohet më tek personat jo e jo, por as tek vetë sistemi. Kritika këtu zë e bëhet kritikë incidentale, kritikë transaksioni: nuk jemi dakord me këto tarifa (pra nëse ato janë të tjera, ne jemi dakord), nuk jemi dakord me këtë trajtim ndaj kësaj çështjeje (pra nëse e trajtoni më butë do të zbutemi dhe ne), etj etj. Në fund, ajo që mbetet është një vërë në ujë si dhe injeksioni jetëdhënës që u ngul me dashamirësi në tulet e shokëve të pushtetit. Ata e hodhën edhe këtë hendek teksa njerëzit e shfrynë dufin në një valvul që atyre iu servir kaq e drejtë, kaq kull, kaq e kuqe.

***

Por a mund të ketë një kritikë autentike dhe serioze mbi këtë rrjedhë ngjarjesh që duket se rrezikojnë sërish të na reduktojnë të gjithëve në pësues për të kushedisesatën herë, pa nxjerrë kurrë një mësim?

Mënyra e vetme sesi mund të kritikohet sot me ndershmëri dhe seriozitet pushteti i degraduar në një spirale terrorizmi ekonomik, manipulimi dhe represioni mund të jetë ajo që denoncon pa mëshirë të dy elementët e së keqes: si sistemin që gjeneron këtë frenezi çnjerëzore, ashtu edhe zbatuesit e tij të zellshëm, demiurgët e tij. Ata të cilët kanë emra, fajësi personale dhe veprimtari publike. Vetëm duke e refuzuar në tërësi këtë kombinim rrethanash dhe individësh, pa e pranuar kompromisin as me të parat e as me të dytët mund të arrihet sot të shënjestrohet mu në zemër vatra e infeksionit. Në çdo rast tjetër, do të kishim të bënim në mos me një bashkëpunim të qëllimshëm në faj, në një paaftësi për të rrokur përmasën e vërtetë të së keqes. Një problematizim i tillë dialektik i cili nuk do të kursente as vetë artikuluesit e vet, është i vetmi që mund të sjellë për herë të parë atë shërbim që aq shumë u mungon përgjigjeve tona deri tash të gabuara. Ajo mund të ofrojë pyetjet e duhura për këto përgjigje. Fajin nuk e ka thjesht Rama. Fajin nuk e ka thjesht sistemi. Fajin e ka Rama, Berisha, Meta e të tjerët të cilët i pjell, mirëmbajnë e mund të funksionojnë vetëm në një sistem ku të pasurit pasurohen dhe të varfrit veçse varfërohen dhe ndëshkohen nëse e refuzojnë këtë fat. Tani e dimë se ç'kanë ndër mend e kujt i shërbejnë ata që kinse kritikojnë njërën përmasë të së keqes duke konservuar tjetrën. Shkulja e tyre nga rrënjët mund të vlejë vetëm nëse marrin me vete edhe humusin ushqyes ku vegjetojnë. Çdo devijim e vonesë na ngarkon të gjithëve me përgjegjësi.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?