MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Presidenti që ka zgjedhur të rrëzohet! - Thesari

E Premte 08 Nëntor, 2013
Presidenti që ka zgjedhur të rrëzohet!

nishani_bujar_51

Nuk ka ndonjë të re nga vendimi i Bujar Nishanit për ta kthyer në Kuvend, aktin normativ për ndryshimin e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil. Ligji u kthye në një debat politik, për të cilin opozita humbi mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe natyrisht nuk kishte as fuqi politike dhe as numerike për ta ndaluar. Duke qenë se u kthye në debat politik, fati i tij mbetet politik dhe në këtë debat hyjnë vetëm ata aktorë që duan të marrin pozicione politike.

Presidenti i vendit, si institucion, e ka luksin të mos përzihet politikisht nëse dëshiron të respektojë Kushtetutën dhe pozicionin e tij formal mbi palët. Por Bujar Nishani nuk e do këtë pozicion. E vetmja gjë e rëndësishme në dekretin e tij, është shenja publike që kërkon të japë se nuk është president, por pjesë e politikës, në këtë rast, ushtar i Sali Berishës.

Them se kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi, pasi akti i tij nuk vlen për asgjë tjetër.

Së pari, akti i tij për kthimin e ligjit në Kuvend nuk vlen realisht për të anuluar miratimin e ligjit për nëpunësin civil, pasi fuqia e miratimit varet tek 84 votat dhe jo tek vullneti i presidentit. Bujar Nishani e di këtë. Thjesht e bën këtë akt për të treguar se është nën urdhrat e Berishës.

Së dyti, nuk ka ndodhur ndonjë zhvillim që shumica të ketë humbur 84 votat e parlamentit, përkundrazi, që nga miratimi deri më sot, i ka bërë 85, kështu që nuk ka ndonjë shpresë se kjo shumicë nuk e miraton dot më ligjin. Bujar Nishani e di këtë, por i intereson më shumë të shfaqet në anën e Berishës dhe t’i garantoj ata se është ushtar i tyre.

Së treti, sipas Kushtetutës, dihet që nëse Nishani nuk e firmos sërish, akti hyn në fuqi automatikisht edhe kundër vullnetit të tij. Bujar Nishani e di dhe këtë, por më shumë se gjithçka i intereson që Berisha të jetë i bindur se ai nuk e ka tradhtuar.

Së katërti, Nishani është një keqpërdorues i madh i ligjit të nëpunësit civil, pasi ka hequr dhe kamerieren dhe kuzhinierin nga Presidenca dhe është militant i kapur në flagrancë që me shkresa nga PD-ja hiqte njerëz nga puna. Si i tillë, ai e di që ky proces i ndryshimit të drejtuesve të vendit do të bëhet, do apo nuk do ai, por thjesht kërkon t’i tregojë Berishës se vazhdon të jetë besnik dhe borxhli ndaj tij.

Pra, në çdo variant që ta marrësh, gjesti i Bujar Nishanit nuk është gjest presidenti dhe as një lëvizje që synon të mbrojë ndonjë interes shtetëror. Ai thjesht kërkon që dhe kur ne e kemi harruar, të na kujtojë se Sali Berisha ka lënë një njeri ulok në krye të vendit, për të na bezdisur herë pas herë me deklaratat dhe aktet e tij. Edhe pse është luks i tepruar të mbajmë një president që dëshiron të na kujtojë përditë vetëm se është kundër qeverisë, sërish na duhet të pranojmë se varfëria e vizionit të tij dhe pafuqia për të qenë president, janë arsye të forta që të mendohet seriozisht dhe për një president normal në këtë vend.

Nuk është një çështje urgjente dhe as një betejë që dhe të na hajë shumë energji, por kur e mendon se përveç faktit që kemi një gjysmë- njeriu president, e kemi dhe armik të betuar të pushtetit si kamikaz i Sali Berishës, atëherë nuk është mëkat të mendohet dhe një “impicment” ndaj tij. Është një zgjedhje e tij këmbëngulëse, të shfaqet doemos kundër çdo nisme të qeverisë, më shumë se sa vetë Lulëzim Basha. Vendimi i tij i sotëm, është një vendim i qartë që ai ka zgjedhur të përballet dhe të rrëzohet në Kuvend nga mazhoranca. Është shumë i qartë për këtë. E vetmja gjë që duket se i jep personalitet është pikërisht të ndeshet me shumicën dhe të rrëzohet prej saj në Kuvend. Ndoshta duhet menduar për diçka që ta shpëtojë nga ky pasion që ka për t’u përballur çdo ditë me pushtetin. Duhet çuar në shtëpi dhe t’i paguhen dy shërbyes sa “për t’i bërë hysmet”, se ngeli gjithë jetën duke shërbyer!  / Tema

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?