MENU
thesari.com © 2001

Pasardhësit e leshtë të popujve të lashtë - Thesari

E Hënë 04 Nëntor, 2013
Pasardhësit e leshtë të popujve të lashtë

lashte

Para nëntëdhjetë vjetësh, kur kalonte pikën kufitare të Tre Urave nga Përmeti për në Greqi, gjyshi im pati një problem me rojat kufitare greke, të cilët do të shënonin kalimin e tij në regjistër. Emri, atësia, mbiemri, e pyetën. Dhimitër Avram Haxhi iu përgjigj gjyshi. Grekët mbetën gojëhapur. Nga emri, i thanë, je grek. Babanë e paske jahudi (çifut) kurse mbiemrin e ke turk. Si ta shkruajmë këtu? Çfarë je ti? Jam shqiptar, tha gjyshi.

Rojat greke nuk kishin faj, se që nga dita e pagëzimit në kishë, u kishin thënë se gjithë Dhimitrat e botës janë grekë, Avramët çifutë dhe Haxhinjtë turq, po edhe pas nëntëdhjetë vjetësh nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh. Edhe sot, në pikat e kompjuterizuara kufitare sipas standardeve të BE-së, punonjësit e shtetit fqinj shqyejnë sytë sikur kanë para ndonjë alien, kur në një pasaportë shikojnë të shkruar: Vendlindja Çamëri. Dhe këtë çudi me elemente kozmike e reflektoi dhe ministri i Jashtëm grek gjatë vizitës në Tiranë.

Në mijëra vjet fqinjësi, dy popujt tanë, herë pas here kanë pasur nevojë të trokasin në derën e njëri-tjetrit për një copë “bukë” apo një copë “psomi” dhe pas kësaj, kanë përjetuar gjithë dashurinë njerëzore të fqinjit, po jo rrallë edhe përbuzjen dhe përçmimin. Grekët kanë një anekdotë që thotë se kur Zoti ndau të mirat e kësaj bote, ata shkuan me vonesë dhe i Plotfuqishmi, i ndodhur ngushtë u tha: “Mos u bëni merak, se juve do t’ju jap pjesën time. Do t’ju jap Greqinë”. Po jo më pak pjesë nga pjesa e Zotit na ka rënë edhe ne shqiptarëve, po ne, si popull më heroik se grekët, i vumë kazmën vendit dhe pushkën vetes, duke realizuar vetëvrasjen më të pashembullt në historinë e këtyre trevave. Pas kësaj, si ritual i vjetër i ndërsjellë, mësymë në derën e fqinjit për një copë bukë. Dhe ata na e dhanë me dashuri... po me një kusht. Të gjithë Veselët të bëheshin Vangjelë. Pra, megjithëse kemi ngrënë bukën e njëri-tjetrit, asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga ngrënia e kokës së njëri-tjetrit, që na ka shijuar dhe na shijon më shumë se buka apo psomia.

Ne jemi mburrur dhe vazhdojmë të mburremi për bashkëjetesën fetare, e cila sipas mendimit tim modest, e ka bazën te mungesa e besimit serioz që kemi pasur dhe kemi ndaj fesë. Këtu, feja e tjetrit pranohet pa probleme me bindjen se edhe ai tjetri si edhe unë, nuk e ka aq seriozisht besimin te feja, po sillet si fetar, se ashtu është trendi i kohës. Kjo shpjegon lehtësinë e ndryshimit të fesë të mijëra e mijëra shqiptarëve në kohën e Perandorisë turke apo të atyre që shkuan në Greqi pas përmbysjes së komunizmit. Si pasojë, nuk ka asgjë të çuditshme që sot shumë priftërinj kanë mbiemra myslimanë, apo anasjelltas. Bile kam bindjen se sikur në vitet ’90, në vend të Greqisë të ishte Turqia një vend atraktiv për emigracionin, mijëra nga ne do të ishin bërë synet.

Po grekët janë ndryshe. Greqia është sot i vetmi vend fundamentalist i Bashkimit Evropian, ku Presidenti bën betimin mbi Bibël para klerikëve të lartë të vendit. Kisha është shumë më tepër se një institucion shpirtëror, madje me ide paternaliste jo vetëm mbi qeverinë dhe popullin e vet, po edhe mbi gjithë ortodoksët rreth e qark. Kjo u vërtetua nga ngjarjet në Kishën e Përmetit, kur më shumë u shqetësua Kisha greke, se ajo Autoqefale shqiptare që me sa duket është gjithashtu greke. Pranimi i këtij roli shumë të fuqishëm të kishës në jetën shoqërore dhe politike të vendit, është çështje tërësisht greke dhe të gjithë janë të detyruar ta respektojnë, por problemet janë të lidhura dhe atë që mbron jashtë juridiksionit të saj kisha greke, e kanë bërë kauzë të tyre edhe shumë qarqe politike greke, duke e vënë veten dhe fqinjët në situata paradoksale.

Për herë të parë në historinë politike, një qeveri dhe një ministër dinjitoz dhe simpatik, patën kurajën të thonë me gjuhën e duhur atë që paradoksalisht, kanë ulëritur turmat amorfe nëpër stadiume. Me këtë qëndrim, Shqipëria dhe shqiptarët nuk bënë thjesht një riformulim të së drejtës së tyre historike, po në radhë të parë bënë një rindërtim të dinjitetit të tyre si qytetarë të Evropës, dinjitet që ishte bërë pluhur nga bandat e njëpasnjëshme që quanin veten qeveri në këtë vend. Do ishte e kuptueshme që një qëndrim i tillë mund t’i përgjigjej një reagim populist stadiumesh nga ana tjetër, po ndodhi më e keqja e mundshme nga përfaqësuesit e fqinjit të lashtë. 23 ish-ambasadorë të Greqisë i shkruajnë një letër kryeministrit të tyre, sikur të ishin 23 vezirë mesjetarë, duke thënë se përkrahin rrugën e Shqipërisë për në BE, por...(!) Kjo letër ishte për Greqinë evropiane, më e rrezikshme se manifestet e Agimit të Artë dhe duhet të marrë të njëjtën përgjigje që iu dha lëvizjes neonaziste.

Çfarë të bëjmë tani? Nga t’ia mbajmë? Si do të realizohet “politika e zero problemeve me fqinjët” që premtoi dhe filloi të implementojë qeveria jonë. Pasardhësit e atyre që i mësuan botës ç’është demokracia dhe ngritën monumentin me emrin NJERI, vënë në pozitën “hip se të vrava - zbrit se të vrava” fqinjin me të cilin kanë ndarë “psominë dhe bukën”.

Kjo është sa banale aq dhe qesharake, siç është në pjesën më të madhe të saj dhe historia e bashkëjetesës sonë mijëravjeçare. Të dyja palët janë mburrur dhe vazhdojnë të mburren për prejardhjen e tyre të lashtë dhe me kombet e tyre të lavdishme. Por, kësaj mburrjeje i ka dhënë përgjigje pa dashje gjuha e perëndishme shqipe. Në gjuhen tonë KOMB do të thotë NYJE dhe nyje do të thotë GDHE. Kështu, e kemi të gjithë të drejtën të mburremi se ne dhe grekët jemi GDHENJTË më të vjetër të Ballkanit.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?