MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Monarkët e rinj të Shqipërisë - Thesari

E Premte 21 Prill, 2017
Monarkët e rinj të Shqipërisë

Rama-Meta-Qeverisje-1024x788

Neni 2 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë pohon se "Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit" (pika 1). Por me dashje, falë deformimit të sistemit zgjedhor, kryetarët e partive kanë rrëmbyer të gjithë autoritetin e duhur për të qenë të vetmit persona që  bëjnë listat e ligjvënësve të ardhshëm, pa asnjë proces demokratik, pa asnjë platformë, duke e shndërruar demokracinë në një kujtim të largët të saj. Në këtë mënyrë, sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i ka kaluar monarkëve të rinj të saj, kryetarëve të këqij të partive politike. Ndonëse problemi ynë kryesor janë partitë politike të mëdha, sepse janë ato që menaxhojnë punët e këtij vendi sapo fitojnë zgjedhjet, jo më pak shqetësim si fenomen janë edhe partitë e vogla, që edhe njëzet e pesë vjet pas krijimit të tyre, vazhdojnë të kenë të njëjtët kryetarë, - këto të dytat, edhe biznese private të ishin, në njëzet e pesë vjet, ose do ishin mbyllur, ose do e kishin shtuar aktivitetin e tyre, por ato mbijetuan, falë formulës së famshme: një parti-një anëtar- një kryetar dhe zemërgjerësisë së monarkëve për t'i pasur në oborrin e tyre.

Në fakt, në Shqipëri nuk janë problem ligjet, por abuzimi në emër të tyre. Pushteti i pakufizuar që rrëmbejnë kryetarët sapo fillojnë të forcojnë pozitat në parti i shndërron shumë shpejt, - në mos kanë qenë edhe më përpara, por duke qenë të paekspozuar në sytë e publikut nuk njiheshin, -  në autokratë, fodullë, arrogantë e mendjengushtë, mentalitet e sjellje që i mbartin me vete edhe në zyrat nga ku drejtojnë punët e shtetit dhe, ndonjëherë, sipas tyre tashmë, edhe punët e Ballkanit, të Europës a të Amerikës.

Njëzet e pesë vjet pas "E duam Shqipërinë si gjithë Europa", shumica nga ne kënaqen me "Po kthehemi në Shqipëri kur të bëhet, të paktën, si Mali i Zi". Papunësia, recesioni ekonomik, çmimet e larta të banesave, degjenerimi i arsimit publik, hapja e ndonjë fabrike, përfundimi i disa projekteve rrugore kombëtare të lëna në faza pothuaj përfundimtare janë disa nga çështjet më të rëndësishme që duhej të ishin në qendër të vëmendjes së punës së kësaj qeverie në mbyllje të mandatit, por jo. Edhe ajo pak punë që u bë në përmbushje të premtimeve elektorale nuk zgjati më shumë se gjashtë muajt e parë, ku në fakt edhe në atë periudhë, shembuj u bënë vetëm disa raste njerëzish më shumë se të varfër, disa prej të cilëve përfunduan edhe në mënyrë tragjike. Kryetari i Partisë (Aka Monarku i ri, Aka Kryeministri) dukej i lumtur të jepte vetëm koncesione, si dhe të na ofronte show me takime me disa biznesmenë të vegjël të vetëpunësuar, që secila veç e veç dhe të dyja së bashku nuk kanë asnjë ndikim në rritjen ekonomike të vendit. Kjo është e gjithë politika ekonomike që është bërë në këta katër vjet.

Sipas Ruchir Sharma, një vend ku i vetmi lloj kapitalizmi që lulëzon është kapitalizmi miqësor (koncesionet dhe tenderët i marrin miqtë dhe njerëzit që qëndrojnë pranë kryeministrit) dhe numri i miliarderëve të këqij është në rritje (janë ata që marrin tenderët, por kryesisht ato lloj tenderësh që sjellin sa më shumë fitime me sa më pak investime) pasqyron mangësi në funksionimin e shumë hallkave të shoqërisë. Në këto vende, kultura e biznesit që shfaqin sipërmarrësit fillon e bëhet gjithnjë e më e pacipë, ndërsa kultura e politikës që shfaqin drejtuesit e nëpunësit e shtetit fillon e bëhet gjithnjë e më shumë arrogante, mbushur me ndjenja vetëkënaqësie pas ndenjes për një kohë të gjatë në pushtet dhe, ku të dyja bashkë, kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi, që në rastin më të mirë rregullat mund të shkelen dhe, në rastin më të keq, nuk ka rregulla fare.

Sot kryeministri aktual i vendit po kërkon një mandat të dytë në emër të reformave që ka nisur dhe duhen përfunduar mandatin tjetër. Sigurisht që duhen përfunduar, - nëse ka pasur ndonjëherë të tilla. Gjithsesi, vlonjatët e dinë çfarë po heqin me një pedonale që ka katër vjet që nuk mbaron. Shto dhè, shto gurë është e gjithë puna që po bëhet dhe nuk po i vjen fundi asnjëherë. Sikundër shto dhè, shto gurë kanë qenë projektet e disa prej qendrave të qyteteve, për fat të keq edhe shumë të diskutuara, deri në përmasat e skandalit, sikundër ishte rasti i Durrësit.

Por të gjithë kryetarët e shteteve që kanë qëndruar më shumë se një mandat, punët më të mira i kanë bërë vetëm në mandatin e parë, përfshirë rastin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë që në shumë vende, udhëheqësit kanë qenë kaq shumë të dashuruar me pushtetin dhe ndjenjën se ata ishin e vetmja zgjidhje për ecjen përpara të vendit, sa pas mandatit të parë të suksesshëm, kanë ndryshuar kushtetutën dhe kanë kërkuar një të dytë, të tretë e një të katërt dhe gjithmonë në rënie. Në mos të rrëzuar si diktatorë.

Shembujt janë për të nxjerrë mësime. Për më tepër, mandati i parë i kryeministrit tonë në detyrë asnjëherë nuk arriti në kufijtë e suksesit, përpos atij në planin personal të hapjes së ekspozitave me piktura dhe të mjeshtërisë për t'u shfaqur kudo me një buzëqeshje fallco. Ndërkohë nuk duam më gjasme zgjedhje dhe gjasme zgjidhje. I duhet dhënë fund kësaj butaforie. Stop kërkimit të një mandati të dytë nga i njëjti kryeministër. Një kryeministër vetëm një mandat. Të paktën për njëzet vitet në vijim.

Dr. Valbona Nathanili
Autore e librit "Rruga e mundimshme e shkollës shqipe" & "Ambasadorët tanë"

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?