MENU
thesari.com © 2001

Lëndët kimike në Shqipëri dhe (b)analistët - Thesari

E Enjte 21 Nëntor, 2013
Lëndët kimike në Shqipëri dhe (b)analistët

fatos_lubonja

Është thënë shpesh se Masmedia është një pushtet i katërt dhe se misioni i saj është përhapja e fjalës së lirë dhe ndikimi në demokratizimin e vendit. Me gjithë respektin që kam për rolin e medias, më duhet të pohoj se kjo është një broçkull e madhe. Mediat janë biznese, si gjithë bizneset e tjerë dhe ngritja dhe mbajtja e tyre ka si synim parësor fitimin material. Siç thoshte Presidenti i Shoqatës Amerikane të Botuesve, z. Ëilliam A. White, “Biznesi i shtypit është një biznes dhe asgjë më shumë”.

Vartësia e mediave nga përfitimet u provua, pak a shumë, edhe në këtë rast. Kur u mor vesh se po diskutohej rreth sjelljes së Lëndëve Kimike në Shqipëri, media në përgjithësi dhe TV në veçanti mbajtën qëndrime të ndryshme. Një media serioze duhej të përqendrohej në dy drejtime kryesore: në sqarimin e asaj rreth të cilës po diskutohej mes qeverisë shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar dhe, nga ana tjetër, në sqarimin e opinionit publik nëpërmjet përgjigjeve për pyetjet të tilla, si: Çfarë janë LHL-të, si ruhen dhe transportohen ato, si çaktivizohen, cilët janë rreziqet gjatë ruajtjes, transportimit dhe çaktivizimit të tyre, sa është mundësia e ndodhjes së incidenteve të rrezikshme dhe cilët janë shembujt nga bota etj. Për të dhënë shpjegime, studiot televizive duhej të dominoheshin nga ekspertët kimistë, historianët ushtarakë dhe këshilltarët e sigurimit kombëtar pranë Qeverisë dhe Presidencës (nëse ka të tillë).

Po, çfarë ndodhi në fakt? Studiot televizive, sidomos ato që kishin humbur lidhjet me qeverinë e larguar e, rrjedhimisht, edhe me kanalet e rrjedhjes së parave në llogaritë e tyre bankare, u mbushën me po ata individë që i kemi parë të analizojnë edhe ekonominë, edhe blegtorinë, edhe letërsinë, politikën, fenë, moralin, drejtësinë, mjekësinë, arsimin, e kështu me radhë.

Qysh nga klounë që drejtojnë emisione vulgare humoristike në TV e deri tek disa “analistë universalë”; nga analistë e botues që kanë pasur privilegjin të mbajnë nga dy emra, njërin në regjistrat e Gjendjes Civile e tjetrin në regjistrat e Sigurimit të Shtetit, e deri tek ish-punonjës të Institutit të Studimeve M-L, vepra më e madhe shkencore e të cilëve është një fjalor pornografik. E gjithë kjo shpurë u vërsul dhe vazhdon ende përpjekjet për të bindur popullin se, në fakt, kishim të bënim me një helmim masiv që kryeministri i vendit po luante në prapaskenë me të huajt.  Këta të huaj ishin amerikanët dhe “komploti” ishte shumë i rrezikshëm për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve, madje edhe të fqinjëve.

Specialistët e thirrur ishin të pakët dhe iu lihej shumë pak kohë për të belbëzuar anët teknike të problemit. Bosëve të medias nuk iu interesonin anët teknike, por ato politike, sepse ato iu interesonin bosëve të bosëve. Prandaj u rithirr në skenë Çilizmi, për të cilin kam shkruar disa muaj më parë. Në atë kohë, çilizmi kishte si mision ruajtjen e pushtetit, kurse tani, që pushteti “kishte shkuar për lesh”, duhej të punonin për “rikthimin e Babës”. Po, si? Duhej bërë çmos që të tmerrohej populli shqiptar dhe të krijohej një histeri kolektive.

Besojnë qerratejt se një  popull i katandisur, edhe me ndihmën e tyre, në 2/3 e tij në analfabetë funksionalë, d.m.th. që nuk kuptojnë ato që lexojnë e dëgjojnë, është një kontingjent perfekt për të luajtur me të.

Kur çilistët e kuptuan se shkuan shumë larg në propagandimin e “komplotit” për helmim të gjithë shqiptarëve, filluan përpjekjet për të na mbushur mendjen se komploti kishte pasur një të keqe dhe një të mirë. Dhe  “e keqja”, sipas tyre, ishte kryeministri ynë dhe “e mira” pala amerikane. Këtu u bë dhe kthesa me përbetime dashurore dhe besnikërie për Amerikën, deri në atë shkallë sa na prekën në telat e skajshëm. Na prekën aq shumë sa na kujtuan fjalët e Mark Tuenit se, “Sa më shumë njoh njerëzit, aq më shumë dua kafshët”.

Në synimet e tyre për të krijuar psikozën e frikës dhe pastaj ndjenjën e revoltës, si gjithmonë, flamurin do ta mbanin faqezinjtë e KLAN-eve (Perandori Mediatike të themeluara dhe modernizuara me burime kriminale parash). Ata sollën në ekrane të stërmëdha dhe moderne harta me shpërthime kimike imagjinare, të cilat do të asgjësonin, jo vetëm popullsinë e RSH, por edhe atë të shteteve fqinj. Pra, nuk bëhej fjalë për incidente si rrjedhje të lëndëve kimike në gjendje të lëngët apo në gjendje të gaztë, por krijohej imazhi i një goditjeje me artileri apo aviacion të predhave të mbushura me helme. Këtë po thurte kryeministri i vendit me amerikanët, ai kryeministër që kishte pasur pafytyrësinë të na largonte Babën nga pushteti me anë të votave.

Po, si e sulmuan çilistët “komplotistin”? Së pari, ata thanë se kryeministri nuk po bën publik asnjë takim, asnjë bisedë dhe asnjë vendim. Kishin shumë nostalgji për transparencën e tipit “Takova këtë e atë, mik të madh të Shqipërisë e popullit shqiptar…Më tha kështu e i thashë ashtu…Unë ju siguroj juuu…”. Mirëpo, më vonë doli se pala kontaktuese kishte kërkuar konfidencialitet të problemit deri sa të vinte puna për të marrë vendim. Madje, ky konfidencialitet ishte parashikuar edhe në dokumentet bazë të OKB që merrej me armët kimike.

Njëri nga çilistët tha i sigurt se “kryeministri e kishte marrë vendimin pro pranimit të mbushjeve kimike dhe se ai vendim ishte krejt privat e personal…”. Nuk e di pse ky analisto-botues më ngjan me zhabat e ish-kënetës së Tërbufit dhe që, sa herë e shoh, e pyes veten: kaq i shëmtuar duhet të ketë qenë Zoti kur e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet? Por, pastaj kujtohem se shkenca njeh, krahas deformimeve të karakterit, edhe devijimet gjenetike që ndodhin tek gjallesat.

Së dyti, çilistët u ankuan se pranimi i sjelljes dhe çaktivizimit të LHL në Shqipëri ulte prestigjin e vendit dhe se Rama ishte thyer për hiçmosgjë. Ata, që në vitin 1991 i puthnin makinën Xhejms Bejkerit (James Baker) për 3 milion dollarë fasule e makarona që kishin mbetur nga Lufta e Gjirit; ata që në vitin 2007 i bënin thirrje Amerikës në gazeta, “Ju lutemi, na pushtoni!”; ata që pushtimet e të huajve i propagandojnë si “kalime të rastit”, si zhvillim apo administrim territoresh; ata që kanë 23 vjet që nuk lënë gjë pa thënë për vendin e tyre tek të huajt, duke e paraqitur si një tokë dhe popullsi të ardhur nga ndonjë planet tjetër, me shpresë se kështu do iu zhvatin ndonjë shumë parash në formë ndihmash, për të mbushur xhepat e vet; ata që nuk e kanë ngritur asnjëherë zërin kundër korrupsionit, plantacioneve të drogës, rikthimit të gjakmarrjes dhe analfabetizmit, katrahurës urbanistike dhe dhunimeve permanente të zgjedhjeve politike, -fenomene që realisht dëmtojnë prestigjin e vendit- këta, pra, na shfaqen tani si kalorësit e prestigjit kombëtar. Vonë, tepër vonë, dhe me një kauzë të rreme.

Analisti universal është më interesanti nga të gjithë. Përpara zgjedhjeve të 23 qershorit ai këmbëngulte se “…nuk duhet ta zëvendësojmë të keqen më të madhe  (Sali Berishën-V.M. ) me një të keqe më të vogël (Edi Ramën – V.M. ) por duhet të presim deri sa të gjejmë të mirën…”, ndërsa tani na thotë se “E keqja më e vogël po na bëhet më e madhe”. Madje, ai arrin deri atje sa të thotë se fjalimi i Ramës ishte ogurzi dhe i kujtoi Hitlerin, i cili për humbjen e luftës fajësonte popullin gjerman. Prandaj, “Në një vend normal do të kërkohej menjëherë dorëheqja e kryeministrit, pasi ai paraqet një rrezik të madh me pushtetin që ka…”.

Pavarësisht se, në pamje të jashtme, hiqet se i dënon të gjitha palët, në thelb thirrja është: “Dum Babën!”. E lexova fjalimin e kryeministrit dhe nuk gjeta askund fajësim të popullit, por thoshte një të vërtetë të madhe, atë se populli ishte mashtruar qëllimisht. Ishte mashtruar rreth rrezikut real të sjelljes dhe çaktivizimit të mbushjeve kimike (dhe jo armëve siç propagandonin çilistët); ishte mashtruar kur i thuhej se vendimi ishte marrë për t’i pranuar dhe ishte mashtruar kur i thuhej se propozimin për pranimin e mbushjeve e dinte vetëm ai dhe askush tjetër, “as të tijtë dhe as opozita”.

Unë bashkohem me analistin universal në refuzimin për të sjellë LHL në Shqipëri, por pohimet dhe konkluzionet e tjera janë shërbime ndaj të pavërtetës. Përdorimi i dy standardeve në gjykimin e të njëjtave sjellje apo veprime është dëshmi e mungesës së vlerave dhe parimeve morale të individit.

Nga këta “analistë” Edi Ramës i kërkohet dorëheqja pse nuk bëri publike një marrëveshje që nuk ishte arritur asnjëherë, ndërsa Sali Berishës nuk iu kërkua dorëheqja për mbajtjen të fshehtë të një marrëveshje të përfunduar me Greqinë. Ramës i kërkohet dorëheqja për një marrëveshje që do të përmbante rreziqe hipotetike, ndërsa Berishës nuk iu kërkua dorëheqja pas një marrëveshjeje reale, që përmbante rreziqe reale dhe që arrinin kufijtë e tradhtisë kombëtare. (Ky analisti universal habitej në atë kohë dhe, nga i njëjti ekran, shprehej: “Ç’është kjo zhurmë për ca peshq!”).

Rama konsiderohet i rrezikshëm, megjithëse iu nënshtrua kërkesës së popullit, kurse Berisha nuk konsiderohet i tillë, megjithëse i është kundërvënë vullnetit popullor me të gjitha mjetet e mundshme, edhe të dhunës.

Rama konsiderohet i rrezikshëm sepse mendonte se mbushjet kimike edhe mund të silleshin në Shqipëri për t’u çaktivizuar, ndërsa Berisha nuk konsiderohet i tillë, edhe pse pati urdhëruar përdorimin e Lëndëve Helmuese kundër popullit të vet.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?