MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

"Panairi i dështuar i Punës" - Thesari

E Premte 31 Mars, 2017
"Panairi i dështuar i Punës"

Panairi-Punes-2017

Prej tri ditësh, në katin e parë të Pallatit të Kongreseve po zhvillohet Panairi i përvitshëm i Punës. Ndryshe nga çdo vit, Kryeministri Edi Rama, nuk u paraqit asnjë çast në Panairin e Punës, si për të treguar në fakt se qeveria e tij e ka përmbushur premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës në mandatin e parë të saj, e se 5 mijë vendet e lira reale të punës që ofrohen në panair sipas ministres më të re Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka, nuk dihet kujt dreqin i hyjnë më në punë. Që në ditën e parë, panairi i duk më i zbrazur se kurrë.

Tek-tuk shikon dy-tre studentë në prag diplomimi që interesohen për ofertat e punësimit, e rrallë takon ndonjë të pashpresë se aty do të gjej një punë, megjithëse Olta Xhaçka, në hapjen e panairit tha se do të realizohen 1 mijë punësime të menjëhershme. Kaq vizitor në fakt, nuk i arriti dot as vet panairi. Përfaqësues të kompanive thonë se sivjet gjithçka ishte e vakët. Edhe ata pak vizitorë që duken aty ngurojnë të interesohen për ofertat e punës. Mungoi interesimi i qeverisë, Bashksië së Tiranës, ku jeton edhe çereku i popullsisë së vendit.

Mungoi partneriteti me biznesin si bashkëorganizator. Panairi ishte ekskluzivitet i Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë me institucionin tjetër në varësi të saj, Shërbimin Kombëtar të Punësimit, si për t’i shërbyer ministres Olta Xhaçka, që të promovohej e tja merte dorën punës sa i takon pjesës mediatike. Ministrja Xhaçka përmendi se 80 kompani ofrojnë aq e kaq vende pune secila si bilanci për të plotësuar shifrën 5 mijë. Në fakt, thuajse gjysma e panairit, është e mbushur me stendat e institucioneve shtetërore, si Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Qendrat e Formimit Profesional, Instituti i Statistikave, që thjesht japin informacione.

Nga sa pashë dhe u interesova në panair, të cilin e kam ndjekur çdo ditë nga afër, biznesi fason si përherë kërkonte punonjës me ose pa eksperiencë, duke marrë përsipër koston e trajnimeve, ndërsa paga me normë. Sipas tyre, të punosh në rrobaqepësi ose këpucari, nuk është skllavëri. Dhe arsyeja pse këto punë pranohen vetëm nga gra që jetojnë në pikë të hallit, e po sakrifikojnë për të ushqyer fëmijët, nuk ishte paga, sepse sa më shumë të punosh aq më shumë paguhesh. Po, po, paguhesh në bankë aq sa është paga minimale për privatin 22 mijë lekë në muaj, por që punonjësit në dorë marrin vetëm gjysmën e asaj që i thuhet shtetit.

Në panair mësova se e njëjta gjë po ndodhte edhe me punonjësit e policive private të sigurimit, që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, para se të linte ministrinë, ua bëri të ditur qartë e me të madhe pronarëve të tyre se nuk do të toleroheshin më që t’i paguanin më pak se 30 mijë lekë. Për të qenë në rregull me shtetin, aq po u kalojnë në bankë, por që kompanitë u kërkojnë punonjësve të kthejnë mbrapsht rreth 10 mijë lekë. Shërbimet call-centre, një tjetër dritare punësimi në panair. Kur i pyet të rinjtë a ka realisht vende pune, thonë me dy fjalë: “Po, ka në call-centre, dihet”. Në fakt aty punon një armatë e tërë të rinjsh, të diplomuar në degë të ndryshme, nga ato shkencoret, inxhinieriket e deri të shoqëroret. Nuk gjejnë zgjidhje më të mirë. Diplomat u janë shndërruar në kartona për t’i varur në mure si medaljet e dekoratat. Një pjesë tjetër kompanish si ato të ndërtimit, të mëdha madje, janë në panair thjesht dhe vetëm për reklamë.

Nuk kanë asnjë përgjigje për vendet e punës që ofrojnë. Të evitojnë duke u përgjigjur shkurt: “Nuk jemi të autorizuar të flasim”. Disa stenda janë zënë nga banka të mëdha private dhe spitale jo publike, që paraqesin reklamat e tyre për shërbimet që ofrojnë. Panairi i këtij viti, që përkon me fundin e mandatit qeverisës të Edi Ramës, që mori përsipër punësimin e 300 mijë shqiptarëve, dëshmoi qartazi: që njerëzit, e veçanërisht të rinjtë, e kanë humbur njëherë e mirë shpresën për të gjetur një vend pune, aq më tepër në panair.

Po, po, për qeverinë gjithmonë ka pasur e ka punë, 40 mijë vende të lira rrinë bosh prej kohësh në biznesin privat sepse nuk ka profesionistë. Por, në panair mezi bëhen 500 vende, e ato siç e përmenda më lart në fasoneri, ose call-centre. Ndoshta braktisja e panairit, që u bë pa bujë, lidhet me faktin se qeveria siç edhe ka deklaruar e ka përmbushur premtimin e saj të madh, janë realizuar 240 mijë punësime ka deklaruar ish-ministri Blendi Klosi, pa përfshirë në llogaritje të vetëpunësuarit në bujqësi. Ky ishte panairi më i dështuar i punësimit, sepse më keq se të mos gjesh një punë, është të humbësh shpresën se një ditë do e kesh atë. Unë këtë lexova në sytë e të rinjve që takova aty.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?