MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Sikur Bankers të gjente naftë në Surrel - Thesari

E Hënë 27 Shkurt, 2017
Sikur Bankers të gjente naftë në Surrel

kico-blushi

Ka muaj që nuk shkruaj. Më duket se jam dorëzuar në pafuqi. Si jo pak shqiptarë kam humbur besimin te Fjala dhe fuqia e saj. Më duket se opinioni ynë publik është lodhur, është tejngopur me opinione dhe me fjalë, fjalë, fjalë të hedhura në erë, fjalë që nuk vlejnë më për të gjetur rrugën më të mirë e më të drejtë. 

Kam frikë se tashmë Fjala publike, morali dhe ndershmëria, bashkë me protestat qytetare nuk shërbejnë as si model dhe as si propagandë. Partitizmi dhe pluralizmi i keqpërdorur dhe sendërtuar në mënyrë anakronike dhe abuzive, aspak demokratike, ia kanë hequr opinionit publik të drejtën për të besuar. Dhe shpresuar, sepse  e kanë tredhur.

Ky është dëmi më i madh i shkaktuar, me dhe pa qëllim, në këto 25 vjet.

Gjithsesi e falenderoj kryeministrin Rama që më ktheu besimin te Fjala. Teksa e dëgjova monologun e tij javor lidhur me ngjarjet e Zharrëzës, e kuptova që isha i gabuar. Derisa ai beson se ende  ka ndikim mbi ne qytetarët me fjalimet dhe monologjet e tij të pafundme që mban anekend Shqipërisë, a duhet heshtur? 

Por le të përpiqem të zbërthej sadopak e modestisht ligjëratën e tij për Zharrëzën.

Ai pak a shumë na tha: 

1. Se banorët e Zharrëzës do të shpërblehen, se qeveria do t'u ndërtojë e suvatojë fasadat e  shtëpive. 

2. Se ata janë manipuluar nga armiqtë e qeverisë dhe nga ata avoketër që e shkaktuan katastrofën mjedisore. 

3. Se baltëhedhësit dhe të papërgjegjshmit që kërkojnë të prishin kontratën me Bankersin janë jo vetëm injorantë, por edhe njerëz që ia duan të keqen Shqipërisë, duke trembur kësisoj investitorët e huaj dhe duke synuar të dënojnë Shqipërinë nga gjykata ndërkombëtare me një gjobë bajagi të pallogaritshme...

Nuk do të përpiqem të analizoj këto kinse argumenta të kryeministrit, se nuk ia vlen. Dhe jo se ndruhem e nuk dua të rreshtohem te baltëhedhësit, përkundrazi dëshira ime e sinqertë do të kishte pas qenë që kryeministri bujar e vizionar të premtonte edhe ndërtimin e një pedonaleje në Xharrës...

E di që sugjerimet e mia e kjo lloj polemike do të ishte një punë e kotë, si t'i biesh murit me kokë. Sepse si pararendësja edhe qeveria e Rilindjes, nuk ka veshë e nuk ka as sy. Ka vetëm gojë për të bërë monolog para ekraneve dhe mikrofonëve, duke përdorur krahasimet e dikurshme me 39-tën si hulumtonte dikur diktatura. 

Qeveritarët tanë, të të gjitha  niveleve e ngjyrave, nën shëmbullin e Njëshit të sotëm juventin, njëlloj si pararendësit e tij, më së pari dehen me vetveten, me fjalën e tyre publike, me fuqinë e parasë dhe të pushtetit. Flasin për milionat sikur të flisnin për qindarkat. Krekosen me firmato para fukarenjve më shumë se  topmodelet e pasarelave. Kjo se nuk kanë punuar kurrë, se nuk e kanë nxjerrë bukën me djersë, me konkurrencë dhe aftësi, pasi që nga bankat e shkollët ata u gdhinë deputetë, ministra e kryeministra… Debati me ta nuk ndikon mbi ta, sepse frika nga gjykimi i opinionit publik për ta nuk ekziston.

Ndaj le të bëj një parabolë. Teksa e dëgjoja ligjëratën e tij më lindi pa dashur një pyetje naïve. Po sikur Bankersi të kërkonte e të nxirte naftë në Surrel dhe jo në Zharrëz dhe familja e Ramës, Zahoja i vogël të detyrohej të jetonte mbi një tokë të djerëzuar, të bombarduar nga shpërthimet e përditshme, të thithte gaz helmonjës, të pinte ujë të ndotur, të dridhej nga tërmetet e të jetonte me frikën e paniktë të shëmbjes së shtëpisë… A do të fliste vallë Rama ashtu si foli? A do të justifikonte koncesionin, duke ia hedhur fajin qeverisë së mëparshme, a thua se ai vetë është duarjashtë e gjendet hala në opozitë, pra nuk po bën katër vjet në krye të qeverisë, me gjithpushtetshmëri që do t'ia kishte zili edhe Berisha i parë? A do të justifikonte Bankersin dhe a do të mjaftohej me akuzën se këtë katrahurë e pat bërë qeveria e mëparshme? Afërmendsh nuk do të fliste kështu.  21 Janari do të përsëritej me siguri, ndoshta dhe më fort.

Sa më sipër provon se krerët tanë si të PD dhe të PS janë të njëjtë, se ata kanë të njëjtën mendësi qeverisëse, të njëjtën qasje ndaj interesave dhe vuajtjeve të popullit, dmth tjetër thonë e tjetër bëjnë. Molloisin ndryshe kur janë në opozitë e kryekrejt ndryshe në pushtet, ndryshe kur digjen vetë dhe kur rrezikohen familjarët e pushteti i tyre dhe krejt ndryshe kur bëhet fjalë për interesat publike e kombëtare.

Gjithsesi Zharrëza provoi që opinioni ynë publik ende  nuk ka vdekur, edhe pse ne si shoqëri ngrihemi e protestojmë vetëm kur na shkon thika në palcë, kur na shëmbet ose kur na përmbytet shtëpia. Zharrëza e theu edhe mithin e ndërkombëtarëve, pasi provoi se qytetarët anonimë nuk janë të kompleksuar nga ambasasdorët e fuqive të mëdha, si janë krerët tanë. Deklarata e prokurorit të përgjithshëm për trysninë e ambasadorit Lu, lidhur me hetimet për Bankersin, provon jo vetëm pse kontrata e firmosur nga qeveria e Berishës ishte kundër interesave kombëtare, por edhe se pasuesi i tij, Rama, ka frikë të bëjë atë që bëri me plehrat kimike, aq më tepër pas insinuatave të papërgjegjshme kundër Trampit.

Risi tjetër e dy protestave është se ato po ndodhin në të njëjtën kohë e në të njëjtin bulevard. Qëllimet e tyre nuk janë të njëjta. Nëse ajo partiake, e çadrës së PD u lejua, edhe pse policia e kërcënoi se e shkeli afatin e lejes, çadra e banorëve të Zharrëzës u ndalua, duke i lënë ata të flenë në trotuar, në shi e në të ftohtë… Kjo do thotë që qytetari partiak është më i mbrojtur e më i sigurtë se banori i Zharrëzës, se partiaku mund të bëjë thirrje për dhunë, për thyerrje xhamash të zyrave, për çpim gomash të autoriteteve, për tërheqje zvarrë të pushtetarëve, ashtu si mund të vjedhë, vrasë dhe abuzojë e të mos i hyjë gjemb në këmbë… Po sikur banorët e dëshpëruar të Zharrëzës të kishin thyer ndonjë xham të ministrisë së Gjiknurit, apo ca më zi të kryeministrit?

Ne pra paskemi dy lloj qytetarësh. Ca janë zengjinë, shumica yzmeqarë.

Ja përse kemi nevojë për një veting për Zharrëzën, para se ajo të bëhet për organet e Drejtësisë. Na lipset më së pari një veting për të pastruar Shqipërinë e transformuar në Zharrëz, si mbi edhe nën tokë. Për dje dhe për nesër. Sepse shqiptarët gjithënjë e më pak po i besojnë njëri- tjetrit, shoqërisë, bashkëjetesës dhe tokës së tyre. E sidomos partive dhe krerëve të tyre të pazëvendësueshëm e të pakorrigjueshëm.

Kjo është  merita e vetme, themelore dhe e padiskutueshme e dy partive në këtë një çerek shekulli… Fakti që banorët e Zharrëzës nuk pranuan të dëgjojnë kryetarin e opozitës edhe pse ky iu kërkoi falje, apo ca më keq, kur jo larg tyre nja dhjetra OJQ po mbledhin firma për vetingun, të cilat më së shumti ngjajnë si firma të hedhura kundër protestës së opozitës dhe jo firma për vetingun e Zharrëzës, dëshmon se në ç'nivel mjeran jemi katandisur. 

Gjithsesi banorët e Zharrëzës janë aty, në trotuar, të vetmuar, por të padorëzuar. Ata po na mësojnë si të sillemi me veten, me dinjitetin dhe me shoqërinë. Dhe me ata që zgjedhim.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?