MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Roli i fundit i Luiza Xhuvanit - Thesari

E Mërkurë 05 Nëntor, 2014
Roli i fundit i Luiza Xhuvanit

luiza_xhuvani

Edi Rama ka rezultuar sot regjizori më i pashpirt dhe më mizor që Luiza Xhuvani ka pasur në jetë.  Në ditën më të keqe të saj, ai e nxorri deputeten aktore, me lot në sy e me zë që i dridhej, të jepte shfaqen më të rëndë që ajo ka dhënë ndonjëherë përpara publikut të saj. Një nënë e traumatizuar, e veshur me të zeza, që sapo ka kuptuar se jeta e birit të saj ka vajtur për dreq njëherë e përgjithmonë, gjënë e fundit që mendon të bëjë është të ngjitet në skenë. Kjo skenë, nuk ka qenë ajo që Luiza ka menduar për sot.

Tragjedia e saj është një nga ato që të bëjnë të mbështillesh rreth hallit tënd, rreth familjes tënde, rreth njerëzve të tu të dashur, për t’u ngushëlluar dhe për të kthjelluar mendimet. Natyrisht që ajo mund ta ketë menduar dorëheqjen e mund ta braktiste edhe vetë profesionin e politikanes, që e bënte shumë më të dukshëm dhe e vendoste shumë më pranë projektorëve jetën e trazuar të birit të saj.

Por është e vështirë ta mendosh se pikërisht në momentin kur ajo ka marrë lajmin tronditës, të ketë menduar se para se t’i çojë veshjet dhe ushqimet të birit në qeli, të shkojë e të trokasë në dyert e Kryeministrisë, për t’i thënë Ramës se nuk do të lërë asnjë njollë mbi kostumin e tij. Pra Luiza Xhuvani nuk ka shkuar vetë.  Atë e kanë detyruar ta japë këtë shfaqje. Asaj i kanë dhënë rolin më të shpifur dhe më mizor të jetës së saj,  me një qëllim të vetëm: që në ditën më të vështirë të saj si nënë, ajo të shndërrohej në aktore që të mund të hiqte baltën nga figura e kryeministrit.

Loja me të ishte e ulët. Ajo ngre disa pyetje.  Përse duhej që një deputete (jo nënë e një djali vrasës) ta jepte dorëheqjen e saj në podiumin e Kryeministrisë ? Pse duhej që Luiza t’i paraprinte me fjalën e saj, fjalimit të Ramës? Për të tregur se ky i fundit nuk ishte si Berisha? Për t’i dhënë atij mundësi që më pas të fliste për Gërdecin, 21 Janarin dhe dallimin mes politikanëve të të dy kampeve?

Vërtet dallimi me pushtetin e Berishës është i dukshëm. Vërtet mbrojtja që i'u bë birit të tij në Gërdec dhe gardistëve në 21 Janar, është një krim edhe më i rëndë se krimet që ata bënë. Por pyetja që bëhet sot është? A është i justifikueshëm çdo mjet, për të bërë këtë diferencë? A i vlente përdorimi, përdhosja, dhimbja dhe mjerimi i një nëne të traumatizuar, për të nënvizuar sot, pikërisht sot, këtë ndryshim thelbësor?

Me sa duket Edi Rama nuk e ka tabu të përdorë çdo mjet për ta arritur qëllimin e tij. Dhe ajo atij i duhej sot. Ai e kuptoi këtë nga reagimet në rrjetet sociale. Ai e kuptoi këtë, kur njerëzit në korr i kërkonin nga marazi, dorëheqjen e Luiza Xhuvanit. Dhe ai iu bind babëzisë së turmës. Ua hodhi si leckë Luizën. Kur nuk i duhej më si deputete, e përdori në profesionin e saj të parë, atë të aktores.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?