MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Pokeri Putin-Obama dhe xholi Berisha në Tiranë - Thesari

E Mërkurë 19 Shkurt, 2014
Pokeri Putin-Obama dhe xholi Berisha në Tiranë

berisha_o

George Friedman (Xhorxh Fridman) një nga specialistët më të famshëm në shkallë globale për problemet e sigurisë dhe gjeopolitikës bën një analizë shumë interesante të konfrontimit Obama (SHBA)- Putin (Rusi).Artikulli i plotë gjendet në këtë link:

http://www.stratfor.com/weekly/new-dimensions-us-foreign-policy-toward-russia

Fridmani thekson se njëlloj si në një lojë pokeri Putini ndonëse kishte letra të dobëta në lojë si mjeshtër me bekgraund shërbimesh sekrete shfrytëzoi naivitetin e Obamës dhe stafit të tij dhe ia doli t’i hapte amerikanëve  një telash jashtëzakonisht të madh me Sirinë dhe armët kimike të kasapit Assad. Amerikanët e kuptuan me vonesë kurthin tip KGB-je të Putinit dhe bënë përpjekje frenetike për të dalë prej tij. Edi Rama, kryeministri i një vendi të vogël pati rastin e artë t’ia zgjidhte nyjen e konopit rus presidentit Obama. Fatkeqësisht edhe dorën e pokerit në Tiranë e fituan zotërinjtë Valeri Ksendzov dhe Eugjen Sidorenko të ambasadës ruse të ndihmuar bujarisht nga Nebojsha Malevici i Ambasadës serbe, ndërsa humbën për gjynah të Zotit,  kryeministri Rama bashkë me Zhardinenë dhe Xhoshua Pedersenin e Ambasadës Amerikane.

Rusët e fituan raundin e pokerit në Tiranë me fare pak shpenzime. Ndërsa amerikanët në 20 e kusur vjet kanë investuar miliona dollarë për OJQ-rsat shqiptarë, rusët duke investuar si të thuash pesë lekë i nxorrën në demostratë kundra “sarinës së Assadit, që do mbyste në gjumë vogëlushët shqiptarë”, pikërisht  po këto OJQ-ërsa të majmur në vite me dollarët e Amerikës. Dikur me të njëjtën formë  (e konfirmojnë arkivat e KGB-së), rusët nxitën gjithfarë ekologjistësh dhe majtistësh gjermanë të dilnin në demostrata kundër dislokimit në Gjermaninë Federale të raketave bërthamore amerikane “Pershing II”, duke e ndihmuar Bashkimin e atëhershëm Sovietik të ruante avantazhin në raketat bërthamore me rreze të mesme veprimi.

Pa u zgjatur më shumë, citoj përsëri analizën e Fridmanit.  Humbja e betejës për armët kimike siriane e zemëroi seriozisht Obamën dhe administratën e tij. Raundin e dytë të këtij pokeri midis të mëdhenjsh e hapi Obama duke investuar pak para dhe shumë pak asete inteligjence në Ukrainë. Demostratat e proeuropinistëve ukrainas të kombinuar me domosdoshmërinë e sjelljes prej “djali të mirë” gjatë Olimpiadës së Soçit, e vunë Putinin në telashe të mëdha. Për të një Ukrainë pro europiane (amerikane) apo një Ukrainë e ndarë në lindje të Kievit është njëlloj e rrezishme sikur për Amerikën, Meksika të tentonte të bëhej “Demokraci Popullore” gjatë Luftës së Ftohtë. Putini iu përgjigj sulmit amerikan  në Ukrainë duke përdorur kulaçin e ndihmave, kredive, çmimeve të ulta për furnizimet me gaz natyror, naftë dhe energji elektrike, aferave fitimprurëse për oligarkët e rinj ukrainas, njëkohësisht edhe kërbaçin në formën e përdorimit të aseteve të inteligjencës dhe koncentrimit të trupave e armatimeve të ushtrisë ruse në kufijtë e Ukrainës.

Putini njëkohësisht filloi t’i hapë një telash të ri administratës Obama në fuçinë e barutit me emrin Ballkan. Si me magji ballkanasit na u zgjuan nga gjumi dhe na panë, papritmas që janë shumëfish më të varfër se europianët e rinj polakë apo hungarezë. Na panë papritmas se u qeveriskan nga politkanë super hajdutë etj etj. Kështu shpërthyen trazirat e dhunshme anti korrupsion e varfëri në Bosnje e Mal të Zi. Në këto dy raste BIA serbe e ndihmoi bujarisht aleatin e saj tradicional FIS-in (ish KGB-në) ruse, për t’i krijuar kokëçarje amerikanëve thellë në prapavijat e frontit, që shtrihet përgjatë lumenjve Dnjepër e Dnjestër në Ukrainën e largët. Në Maqedoni po përdoren skenaret e vjetra të kohës së UDB-së dhe SDB-së: po helmohen nxënës shqiptarë njëlloj si në  fund të viteve 80-të, kur KOS-i i ushtrisë Jugosllave me ndihmën e specialistëve vrastarë të kazermës së Haxhixhit në Bosnje helmoi qindra nxënës kosovarë, etj, etj.

A po kërkon Putin t’u hapë amerikanëve një vatër të tretë zjarri në Ballkan? Ajo që dihet me siguri është që në këto duele të “luanit” amerikan me “hijenën” ruse gjenden gjithmonë çakaj të vegjël që duan të përfitojnë. Berisha është padyshim një prej tyre. Me kërcënime fejsbukse zotohet “të shkundë sundimin e bijve mavi të komunistëve të kuq”, pikërisht ish komunisti i devotshëm Sali. Ironike është që zotohet, që në 20 shkurt do bëjë namin kundra stërnipërve të Enverit, ai që në 20 Shkurt shëtiste në Sheshin Skëndërbej me Fiatin polak të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë.

Të njëjtët shegertë të nëntorit të shkuar po përpiqen t’i japin një tjetër shuplakë SHBA-së në Tiranë. Berisha duke nuhatur kërmëzimin, po përpiqet ta trembë me trazira Ramën, me qëllim që ta detyrojë t’ia lërë rehat fëmijët biologjikë dhe ata politikë të zhytur në krime. Shkurt, hyzmetqari i Moskës dhe Beogradit po i kërkon Ramës me kërcënimin e vulgut të rrugës, që ky i fundit t’ia falë Salës paratë e vjedhura dhe gjakun e të pafajshmve të vrarë me plumb në bulevard, në Rroskovec, në Komunën e Tërthores etj. apo të djegur me barut në Gërdec. Metodat e përdorura janë të njëjtat. Po hidhen pak lekë në bidonvilet e Tiranës. Po hapen defterët e agjenturave të vjetra për t’i përdorur përsëri. Njëlloj si me armët kimike, mjera e djathtë me urdhër të Salës është mbrehur nën zgjedhë për ta nxjerrë nga balta qerren ruse në Ballkan. Përsëri Sala dorë për dore me Lulushin do dalin për protestë në Bulevard, vetëm i ndjeri Olldashi do mungojë, sepse rezulton i vrarë aksidentalisht në Qafë Kërrabë. Edhe në radhët e “të majtës” rusë dhe serbë po u kërkojnë veglave të tyre  haracin e rradhës. Po mprihen thikat për t’ia rrasur Ramës pas shpine si në nëntorin e vitit të kaluar. Njëlloj si në nëntor kryebashkiakë betonxhinj e tenderaxhinj dhe parlamentarë “të majtë” po bëhen gati t’i hidhen kryeministrit të ri në shpinë njëlloj si breshka e barsaletës, që i kërceu lepurit të ngecur në ferrë. Kujtoni pak sesi “parlamentarë të majtë” që me çibanë betoni e kanë përcudnuar rivierën u zgjuan nga gjumi dhe deklaruan plot patos se “nuk ishin deputetë sirianë” dhe se “u qante xhani për mjedisin e Shqipërisë”. Në 20 shkurt dhe pas tij përsëri të tillë me nder deputetë, me siguri do ngrenë kokë njëlloj si harabeli nën peshën e bajgës së lopës. Por problemi nuk qëndron vetëm tek ta. Halli është se ka një mundësi jo të vogël, që raundin, dorën e pokerit në Tiranë ta fitojnë sërish interesat ruse. Përballë zarëve të Rusisë e Serbisë “majtas” e “djathtas” në Tiranë gjendet një adminstratë ende plot gomerë Troje të trashëguar nga  koha e Salës; një adminstratë, ku burrat, që i tregojnë gjoksin rrezikut janë më të rrallë se palmat në Sahara siç thotë një proverb tuareg; dhe idem si në rastin e armëve kimike nuk ka asnjë masë për t’iu kundërvënë propagandës gëbelsiane të Saliut.

O Zot bëje zhgjëndërr – na mbetet të themi. O Zot, për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve mos lejo, që njëlloj si me rastin e armëve kimike, të mos i hapi Shqipëria e vogël telashe jo të vogla administratës Obama.

Mendimi juaj
20 Shkurt, 2014 02:18 UTC
Roland MAKO
Mjaft interesant artikulli Gjergji e ndoshta "disi i rrezikshem"...ne kushte te tjera mbase do te te duhej te kerkoje azil...po cfare them edhe une..tashme tani te gjithe dine gjithcka , cdo gje eshte normale,diferencat midis politikaneve tane komuniste/demokrate inekzistente ( ne fakt jane fryte te se njejtes klase politike ) e nese "hamendesimet metaforike" per liderat komunist/demokrat vertetohen (kam shume pak dyshim per te kunderten)do vazhdojme te shperdorojme e humbasim "mundesira te arta" qe na jepen here pas here.Fatkeqesisht ne vazhdojme te tregohemi te paafte per te zgjedhur "burra shteti"qe te mund te aspirojne per nje ndryshim pozitiv , e madje edhe kur qellon qe lind ndonje element i tille sulmohet nga felliqesira korruptuese qe mbizoteron ne tere sistemin , por kjo ne fakt eshte nje e vertete historike per shoqerine tone qe nga epokat e largeta te fillimeve te shtetit tone e ne vazhdim , si per ironi te fatit!
E sa per "telashet" qe do te sillnim tek bamiresat qe mundohen te na ndihmojne ( pa dyshim qe kur interesat e tyre e kerkojne )mendoj se thjesht jane autogolat e radhes...
Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?