MENU
thesari.com © 2001

Nuk e kuptoni që jeni bërë vërtet të neveritshëm? - Thesari

E Premte 17 Shkurt, 2017
Nuk e kuptoni që jeni bërë vërtet të neveritshëm?

kuvend-sherr-noka

Unë nuk mendoj se në parlament të gjithë duhet të merren vesh me të gjithë, e të gjithë duhet ti duartrokasin të gjithë kur flasin. Ky lloj kuvendi quhej dikur Kuvendi Popullor dhe kishte këtë harmoni politike kur të gjithë deputetët i përkisnin vetëm një partie. Pra debatet, edhe me tone të ngritura, janë një gjë normale në një kuvendim demokratik burrash e grashë. Kemi parë skena përplasjesh edhe fizike, edhe në parlamente të tjera, nga Greqia fqinje deri në Tajvanin e largët.

Por ajo që ndodh në mënyrë sistematike parlamentin e Shqipërisë ka kohë që nuk mund të quhet më as kuvendim, as demokratik. Seanca e kësaj të enjteje ishte një përfaqësuese dinjitoze e kësaj mizerjeje ku është zhytur parlamentarizmi shqiptar. Ofendimet me fjalë si “debil”, “idjot”, “gore”, “b…le” u përdorën rëndom nga të dyja palët, duke provokuar edhe përplasje fizike, ndërpreje të seancës dhe shmangie totale nga rendi i ditës. Nga ky mjedis askush nuk mund të dalë e të konsiderohet i pastër. Të dyja palët janë kontribues të devotshëm të këtij gjirizi.

Ka dy arsye qe e kanë bërë parlamentin tonë jo vetëm qesharak, por trishtueshëm të padenjë edhe për një shoqëri, ku niveli kulturor lë për të dëshiruar.

Së pari: Deputetët nuk kursejnë më asnjë fjalë ndaj njëri-tjetrit, nga më të ndyrat e ordineret, duke i ngjasuar grupeve të adoleshentëve të rrugës. Nuk e frenon asgjë këtë gjuhë, as fakti se seancat janë në transmetim Live. Nuk i frenon ideja se votuesit e tyre janë duke i ndjekur, madje kjo i frymëzon, pasi militantët mund ti përgëzojnë me të njëjtën gjuhë; “sa mirë ia bëre atij plehrës”, “ç’ja punove atij b…q…”.

Së dyti: Ata nuk shahen mes tyre, nuk përplasen apo përleshen, sepse nuk bien dakord për projektligjet. Debatet mes palëve nuk hapen për çështje parimore, morali politik apo çështje ekonomike. Sherrnajat ordinere lidhen po me akuzat ordinere që ata i bëjnë njëri-tjetrit. Akuza për vjedhje, me apo pa fakte, akuza për dashnore e dashnorë, presione të tipit “mos më bëj të flas se ti e di që unë e di se çfarë ka bërë gruaja jote”. Në ka snjë rast kur palët janë konfrontuar se nuk kanë rënë dakord për buxhetin e shtetit, as sepse nuk kanë qenë të një mendjeje për ndihmën ekonomike të familjeve të varfëra, as për dhënien me koncesion të parqeve kombëtare për hidrocentrale, as sepse kanë patur vërejtje për koncesionet e naftës, shëndetësisë, apo sektorëve të tjerë të ekonomisë dhe shërbimeve që sot janë bërë gangrenë e ekonomisë.

Për të tilla çështje, historikisht, ose të dyja palët janë marrë vesh në heshtje, ose opozita ka bërë oponencë formale e më pas ka lënë sallën për të mos votuar kundër. Në fakt këto do të duhej të ishin çështjet për të cilat palët duhet të përplasen edhe verbalisht apo fizikisht. Por duket se degradimi i nivelit intelektual e politik të parlamentit ka prekur fundin, saqë palët duken si dy grupe tifozësh që mezi presin ditën e ndeshjes që të masin forcën, duke u përleshur.

Eshtë e rëndë të konstatojmë se kemi arritur në atë pikë, ku mund të themi se ata që quhen përfaqësues të popullit, dhe që janë votuar si të tillë, nuk përfaqësojnë popullin, por pjesën ordinere të tij./Opinion.al

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?