MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Më munde Enver, më munde! - Thesari

E Hënë 28 Prill, 2014
Më munde Enver, më munde!

enver_hoxha_02

Jam ai djali rebel i Tiranës, ai që flokët kërkonte t’i mbante të gjata, që vishte xhinse kauboj dhe dëgjonte Beatles, Queen, Deep Purple, Scorpions. Jam ai djali që emrin s’e kisha Muharrem, Beqir, Mahmut, Qirjako, pavarësisht se babën ma quanin Eqerem. Jam ai djali që ironikisht përdorte epitetin “tirons” për të gjithë ata tip sekretarësh partie që “Mirmëngjes” t’u thoshe “Të na rrojë partia” të përgjigjeshin me dialekte gjithfarësh, teksa të binte rasti të ndesheshe me ta nëpër ndërmarrje apo lagje të Tiranës, në universitete apo në xhiron e madhe, qethur kinezçe dhe me ecje “rruli” (epitet ky për ushtaret e rinj), e që nuk ngurronin të të kritikonin “shfaqjet e huaja”, në publik, me zë paksa të lartë, që të ishin të sigurt që edhe muret dëgjonin. Kanë qenë të neveritshëm! 

Unë jam ai djali që nënqeshja sa herë dilje në tribuna rrethuar nga turma të ekzaltuara. Të kam urryer Enver, të kam urryer. Si një i ri që donte të ish i lirë. I lirë të blinte një makinë, i lire të paguhej aq mirë sa në vendet perëndimore; si unë dhe të gjithë të tjerët. I lirë të këndonte këngët e grupeve më të dëgjuara të kohës, i lirë të bënte ç’të donte: i lirë të shikoja me shumë drita shumëngjyrëshe në Tiranë, më shumë ndërtesa moderne, veshje të kohës, pse jo? Edhe më shumë shalë femrash. Ndaj kur vdiqët ju, nuk derdha lot si qindra mijëra të tjerë, apo miliona. Por u talla nën zë. 

Kanë kaluar shumë vite qysh atëherë. Jam bërë prind, kam makinë dhe shtëpi, kam shumë gjëra, por edhe shumë gjëra më mungojnë. E para më mungon siguria për të ardhmen e punës së fëmijës, pavarësisht pagës që më duhet të paguaj për arsimimin e saj. Më mungon siguria për jetën e saj, për veset që mund të marrë, si droga, bixhozi apo prostitucioni, nga nevoja për të jetuar, në pamundësi të gjetjes së një pune që t’i sigurojë jetesën. E dyta më mungon siguria për punën. Më duhet të laj kreditë bankare për borxhet që kam marrë, por kam frikën edhe të shëndetit. Nëse sëmurem më duhen para: para për sëmundjen, para për edukimin e fëmijës, para për jetesë. Ndaj më duhet të bëj llogarinë se cila kushton më pak: shërimi im, apo vdekja ime, pa marrë mjekime. E treta, më mungon siguria në rrugë: mund të bëhem pre e ndonjë krimi, e ndonjë krimineli. Ky i fundit mund të jetë edhe një prind si unë, që ka humbur punën, apo një i ri që ka mbaruar shkollën. Apo akoma më keq: një njeri që ka humb shpresën tek e ardhmja. E katërta, më mungojnë shokët, kushërinjtë, komshinjtë. Të gjithë kanë ndryshuar, janë bërë si ujqër. Çuditërisht kam dëgjuar se edhe ata këtë mendim kanë për mua. 

Më mungon Shqipëria. Ajo Shqipëri e bukur, e lulëzuar me pyje dhe lumenj të kristaltë, që tashmë duket e ndotur, e qethur, e rruar dhe e kafshuar kudo, me dhembë të deformuar betoni. Më mungon Tirana. E rregullt, me parqe dhe hapësira ku fëmijët loznin para pallateve. Vendin e tyre e kanë zënë ndërtesa shumëkatëshe që ndërthuren me njëra-tjetrën si në një orgji nga ku lindin njerëz të zymtë dhe të shpërfytyruar, me mendjen për të ikur diku larg, larg nga aty. Më mungon drejtësia. Të paudhët shitën gjithçka, vodhën gjithçka, dhe sot quhen politkanë, ose VIP-a. Dhe femrat gjysme të zhveshura që mbajnë mikrofonin si penis në dorë po VIP-a quhen. Dhe gazetarët- shërbëtorë besnikë të kujtdo që paguan, pavarësisht çmimit që sjellin në jete njerëzish si rrjedhojë e asaj që shkruajnë, quhen VIP-a. Ka qindra organizata në mbrojtje të femrave, kundër dhunës ndaj tyre apo fëmijëve, luftës kundër drogës, bixhozit. Ehhhh, sa shumë organizata që ka! E di, dikur s’i kemi pasur këto organizata. Por as problemet. 

Më munde Enver, më munde! Dhe sa herë të shikoj në foto duke qeshur, më duket sikur më tall mua, brezin tim, sikur na ironizon dhe më dhemb shumë. Do të doja të të mundja, të bënim një Shqipëri më të mirë, më të bukur, më të jetueshme se ajo që na le ti, për t’ua lënë fëmijëve tanë. Dhe kështu të vija pranë varrit tënd dhe të të thosha: Të munda Enver, të munda!

Mendimi juaj
29 Prill, 2014 12:52 UTC
fran mataj
kam nje shok nga tirana,inginjer me profesion,i apsionuar pas Enver Hoxhes,per kete vazhdimisht i beje veretje,e dini si me pergjigjet? Me thuaj,cfare bene me mire keta(pas 90) ne keto 25 vjete,keta vec shkateruan, grabiten,ngjallen pasifgurine dhe ngriten nje sitem antivlerash.Ka ardhur koha ti jap te drejte,mikut tim.
15 Qershor, 2014 18:13 UTC
Ajet Delaj
Nje here e nje kohe mbreteronte nje mbret gjaktar qe arrinte deri tje sa nxirrte edhe te vdekurit nga vari. Mirpo nje dite i thote te birit se si do arrish t'me varrosesh me nderimet e nje mbreti kur te vdes. I biri i pergjigjet se po me le mbreterine 6 muaj perpara une do te bie tere popullin qe te te varrose.
Po si i thote mbreti pasi vetem kjo pune nuk behet me hu se duhet ndjenje e dhimbje. Bej keshtu sic te thashe une i thote i biri dhe do te te dergoj ne varr me nderime. Dhe mbreti keshtu beri.
I biri tregohet edhe me gjakatar se i jati dhe jo vetem i nxirrte te vdekurit nga varri por ju ngulte edhe nje hu nga mbrapa dhe i ngrinte ne hu. Populli kur pa keto tha se psk qene i mire mbreti se i biri qenka mut fare dhe kur vdiq mbreti te tere shkuan ne varrim me lot ne sy.
Me kate dua te them se kush i referohet periudhes se Enver Hoxhes si model qeverisje e jetese jane njerz te deshtuar dhe uroj qe kete semundje mos ta kete shoqeria shqiptare.
Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?