MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Qasja e panevojshme autoritare e Bashës - Thesari

E Premte 24 Shkurt, 2017
Qasja e panevojshme autoritare e Bashës

dritan-hila

Brenda një jave kryetari i PD ka bërë disa kapërcime pindarike të cilat po lënë të habitur shumëkënd.

Së pari ju ka vënë kufirin tek thana gjithë perëndimorëve. Në deklaratat e tija më të fundit, ai ka injoruar zëdhënësen e BE Koçijançiç, dhe ka lëshuar mediat e rradhitura në krah të tij ndaj Ambasadorit Amerikan dhe asaj të BE.

Ndërkohë Sali Berisha i është sulur Xhorxh Sorosit, gjest që mund ti falej shqiptarëve të fandaksur pas teorive të komplotit, por jo një njeriu që ka provuar postet më të larta të shtetit.

Të gjitha këto janë reminishenca të së kaluarës që gjejnë tokë pjellore mes shqiptarëve që janë eduakuar për 50 vjet me psikozën e armikut të jashtëm dhe “Evropës kurva e motit”ë. Por nuk janë mjete demokratike. Ne e kemi provuarë të hedhim valle në gojën e ujkut por ka qenë çakalli që na ka bërë copë.

Hapi i dytë i ndërmarë nga Basha ka lidhje me kërcënimin ndaj mediave të cilat nuk e përkrahin pa kushte. Në fakt aksioma më e përhapur në dhjetë vitet e fundit në Shqipëri, është se nuk duhet ti bëhet opozitë opozitës. Por kjo është llogjikë parapolitike. Këto 25 vjet kemi rënë shpesh herë nga shiu në breshër, ndaj opozitës i duhet bërë skaneri se kush është. Hera e fundit që pritëm Ramën si shpëtimtar, u dogjëm keq. Mesa duket edhe kryetari Basha është alergjik ndaj mediave dhe kritikave të saj. Ndoshta është pak si herët të shfaqi alergji ndaj kritikave, dhe arroganca me të cilën i sulet mediave, qofshin ato edhe të kapura, nuk është shenjë e mirë. Pasi politikanët nuk kanë të njëjtin koncept me atë të qytetarëve për mediat, dhe zakonisht të kapura quajnë të gjitha ato që nuk iu mbajnë ison.

Një qasje tjetër është thirrja e sotme që i bën militantëve të thyejnë xhama. Zakonisht këto janë të tolerueshme gjatë një proteste të organizuar dhe me objektiva të qartë politikë. Por të bësh thirrje të tilla në hava, i pari që merr zemër është elementi kriminal dhe rezultati është anarshia. Nëse pas kësaj anarshie Basha ka llogaritur që vjen në pushtet, mbetet për tu parë, por askush nuk ja ka ngenë aventurave të tilla.

Që të gjitha këto ngjajnë se personi që po pregatitet të vijë në pushtet ka qasje autoritare, dhe nuk është një model më i mirë se Rama sa i takon koncepteve të tija për politikën. Politikanë që kanë alergji ndaj standarteve të BE dhe SHBA, ndaj mediave dhe ndërsejnë turmat ndaj kundërshtarëve, janë modeli i Putin, Erdogan dhe duke u shtyrë më tej andej nga Kaukazi. Por natyrisht nuk është modeli që kemi nevojë ne.

A është Basha ky model. Ndoshta jo. Përndryshe të parit që do ti kishte vënë drunë do të ishte Sali Berisha. Por ky i fundit ngjan se nuk para e merr seriozisht delfinin e tij as kur e nxjerr të deklarojë luftë.

Nëse mendon që të vijë në pushtet, katër muaj para zgjedhjeve shqiptarët kanë nevojë për modelin paqësor. Kjo sjellje do të kishte kuptim tre vitet e para por jo tani. Sepse kështu mund të veprojë vetëm një person i cili e ka ndarë mendjen që do të humbasë.

/dritare/

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?