MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Rilindja si Organizatë Kriminale që promovon dhe mbron krimin - Thesari

E Dielë 30 Shtator, 2018
Rilindja si Organizatë Kriminale që promovon dhe mbron krimin

andi-bushati-2

Prangat në duart e Rexhep Rahjës nuk janë as një rast për të bërtitur fitore, dhe aq më pak një çast gëzimi se drejtësia me sa duket po funksionin. Sepse vëllezërit politikë, policia që duam, prokuroria karagjoze e Arta Markut, mediat e bunkerizuara me para publike, bënë çështë e mundur për t’a fshehur këtë krim.

U desh vëtëm një akt kokëkrisur i Emiliano Nuhut, -të cilin Rama u betua se do ta ndjekë hap pas hapi për dëmin që i shkaktoi-, që rilindja të tërhiqej para presionit publik.

Nëse do të kishim qenë një vend normal, mostra nga Nikla tani do të ishte prej së paku një viti në burg. Por atë e mbrojtën deputetë, kryebashkiakë, shefa policie, prokurorë dhe së fundi gazetarë të tredhur, që e konsiderojnë herezi ndëshkimin e njerzve me pushtet.

Arrestimi i Rexhep Rahjës nuk është për tu përshëndetur edhe sepse ai nuk vjen si një pasojë e reflektimit. Rilindja është sjellë njësoj më të gjitha rastet e ngjashme. Ajo është munduar t’i mbrojë kriminelët e saj, të krijojë alibi për ta deri në çastet e fundit dhe vetëm kur nuk ia ka dalë të manipulojë publikun është tërhequr me turp.

A nuk veproi në këtë mënyrë edhe me Habilajt që vazhdonin drogën ndërsa Rama dhe Tahiri burgosnin denoncuesin e tyre, Dritan Zaganin?

A nuk ndodhi kështu me Mark Frokun të cilit i fshehën deri në fund edhe kërkesën e interpolit për arrestim?

A nuk ndodhi kështu me Kostandin Xhucvanin, që e liruan nga burgu dhe u detyruan t’a ndalonin vetëm pasi vrau katër vetë?

A nuk ndodhi kështu me Agron Xhafajn që nuk e dorzonin në Itali deri sa e çuan pako postale, brenda natës, pasi u rrezikua nga një skandal më i madh?

A nuk ndodhi kështu me Ervis Roshin, që Rama e shëtiste si klloun me vete, duke thënë se e kishte çertifikatën e pastërtisë së virgjër?

Edhe rasti i Rexhep Rahjës nuk bën përjashtim nga kjo vazhdë.

Ashtu sikurse pararendësit ata përshkohen nga e njëtja filozofi: të fortët e pushtetit duhen mbrojtur me çdo kusht. Ata do të dorëzohen vetëm nëse krimet e tyre shndërrohen në skandal, që kushton në imazh, më shumë sesa ndihma që japin muskujt dhe armët e tyre.

Pra në këtë kuptim, drejtësia në rastin e Rexhep Rahjës është përdhunuar dyfish. Sepse ai fillimisht u mbrojt në kundërshtim me ligjin, ndërsa tani po burgoset si pasojë e një vendimi politik për të mos shkallmuar deri në skaj imazhin e kësaj shumice.

Prandaj, në vend që të na duket si fitore, dita e burgosjes së tij mund të konsiderohet pa frikë si një ditë e errët. Një provë se nuk jemi të mbrojtur nga një shtet ligjor, por jemi në duar të një shteti bandit. Të një shteti që po mer përditë e më shumë trajtat e një regjimi. Të një regjimi që është edhe më i rrezikshëm, sepse di të përdorë përveç dhunës edhe manipulimin. Prangat në duart e Rexhep Rahjës janë dëshmi e këtij binomi. Sepse ato japin përshtypjen e gabuar se më në fund drejtësia u vu në vend.

/lapsi

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?