MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Kuvendi nuk mund të jetë "Opinioni i Fevzos" - Thesari

E Mërkurë 27 Nëntor, 2013
Kuvendi nuk mund të jetë "Opinioni i Fevzos"

bode_berisha

Ka pasur një shkëmbim replikash dje në Kuvend mes ministrit të Financave Shkëlqim Cani dhe paraardhësit të tij në atë zyrë Ridvan Bode. Shkëlqim Cani nisi të lexojë se si paraardhësi i tij kishte akorduar në kompani të favorizuara prej Bodes shuma të rëndësishme parash, në miliona euro, në ditët e fundit të qeverisjes së demokratëve. Këto lloj akuzash nuk janë shaka, aq më pak kur bëhen nga njeriu më i rëndësishëm pas Kryeministrit në një qeveri, nga ministri i Financave, personi që ka çelësat e “qypit me m…jalt” në Republikën tonë. Nëse akuzat e Canit ishin të rënda dhe të papritura, kundërpërgjigja e Bodes ishte mbresëlënëse: Ja ku më keni, më hetoni.

Ishte ndoshta batuta dhe fjalia me më shumë kuptim në të gjithë atë shkëmbim akuzash e kundërakuzash. Një ish-ministër Financash demokrat, me një fjali të vetme na tregoi të gjithëve, përfshirë dhe ministrin socialist të Financave, se si në fakt duhet vendosur shteti ligjor. Askush nuk mund të thotë se Bode nuk kishte të drejtë, përkundrazi ai pati aftësinë të kanalizonte në rrjedhë logjike debatin e mbushur me akuza dhe demagogji. Nëse e shikon ftohtë të gjithë atë që ka ndodhur dje mes Bodes dhe Shkëlqim Canit, natyrshëm lind një pyetje: Ministri Cani, është kronikan i shkeljeve dhe korrupsionit, është vëzhgues i tyre, apo është funksionar i lartë publik që e ka për detyrë t’i japë drejtim ligjor cilësdo shkelje që konstaton? Nuk do mend që është funksionar publik dhe si i tillë ka vetëm dy pritshmëri mbi të: 1. Të na tregojë se si dhe kur ka futur në kanale ligjore të hetimit të shkeljeve që ka konstatuar. 2. Të na njohë me situatën, problemet, vështirësitë dhe nëse ka edhe sukseset e punës që është duke bërë sa i përket administrimit financiar në këtë vend. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të jetë kurrsesi “Opinioni i Fevziut”, arenë debati në hava dhe inflacion akuzash e kiametesh mes njerëzve që denoncojnë bëmat e njëri tjetrit. Ka vetëm një rrugë të thjeshtë për tu matur gjërat: Nqs Bode ka kryer krim, duhet të ndëshkohet.  Retorika në parlament është një humbje e lodhshme kohe për të gjithë tashme. Nëse mazhoranca do vijoje lështu, me denoncime krimesh pa ndeshkim, shumë shpejt, akuzat do humbasin vlerën.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?