MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Shqipëria, vendi ku emigranti duhet të provojë çdo 6 muaj që ende s’ka vdekur - Thesari

E Mërkurë 06 Shtator, 2017
Shqipëria, vendi ku emigranti duhet të provojë çdo 6 muaj që ende s’ka vdekur

pirro-dollani

Në këtë realitetin tonë të çmendur, ku karreristë, arrivistë, injorantë, hajna, sigurimsa dhe enverista janë konvertuar në burra shteti, deputetë, ministra, priftërinj, hoxhallarë; në këtë realitetin ku analfabetët hartojnë tekste, hajdutët kodet morale, ku edhe nëpunësi më i thjeshtë të trajton sikur të jesh kriminel kur shkon për të marrë një shkresë të thjeshtë dhe ta nxjerr shpirtin deri sa të hapësh kuletën e t’i japësh bakshish; në këtë shëndetësi tonën kur shkon te mjeku dhe i thua më dhëmb gjoksi, ai të shikon, së pari, duart nëse “ke gjë apo janë bosh”. Ti shkon të vizitohesh në poliklinikë dhe mjeku të thotë, “hajde mbasdite në klinikën time private që të vizitohesh”, pasi nuk i mjafton ai bakshish që i jep nën dorë atje në institucionin shtetëror ku paguhet për punën që bën; ti shkon të marrësh pensionin në bankën që ke kërkuar që pensioni të kalojë, që të kesh mundësi të paguash edhe dritat e ujin kur je larg shtëpisë, por arkëtari të thotë: “llogaria juaj bankare është bllokuar, pasi kanë kaluar 6 muaj nga dita që nuk keni bërë asnjë veprim me bankën, si rrjedhim, as dritat e as uji s’janë paguar”. Dhe ty o njeri, që mund të jesh ndoshta emigrant, nëse nuk do që të bllokohet llogaria bankare, të duhet që brenda 6 muajsh të vish nga Amerika, Australia, Zelanda e Re, Hëna a Marsi për të marrë jo ndonjë shpërblim apo dhuratë nga shteti, por pensionin tënd, atë përqindje qesharake të kontributit 30-40 vjeçarë që ke bërë gjatë jetës tënde si punonjës! Me atë të ashtuquajtur pension “që s’je në gjendje të jetosh as 4 ditë!”

Sipas rregullave e procedurave që ky shtet “demokratik” ka nxjerrë për “t’ua lehtësuar jetën njerëzve” nëse kanë tejkaluar 6 muaj nga dita që janë paraqitur për herë të fundit në bankë, atyre u duhet të plotësojnë një shkresë që të vërtetojnë se janë gjallë (!?!) Ty o  njeri, që nuk jeton në këtë vend të çuditshëm, të duket shaka, dhe i thua punonjësit të bankës “që s’më sheh që jam i gjallë e jam ndë jetë” dhe i tregon Kartën e Identitetit. Por punonjësi i bankës qetësisht të thotë se duhet të plotësosh shkresën me titull: “Deklaratë e Gjallesës së Pensionistëve” ((!?!) Deklaratë e gjallesës?!?

Për këtë palo shtet, ti o emigrant nuk je as NJERI, por GJALLESË, dmth-në “KAFSHË”! Sipas “Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe” kuptimi i fjalës “gjallesë” është: “Qenie e gjallë që lëviz, gjë e gjallë, kafshë”. Pra, ky shtet jo vetëm që të konsideron “kafshë”, por edhe të vdekur!!! Dhe ti je i detyruar që po kaluan 6 muaj pa tërhequr pensionin tënd nga banka e Shqipërisë, duhet të provosh se je gjallë. Dhe prova se je gjallë e jo fantazmë edhe pse shfaqesh në bankë me kartën e identitetit në dorë, është që të ulesh e plotësosh “Deklaratën e Gjallesës së Pensionisteve”, këtë shkresë IDIOTESKE, si vetë mendja e atyre që e ka shpikur!!! Pastaj nis pritja e gjatë e munduese me ditë, javë që Sigurimet Shoqërore të ç’bllokojnë llogarinë tënde bankare, për të marrë ato thërrime parash, ose më saktë, për të marrë atë përqindje të vogël të kontributit që ke bërë për 30-40 vjet në punë. (Autorit të këtij shkrimi iu desh të priste afro 3 muaj, pasi plotësoi Deklaratën fyese të Gjallesës!)

Këto rregulla absurde, munduese e torturuese nëpër të cilën i duhet të kalojë çdo ditë qytetari i thjeshtë janë shumë më tronditëse se sa peripecitë që heq “njeriu i zi” në romanin “Procesi” i Franz Kafkës. Madje, as Franz Kafka nuk mund të përfytyronte skena të tilla poshtëruese, që për shoqërinë tonë shqiptare janë bërë kaq normale, saqë edhe kur dikush i vë në dukje në media, ka plot njerëz që jetojnë në Shqipëri e që kalojnë çdo ditë nëpër këtë realitet absurd, të flasin si në kohën e diktaturës: “ju që vini nga kurbeti, po na e nxini realitetin”, por ti lumturohesh se të paktën në fund të fjalës mungon epiteti “socialist”, epitet që këta njerëz e kanë të shenjtë dhe e mbajnë, siç mbahen gjërat e shenjta: brenda gjoksit të tyre. Në të vërtetë s’ka më “zi e nxi” sesa ky realitet me këto rregulla e procedura kafkiane! Është përtej absurdes që jo vetëm t’i bllokosh çdo 7 muaj llogarinë bankare një emigranti, që ndoshta vjen në atdheun e tij vetëm për ca ditë për t’u çmallur me vendin, familjen, miqtë dhe t’i kërkosh që për të tërhequr paratë e tij nga banka, ai duhet të provojë që s’ka vdekur dhe, për këtë, i duhet të sorrollatet me ditë, javë për të tërhequr paratë e tij, paçka se shfaqet me mish, gjak e frymë para punonjësit të bankës!

Me lejoni të jap një shembull nga Amerika, vendi ku jetoj prej 23 vitesh. Ka me mijëra amerikanë që jetojnë prej dhjetëra vitesh jashtë Amerikës, në Evropë, në Amerikën Latine, etj. dhe pensioni prej dekadash u derdhet rregullisht drejtpërdrejt në bankë, pa u kthyer fare në Amerikë, apo pa provuar qoftë edhe në distancë se ata “janë gjallë e janë ndë jetë”. Kështu veprohet në vende që janë qindramilionëshe, p.sh. në Amerikë ka mbi 320 milionë banorë, ndërsa në Shqipëri, që është më e vogël se lagjja më e vogël e një qyteti si Nju Jorku”, të duhet të provosh se “je një gjallesë, dmth-në një kafshë dhe që ende nuk ke vdekur”(!?!). Dhe kur, tani,s në shekullin XXI ku nëpërmjet Internetit punonjësit e administratës mund të gjejnë në çast información të hollësishëm për çdo individ, qoftë edhe në cepin më të  largët të botës. Pse duhet të keqtrajtohet kështu çdo qytetar i Shqipërisë dhe veçanërisht ata që janë larg, emigrantët, që sipas vetë kryeministrit Edi Rama, në një bisedë me popullin më 27 dhjetor 2016 thotë shprehimisht kështu:  “Emigracioni e ka shpëtuar Shqipërinë e pas rënies së diktaturës, pa emigrantët dhe kontributet e tyre në ekonominë familjare e kombëtare, vendi ynë s’do kishte  qëndruar dot në këmbë. Po ashtu, si kudo në vend tjetër, në kohëra të ndryshme, emigracioni e ka ndihmuar Shqipërinë të jetë më e ditur e më e pasur në eksperienca. . .” Nëse vërtet mendon se është kështu Z. Kryeministër, përse administrata juaj i trajton emigrantët sikur të jenë “gjallesa, dmth-në “kafshë” dhe të vdekura” dhe u duhet të ecin nëpër ferrin e proçedurave tuaja absurde për të kryer një veprim të thjeshtë bankar?

fb/pirro.dollani

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?