MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Rilindje apo rizhytje? - Thesari

E Hënë 03 Nëntor, 2014
Rilindje apo rizhytje?

dictator

Unë votën time kur e hedh në kuti ja jap atij që mendoj se do mendoj për mua, për mirëqënjen time, për ekonominë e familjes time dhe jo vetëm për shtetin apo vetëm për xhepin e vet. Unë dua të jem qytetar i lirë brenda kornizës së ligjit dhe kërkoj më shumë liri dhe ekonomi private dhe sa më pak shtet. Shteti për mua duhet të jetë thjesht rregullator i marëdhënjeve të shtetasve dhe mbrojtës i interesave të tyre. 

Ka mbi një vit që u bënë zgjedhjet dhe populli e bëri punën e tij. Populli me vota tregoi çfarë donte. Tashti e ka radhën shteti të tregojë veten. E ka radhën shteti të bëje dicka për popullin që e votoi. Por megjithëse kjo qeveri u zgjodh nga populli me premtimin se do i shërbente atij, duket sikur shteti po shkëputet dalëngadalë nga populli dhe po i konsideron njerëzit burim të ardhurash financiare për të mbushur arkën e shtetit dhe për të larë borxhet me parrullën "ky popull do dajak". Dhe këtu popullin nuk po e ngatërroj me hajdutët e energjisë elektrike, as me hajdutët e bankës, as me hajdutët e djeshëm në pushtet. Jo jo, ata nuk janë shumica, ata nuk janë i gjithë populli. Ata janë humbësit e djeshëm, janë ata që e sollën Shqipërinë në ketë batak të paramenduar, ata janë vetëm një pjese e kalbur e shoqerisë dhe një pjesë njerëzish përfitues nga rremuja e krijuar, që udhëhiqeshin nga parimi "shyqyr që u martu lala ti hypim të gjith nga i'her".

Por në Shqipëri për çudi ndodh gjithmonë diçka interesante me pushtetin. Sapo ulen në karrike pushtetarët bëjnë si të fortë, bëjnë si të zgjuar, bëjnë si të ditur, bëjnë si eksperta, shkruajn hartime, bëjnë filozofi, ngrenë lapidare, paraqesin numra, zmadhojne ato që u intereson dhe fshehin ato që nuk i intereson, bëjnë takime ndërkombëtare, pozojnë me personalitete, japin mënd e çfarë nuk bëjnë përditë në podiume e para ekranit, derisa përsërisin vetveten, bëhen të mërzitshëm, bëhen qesharak, derisa i nxijnë fytyrën vetes. Duket sikur gjithçka bëhet për tu dukur, për të na treguar se nuk kemi zgjedhur gabim. Këtë bëri edhe Sali Berisha mandatin e parë "me duar të pastra", këtë po bën edhe Edi Rama tashti.

Qeveria Rama premtoi se do bëjë një shtet modern, për të shkulur të keqen, për të dënuar hajdutët dhe kriminelët, për ti mësuar njerëzve që të respektojnë rregullat e vendosura, shkurt për të vendosur shtetin ligjor. Dhe për qëllimin e mirë dhe atdhedashes duhet ti heqim kapelen. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që në rrugët tona kishte xhirim rrotash nga të fortët, kishte nga ata që nuk e njihnin semaforin e kuq, sepse kishin dajën ose tezen deputet ose shef policie diku. Në lagjet tona qielli nxihej nga merimangat me tela që na kalonin sipër kokës për të vjedhur energjinë elektrike. Në plazhet tona kishte nga ata që ngrinin themelet e pallatit në buzë të detit pa ju trembur syri. Kishte nga ata që prisnin gjithë pyllin për të ngritur restorant "kashta". Por kishte edhe nëpunës shteti që gërryenin shoqërinë për xhepin e tyre, sepse punën në shtet e konsideronin licensë për tu pasuruar. Kishtë agjentë tatimor që për 50 euro në muaj të linte të shisje pa licensë e pa taksa, kishte agjentë doganor që për disa euro të linin të kaloje me pak ose aspak doganë, kishte oficera policie që për dhjetë mije lek të vjetra të linin të shtypje kë të doje në rrugë, i pirë e pa patentë. Dhe këta përfaqësonin shtetin. Po s'ishin vetëm këta shteti. Shtetin e përfaqësonin edhe ata që e drejtonin atë, ata që i krihnin bishtin këtyre, ata që vidhnin miliarda në projekte autostradash, ata që bënin kontrabandë armësh e municionesh e që vrisnin një fshat të tërë për të mbushur xhepin e tyre, ata që vrisnin demonstrues në mes të bulevardit të bindur që nuk i hynte gjemb në këmbë.

Dhe me të vërtetë deri më sot këtyre nuk po i hyn asnjë gjemb në këmbë. Sot të gjithë këta vjedhës, kusarë dhe kriminela janë ngrohtë-ngrohtë në shtëpitë e tyre milionere duke gëzuar milionat e vjedhura duke nxjerrë gjuhën për tu tallur e duke bërë sehir rezultatet e mentalitetit të tyre, se si një lokal poshtë pallatit të vet shëmbet, se si një komshi i tyre arrestohet për vjedhjen e energjisë elektrike, se si një shok i djalit të tyre gjobitet në rrugë e kështu me radhë. Ata bëjnë sehir dhe bëjnë mirë që nuk flasin se nuk kanë moral të flasin për të keqen që mbollën vet. Apo mos ndoshta ata po heshtin në pritje që Rama të gabojë dhe të na thonë pastaj - Po tashti doni akoma Ramën apo ne?

Dhe Rama, ndoshta edhe nga mungesa e një oponence konstruktive, po fillon të rrëshqasë pak nga pak. Sali Berishën e hoqëm sepse ai e groposi vendin në funksion vetëm të familjes së vet. Kurse Edi Rama po na bind dita-ditës se, edhe pse me qëllim të mirë, po mendon vetëm për shtetin. Po për mua si qytetar i thjeshtë kush do mendoj? Jo se duhet të na mbaj me bukë shteti, se e nxjerrim bukën vet, por të paktën mos na fusi dorën në xhep duke na i zbrazur fare. Të paktën të na lër në nivelin e fukarallëkut ku jemi por jo më poshtë, nqs nuk ka mundësi të na japë një dorë për më lart.

Ngritja e taksave, ngritja e çmimit të energjisë elektrike, ngritja e çmimit të karburantit, ngritja e çmimit të akcisave, e të gjitha ngritjet zinxhir që rrjedhin nga këto, edhe pse ndryshe nga çu premtua në fushatë, ndoshta janë të detyrueshme nga FMN dhe nga BB, pasi janë ata që i kanë dhënë paratë borxh kësaj qeverie dhe kush të jep borxh të dikton edhe politikën që duhet të ndjekesh për tja kthyer borxhin. 

Por sikur mos mjaftonin këto masa shtrënguese, qeveria Rama duke përdorur parrullën e repektimit të ligjit ashpërsoi sistemin e gjobave të qarkullimit rrugor. Po kur ti vendos një sistem gjobash trafiku që i kalon caqet llogjike dhe ekonomike të çdo qytetari, atëhere unë them se qëllimi nuk është vetëm vendosja e ligjit, por ka diçka tjetër më shumë se aq. A nuk ju duket pak abuzive të marrësh gjobë për një kuti të ndihmës së shpejtë, e cila ka brenda një fasho, pak pambuk, një gërshërë dhe pak jod? Mos më thoni që prezenca e kësaj kutie në makinë mund të shpëtojë jetë njerëzish në rast aksidenti, sepse nuk është e vërtetë. Atëhere pse kjo gjobë? Nuk e diskutoj që do ishte mirë ta kemi për një plagë të vogël apo për një gërvishje të lehtë, por jo të më detyrosh ta kem duke më gjobitur. Po sikur nesër të na gjobisin bie fjala pse nuk kemi fije dhe gjilpërë për të qepur plagët e ndonjë të aksidentuari? Po sikur nesër të na gjobisin pse nuk mbajmë syze dielli në timon kur kemi diellin përballë, ndërkohë që dritat e makinës na i kërkojnë ti mbajmë ndezur edhe ditën për diell? A nuk duken këto sebepe për ti thithur qytetarit disa lek për arkën e shtetit? Dhe po të mendosh që ndërkohë 90% e shqiptarëve udhëtojnë akoma pa rrip sigurimi këto gjoba duken më qesharake akoma.

Gjobat pikësëpari janë masa ndëshkuese administrative dhe qëllimi i tyre është për të edukuar njerëzit që të zbatojnë ligjin e shtetit dhe për të paguar një penalitet ndëshkues, por kurrsesi s'mund të jenë masa shkatërruese për ekonominë e individit që bën një shkelje trafiku. Nqs dikush e kupton gjobën si dajak, atëhere le ti varim më mirë ata që kalojnë me semafor të kuq dhe jemi të sigurtë që vetëm ai që don të vdes do kaloj me të kuqe. Ashtu siç mund ti presim dorën çdo hajduti dhe vetëm ai që nuk i do duart do vjedhë akoma. Por nuk është ky qëllimi i gjobës. Vetëm terrori i shtetit islamik ISIS mund ti aplikojë këto lloj gjobash.

Se dyti gjobat duhet të vendosen në proporcion me nivelin e jetesës dhe me të ardhurat. Nuk mund të pretendosh të kesh gjoba trafiku më të larta se rroga minimale pasi çdokush, edhe ai me rrogën minimale, mund të bëjë një shkelje. Përndryshe i heq bukën e gojës njerëzve. Çdonjëri në momente të caktuara hutohet, e humb dhe gabon. Çdonjëri i ka shkelur njëherë në jetën e vet rregullat e qarkullimit rrugor. Por nuk i ka marr njeri frymën dhe as rrogën e dy muajve. Nqs ti çmimin e gjobës e vendos sepse dikujt që bredh me Ferrari nuk i ben përshtypje njëzet mijë lekshi, por i dhemb pesëqind mijë lekshi, atëhere ti paske vendosur të djegësh jorganin për një plesht.

Unë personalisht kam asistuar diku jashtë Shqipërisë, atje ku ligji të thyen brinjet, një rast kur një shtetas kishte bërë një shkelje dhe me të drejtë meritonte ti hiqnin patentën. Dhe ja hoqën, por i lanë një rrugë të ushqehej e të paguantë gjobën. Gjykatësi e lejoi 6 muaj ta përdorte patentën vetëm në itenerarin nga shtëpia e tij drejt punës dhe anasjelltas, përndryshe e arrestonin; se duhet edhe të punojë ai, në mënyrë që ta paguaj atë gjobë apo jo? Po duhet edhe të ushqehet, që të ketë fuqi për punë e të shlyej dënimin. Kurse në Shqipëri të marrin patenten, të marrin makinën, ndoshta edhe gjyshen po ta kesh në makinë. Po makina çfarë faji ka? Fajin e ka ai që e nget. Makinën mund ta përdorin nesër edhe familjarët e tjerë për të çuar gjyshen në varreza psh. Po kush po pyet për gjyshen. Tani me këtë sistem gjobash të lënë kalamajt pa bukë, aq sa të vjen frikë ti hipësh makinës në mëngjes dhe fillon të dridhesh kur sheh një polic përpara dhe i lutesh Zotit mos të është djegur ndonjë llampë sinjali gjatë rrugës. E ca do bësh ti po të marrin patenten? Si do paguash? Si do ushqehesh? Kush është zgjidhja për këtë situatë? Do detyrohesh të ngasësh një makinë tjetër pa patentë, se përveç dëshirës së madhe që mund të kesh për të paguar gjobën e të lirohesh nga detyrimi që ke ndaj shtetit, të duhet të çosh edhe ushqim në shtëpi për fëmijët.

Po pse duhet të merret i drejtë vetëm vendimi i policit që të vendos gjobën? Pse duhet të konsiderohet i pagabueshëm syri dhe mendja e policit? Po sikur unë të mos jem dakort e dua ta kundërshtoj? Pse nuk duhet të dëgjohet edhe versioni im? A jemi të gjithë të barabartë para ligjit? Atehere edhe ministri, edhe deputeti, edhe polici, edhe unë jemi të barabartë. Por jo po të jesh i shtetit je pak më shumë i barabartë se unë. Dhe duhet ta vendosi gjykatësi se kush ka të drejtë dhe jo komisioni i policisë, sepse nuk ka sens të më gjykojë i njëjti institucion që më ka gjobitur. Përndryshe dalim te ai sistem që rrëzuam me aq mund, i cili vet bënte ligjet, vet të fuste në kurth, vet të kapte, vet të akuzonte, vet të denonte e vet të vriste. E ti s'kishe se kujt ti qaheshe se vet i kishe puthur bythën ose kishe ndenjur suz deri sa të ra mbi kokën tënde. E si mund të jenë të pa-anshem policët e komisionit në gjykim? Ata kanë treguar se janë aq frikacak të padrejtë saqë edhe kur pranojnë që ke të drejtë, të japin patentën, por përsëri të kërkojnë të paguash? E kush e ka ngritur këtë sistem? Shteti. Dhe ky lloj shteti vetëm qytetarit dhe të drejtës nuk i shërben. Por nga ana tjetër edhe qytetarët një shtet të tille nuk e duan, sepse këtu shteti fillon të marrë formën e gjobëvënësit, formën e dhunuesit, ashtu sikurse gangsteri që vendos gjoba dhe me prepotencën e të fortit mendon se s'ke çfare ti bësh se është më i fortë se ty. Por përveç xhunglës me kafshë, nuk ka sot ligje humane në asnjë shtet afrikan ku të thuhet që më i forti ka gjithmonë të drejtë. Kurse në Shqipëri këto i kemi të shkruajtura në ligj dhe pretendojmë drejtësi.

Kush është hajduti pra dhe kush vjedh kë? Unë nuk mbroj asnjë lloj vjedhje dhe asnjë lloj hajduti. Por para se të drejtoj gishtin nga qytetarët për vjedhje, unë mendoj se edhe shteti më ka vjedhur deri më sot e vazhdon më vjedh akoma. Atëhere pse unë mos të vjedh ty kur ti më vjedh mua? E pse mos dënohesh edhe ti si shtet kur ti për të njëjtin krim më dënon mua? Duke lënë menjëanë faktin që shteti ka qënë debitori më i madh i CEZ, kush më thotë mua se kush i ka shpikur, kush i ka zbatuar dhe kush i ka paguar faturat afofe të dritave deri më sot? Nuk quhet vjedhje kjo? E kush është hajduti në këtë rast? Unë them shteti. Kush është viktima? Si gjithmonë qytetari. Atëhere kush quhet vjedhje, kur unë vjedh shtetin apo kur shteti më vjedh mua? Unë mendoj se të dyja.

Rilindja kur i doli për zot të qeverisë shtetin, a e mori parasysh gjëndjen klinike të shtetit që ishte i kalbur? A i mori parasysh gjatë premtimeve elektorale të gjitha gropat e zeza që do u duhej të mbyllnin? Tashti po marrin masa që ti mbyllin këto gropa apo jo? Por si? Duke na thënë hajduti iku, mori çfarë mori, por ju nuk do vidhni më - kush vjedh nga sot e tutje do e fusim në burg? Pra, amnisti për hajdutin shtet që na rropi e na copëtoi deri dje dhe prap kokës mua sot. Po ato që mu vodhën deri dje kush do mi kthejë mua? Apo nuk quhen ato. Zotrote shtet, po të isha unë në borxh me ty, sikur edhe një lek të vetëm, do më ndjekësh nga pas si lugat edhe mbas 50 vjetesh apo jo?

Unë vërtet e di që shteti shqiptar deri më sot e ka konsideruar qytetarin armik burim fitimi, por po shoh se edhe sot ashtu po e konsideron, jo vetëm duke i futur dorën në xhep me ngritjen e çmimeve, por edhe me doganat hajdute, me tatimet hajdute, me kërkesat hajdute të kodit rrugor, etj. E pse atëhere pretendon ti zoti shtet që qytetari mos të konsiderojë ty si hajdut e armik kur ti e vjedh në mes të ditës dhe e konsideron atë sikur të ishte nga ana tjetër e llogores? 

Dita dites dëgjojmë gjëra të çuditshme. Duket lufta e maces me miun, shtet vs. popull. Kush t'ja fusi njëri-tjetrit. Te dy vrapojnë, njëri për ta kapur e tjetri për ti ikur. Pak ditë më parë dëgjuam që një vajzë 17-vjecare kishte vdekur sepse një polic robocop e kishte vonuar 15 minuta shoferin që e transportonte për spital, për ti verifikuar kolaudimin dhe për ti shkruar gjobën me atë bukurshkrimin e tij prej katili. Nuk e di sa e vërtetë ishte ngjarja, sepse ai që foli u arrestua për deklarim të rremë brenda dy orësh, por po sikur të ishte e vërtetë çfarë duhet ta konsideroj unë shtetin? Mik që më gjindet apo armik që më vdes? Punon për shtetin polici apo jo?

Meqë ra fjala te e vërteta, dua të pyes Rilindjen, po atë fatkeqin që bëri deklaratën e rreme përse e arrestuan aq shpejt? Apo ajo deklaratë ju prishte imazhin e 300 e ca ditëve dhe nuk çonte ujë në mullirin e Rilindjes. Po ku e bëri atë deklaratën ai i shkreti fshatar, në prokurori apo rastësisht e pyetën disa gazetarë duke pritur radhën te sporteli për të paguar gjobën? Po sikur unë të shkruaj tashti këtu që Tony Blair ka hyrë në shtepinë time në Gradisht mbrëmë natën dhe më ka vjedhur lavatriçen? Jam i bindur se Mr. Blair do qeshte me të madhe po ta dëgjonte. Po ju? Do më arrestonit për deklaratë të rreme apo jo? Po atë diplomatin Ceka që deklaroi se Edi Rama i kishte shkulur veshin përse nuk e arrestoni? Edhe atë e quajtët deklaratë të rreme nqs ju kujtohet. Po sa deklarata të rreme shkruhen në gazetat tona, nëpër televizionet tona dhe më shumë akoma në parlamentin tuaj që e keni kthyer si Estrada e Tiranës. Kush është arrestuar për këto deri më sot? Vetëm ky fakiri që kishte shkuar të paguante gjobën dhe që shteti e rrasi brënda si armik i kllasës. Ky është shteti që u zotuat të ngrini ju? Ky është shteti i së drejtës që po trumbetohet me aq shumë zhurmë? Na lini të lehim të paktën nqs na konsideroni si qena.

Po doganat me Crown Agent në krye? Edhe dogana e shtetit është apo jo, megjithëse e keni kthyer në doganë angleze. Kur dogana mua më konsideron kontrabandist edhe atëhere kur nuk jam i tillë, si do e quaj unë mik apo armik? Keni dëgjuar ndonjëherë të dënohet ndonjë doganier sepse i ka shkaktuar dëm financiar qytetarit? Le ta zëmë se unë sjell një makinë në doganë dhe dogana për atë makinë është 10 lek. Nqs doganieri korruptohet dhe ma vendos doganën vetëm 5 lek, atëhere me të drejtë ti si shtet i shkon për kontroll dhe e dënon si hajdut sepse i ka sjellë humbje shtetit. Po kur doganieri "i pakorruptueshem" ta rras doganën 15 lek se ja do qejfi, pse nuk e dënon ti? Apo ngaqë ka kontribuar më shumë lek në favor të shtetit? Po nga xhepi i kujt dalin keto lek ekstra? A është dënuar ndonjë doganier për këto raste? Asnjë. Biles i kanë ngritur në detyrë si punonjës të dalluar që kanë ndihmuar në tejkalimin e planit doganor. Nuk e di për ju por unë këtë lloj veprimi do e quaja pa frikë vjedhje në emër të shtetit. Pse pothuajse në gjithë kodin doganor gjobat administrative doganore për një shkelje te caktuar variojnë në diferenca marramendëse nga peseqind deri në dy milion lek të vjetra e më shumë? Kush janë kriteret për të vendosur nëse duhet të gjobitesh me pesëqind apo me dy milion lek për një shkelje të caktuar? Në dorë të kujt e kini lënë? Pse të mos jetë i përcaktuar çmimi i gjobës fiks aq ose fiks kaq, dhe jo nga kaq deri aq? Nuk mendoni se lë vend për abuzim, arbitraritet dhe korrupsion kjo mënyrë e të bërit ligje? 

U bënë ligje brënda ditës për të dënuar vjedhësit e energjisë elektrike dhe me të drejtë u vendos që të denoheshin me burg, vjedhesit me tre vjet dhe lidhësit me pesë vjet. Nuk i cilësuat dënimet në ketë rast nga kaq deri aq. Pse? Sepse e dini mirë që në atë mënyrë do pasuronit akoma më shumë gjykatësit për të cilët u ankuat se po u japin dënime qesharake shkelësve, saqë i kërcënuat se do i quani edhe ata hajduta e do ti arrestonit në sallë. Pse nuk e arrestuat Arben Ristanin për vjedhje të energjisë në lokalin e tij Mjau-Mjau? Po gjykatësit që lanë në gjëndje të lirë vjedhësit e energjisë elektrike Bujar Brovina dhe Ervis Kraja pse nuk i arrestoni? Apo forca e ligjit tuaj matet vetëm karshi më të dobëtit? Kjo nuk është ajo që presin shqipëtarët. Kjo nuk është ajo që premtuat. Kjo është diçka tjetër. 

Po prishen përditë ndërtime abuzive dhe pa leje dhe më vjen mirë të mendoj se po synohet të vendoset rregull, disiplinë dhe respektimi i ligjit nga të gjithë. Por ka diçka që çalon në trajtimin e tyre. Po ta mendosh pak më thellë, shumë nga këto ndërtime ishin ngritur me qëllime përfitimi dhe biznesi dhe në këto biznese ishin të punësuar mijëra vetë që përfaqësojnë mijëra familje në nevojë përveç pronarëve që nuk mendoj se ishin aq nevojtarë. Pse nuk u penalizuan me gjoba të rënda pronarët si përfitues të jashtëligjshëm për ndërtimet që kishin bëre pa leje? Pse nuk u ndoq e njëjta politikë si me vjedhësit e energjisë elektrike? Ashtu si edhe ata që kanë vjedhur energjinë elektrike, ashtu edhe ata që kanë ngritur ndërtimet pa leje kanë përfituar të ardhura të jashtëligjshme. Vjedhje quhet të përfitosh diçka që nuk të takon apo jo?

Po ata që punonin në këto biznese ku do shkojnë e me çfarë do mbahen tashti? A është menduar se këta mijëra vete do i shtohen ushtrisë së të papunëve? Apo mendoni se do gjejnë punë nga nesër te zyrat e punës. Ti hap zyra pune që të futësh njëqind vet në punë dhe pastaj indirekt i heq punën mijëra të tjerëve? Ky nuk quhet plan fitues, ky quhet një hap para dhe dhjetë hapa mbrapa dhe rezultati është më shumë dhimbje dhe më pak ushqim në tavolinë për ta. Eshtë budall idealist ose militant i thekur ai që mendon se mund ta kthesh Shqipërine në Gjermani brënda një viti. Ndryshimet duhet të vijnë gradualisht dhe jo me një të rënë të sqeparit. Duhet të synohet të ndryshohet në fillim mentaliteti i shoqerisë me reforma bindëse krah dënimeve duke ndërtuar ligje dhe raporte të drejta midis shtetit dhe qytetarit për të rritur besimin dhe respektin e qytetarit për institucionet dhe duke e parë qytetarin si bashkëpunëtor në zhvillim dhe jo si pus për të mbushur depozitën e shtetit, sepse mentaliteti dhe mënyra e të menduarit të qytetarit janë ato që sjellin zhvillim dhe jo frika dhe arbitrariteti. Edhe suedezi edhe gjermani kalojnë ndonjëherë me të kuqe, se përndryshe s'do kishin polici fare nëpër rrugë, por është mentaliteti që i ka bërë të jenë ata që janë. Por ti kerkosh qytetarit kutinë e ndihmës së shpejtë dhe t'ja kërkosh nga ato me bojë të kuqe thjesht për të treguar se po punon, kësaj i thonë të kërkosh qiqrra në hell ose me saktë të gjësh një sebep për ta vjedhur qytetarin duke e ngopur me gjoba. Ky është sistem i dhunshëm hajdut dhe kjo e bën shtetin hajdut përpara syve të qytetarit. Nuk mund të fitosh respektin e qytetarit dhe aq me pak votat e tij, kur në mënyrë cinike me foto, pushteti deklaron nepër rrjete sociale - "Ja shikoni radhët e njerëzve që po paguajnë dritat dhe gjobat nëpër sportele; E shikoni që paskeni lek ju qafira; Ja ku i nxorrët o edepsëza dhe mos na u hiqni aq të varfer". Radhë për pagesa ka edhe në Angli edhe në Amerike edhe në ku të duash ti. Por nuk ma merr mendja se Cameron apo Obama mund të jenë aq gomerë sa të nxjerrin foto me qytetarë në radhe për të treguar sa e suksesshme është politika e tyre. Suksesin e politikes nuk e tregojnë as llafet as fotot, por e tregon ekonomia e vendit dhe mirëqenja e shtetasve.

Rripi vërtet duhet shtrënguar në situatën që jemi, por dalngadalë dhe jo duke nxituar se mos na kapin zgjedhjet, se përndryshe do dhëmbi shumë dhe do sjelli më shumë të këqija sesa të mira. Jo duke ngritur taksat me hapa vigane, as çmimet e produkteve me justifikimin se duhet të arrijmë nivelin e Europës. Nuk mund të pretendojmë të kemi nivelin e çmimeve dhe të taksave të Europës kur rroga rri në vend numero sa një e dhjeta e rrogave europiane. Këto objektiva përveç ndonjë militanti të sëmurë s'ka as ekonomist as matematicien që ti zgjidhi për një ditë. Shqipërine e dua dhe unë të jetë si Europa e si Amerika edhe biles me mirë se aq. Por militant nuk jam i asnjërit përvecse i interesit të mirëqënjes time qytetare. Unë ti paguaj dritat një më një, por më siguro që faturat të më vijnë të sakta dhe jo afofe dhe kontrata me kompaninë energjetike të jetë e barabartë në mënyrë të dyanëshme, dhe ashtu siç unë paguaj kamatën kur jam i vonuar, ashtu edhe kompania energjetike të mbaj përgjegjësi kur mi heq dritat nga dy orë në ditë dhe të me paguaj dëmin ekonomik që më sjell nga këto ndërprerje. Ky do ishtë zhvillimi që ka nevojë Shqipëria për tu futur në Europë. Ky është shteti modern. Ky është shteti i së drejtës. Të tjerat janë llafe, hartime, demagogji dhe propagandë për të justifikuar karriken.

fb.com/jvasili

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?