MENU
thesari.com © 2001

Tërbimi i Familjes si reaksion ndaj ligjit - Thesari

E Hënë 03 Shkurt, 2014
Tërbimi i Familjes si reaksion ndaj ligjit

berisha-family

Kur udhëheqësi lejon dhe nxit me vetëdije inkriminimin e shoqërisë

Të gjitha mendjet normale e dinë se kur dikush humb në sport, në luftë apo në politikë, gjëja e parë që bëhet është analiza e shkaqeve, gabimeve e fajeve dhe përcaktimi i përgjegjësive konkrete e individuale, si domosdoshmëri për të përcaktuar strategjinë, taktikat dhe detyrat për të fituar në ndeshjen e ardhshme.

Nga ky rregull mund të bëjnë përjashtim vetëm formacione të atrofizuara politike si PD-ja e Shqipërisë dhe individë që e kanë shpallur veten e tyre të pacënueshëm dhe të pakorrigjueshëm, siç është në të vërtetë Sali Berisha. Jo vetëm sot, por tash një çerek shekulli. Jo vetëm një herë, por gjithnjë dhe për gjithçka.

Kush i ka ndjekur me vëmendje reagimet e PD-së pas 23 qershorit 2013, ka mundur të shquaj qartë se shkaqet e humbjes spektakolare politike që pësoi, drejtuesit e saj i kanë gjetur gjithkund, por asnjëherë aty ku ndodhen realisht. Fillimisht, kryetari i tyre i përjetshëm, kur doli para publikut për të vajtuar humbjen e pësuar, e bëri të qartë se, për moralin dhe arsyetimin e tij të paarsyeshëm, fajtor ishte vetë populli, i cili ishte treguar mosmirënjohës ndaj gjithë atyre arritjeve, që vetë kryetari i numëroi për një orë, duke i shoqëruar me lot pikëllimi.

Më vonë, një skotë besnikësh të tryezës së privilegjeve politike, ua faturuan përgjegjësitë herë kundërshtarëve që iu “kishin blerë votat”, ose ngase kishin bërë premtime gjigante dhe herë të tjera fatura e përgjegjësisë i kalonte ndonjë ministri (sigurisht, pa emër) që “ishte treguar mospërfillës ndaj ankesave të qytetarëve”, ose disa anëtarëve të kryesisë së partisë, por, larg qoftë, kurrë nuk ngjitej përgjegjësia deri tek Kryetari i ministrave apo Kryetari i kryesisë. Ai është i pakritikueshëm.

Kryetari i paprekshëm dha dorëheqjen, meqë është zakon i botës demokratike dhe, me referimin e tij, me mbështetjen e tij dhe nën drejtimin e tij, u zgjodh si kryetar formal një kanakar i fëmijëve të tij. Biri i adoptuar ende pa u bërë kryetar, shpall menjëherë se “ne i përkasim shkollës politike të Sali Berishës”. Kjo do të thoshte se ai dhe ata që do të mblidhen rreth tij do të demonstronin të njëjtin moral, të njëjtën sjellje dhe të njëjtën përgjegjësi politike si ati i tyre, anipse ai moral, ajo sjellje dhe ajo papërgjegjësi i ka çuar dy herë në katastrofë politike me pasoja shumë të renda për Shqipërinë. Ajo që u paratha për shkollën berishiste po e shohim të konkretizohet ditë pas dite në sjelljen e PD. Dorëheqja e “Atit” shkaktoi habi dhe kënaqësi në zyrat politike perëndimore. Nuk do mend të kuptohet se ato zyra e kishin konsideruar deri atëherë, ashtu siç ishte në të vërtetë, një njeri dhe një politikan anormal. Veprimet normale, siç është dorëheqja politike, shkaktojnë habi vetëm kur kryhen nga njerëz anormalë.

 

Angazhimi tërësor i Familjes 

Një nga shfaqjet më mbresëlënëse të kohës së sundimit të Sali Berishës, por edhe të mbasrrëzimit të tij, është angazhimi tërësor dhe shumë nervoz për të lartësuar kryefamiljarin, sundimtarin e Shqipërisë paskomuniste. Kurrë nuk ka ndodhur, as në historinë e Shqipërisë dhe as në atë të vendeve të tjera evropiane, që një familje të angazhohet si e tërë në mbrojtje të pushtetit dhe të privilegjeve.

Nuk e përjashtoj mundësinë që kundërshtarët politikë të kenë bërë edhe akuza false ndaj familjes biologjike të Sali Berishës, por reagimet e djalit dhe vajzës së tij nuk kanë qenë adekuate dhe, duke përdorur gjuhën e të atit, morën mbi vete në mënyrë të merituar neveri, nga neveria që shumica e shqiptarëve i kishin rezervuar babait të tyre. Edhe mbesa adoleshente nuk ka mundur t’i shpëtojë këtij tundimi, duke na dëshmuar se të tre brezat e familjes kanë të njëjtin moral dhe të njëjtin hall.

Nga ana tjetër, dhëndri i tij ka marrë përsipër të falsifikojë historinë dhe ta paraqesë vjehrrin si personin që, në takimin e Ramiz Alisë me intelektualët, në gusht 1990, kishte kërkuar hapur pluralizmin politik. Dhëndri nuk druhet aspak se cilido shqiptar, dje, sot apo nesër mundet ta verifikojë mashtrimin e tij duke dëgjuar (përveç se lexuar) bisedën e regjistruar. Druajtja është cilësi e njerëzve që kanë skrupuj moralë dhe dinjitet personal. Edhe ajo që konsiderohej si më e fisme në atë familje, bashkëshortja e Berishës, në një intervistë të dhënë para disa kohësh, pohonte pa drojë se ishte dakord me gjithçka që thoshte dhe bënte bashkëshorti i saj. Guxim shumë i madh, tej çdo parashikimi. Fundi për hair, thotë populli.

Java e fundit shënoi një sukses të rëndësishëm në luftën kundër krimit. Parandalimi dhe zbulimi i disa krimeve të rënda janë mirëpritur nga opinioni i gjerë. Ndihet nga larg një frymë çlirimi prej makthit që po krijohej nga shpërthimet e njëpasnjëshme të tritolit, që ndodhnin në harmoni të plotë me propagandën gënjeshtare, të tërbuar dhe panikndjellëse të familjes banditeske të Sali Berishës. Goditja që mori krimi, me të drejtë po vlerësohet si efekt i ndryshimit të pushtetit.

Suksesi i policisë po ngjall optimizëm për aftësitë dhe mundësitë e saj për t’u përballur me krimin, për ta ulur atë në nivel të krahasueshëm me atë të vendeve të tjera. Por, nga ana tjetër, suksesi shkaktoi edhe një hidhërim të madh në kampin e “Familjes”, e cila e kishte përqendruar të gjithë zjarrin e shpifjeve mbi qeverinë dhe policinë, me shpresë se inkurajimi i kriminalitetit do të çonte në destabilizim. Hidhërimin e “Familjes” e pamë lakuriq tek komandat nervoze të saj, që u shpalosën në studion e “Opinion”-it të Fevziut. Teknologjia moderne (televizive dhe celulare) na dha mundësi t’i shikonim si u bënë tok, si korbat në kërmë, të gjithë përfaqësuesit e së keqes 23-vjeçare. Nuk mund të mungonte as Fatos Nano. Humbën edhe tek studiua që prej vitesh rreket të lajë fytyrën e krimit. Po a do të vënë mend? Përvoja dhe ajo që shohim na thonë: Jo! Le të shpjegohemi më gjerë. Njerëzit e ligj do të vdesin të tillë.

Inkriminimi i shoqërisë dhe Komandanti Historia e sjelljes politike të Sali Berishës prej gati një çerek shekulli, veç të tjerash, është edhe histori e inkriminimit të shoqërisë shqiptare.

 

Çfarë do të thotë kjo?

Kur politikani ka si mision ndërtimin e shtetit puna e tij bëhet shumëfish e vështirë. Veç pengesave që i shkaktojnë rrethanat e brendshme dhe të jashtme, ai do të ndeshet patjetër edhe me ata që shtetin nuk e kanë fort për zemër. Këtu bëjnë pjesë të gjithë ata individë që, për të realizuar synimet dhe interesat e tyre, të ligjshme ose jo, të moralshme ose jo, nuk përfillin as normat morale dhe as ligjet e sanksionuara për të siguruar bashkëjetesën e pjesëtarëve të shoqërisë. Të pranosh të ndeshesh me antiligjin, antishtetin dhe antimoralin nevojitet idealizëm dhe gatishmëri për të sakrifikuar edhe pushtetin për hir të shtetit.

Qysh me daljen e tij në skenën politike Sali Berisha ka bërë të kundërtën. Ai ka qenë gjithnjë i gatshëm ta sakrifikojë ligjin, të drejtën dhe shtetin për hir të pushtetit. Në përpjekje për t’i bërë për vete shumicën e shqiptarëve ai bëri çmos që kaosin ta shesë për liri, që antiligjin ta shesë për të drejtë dhe që krimin ta relativizojë si një fenomen ”normal” të tranzicionit. Sikur të kishim mundësi të evidenconim me saktësi numrin e njerëzve që kanë grabitur tokat e të tjerëve gjatë këtyre viteve, numrin e personave që kanë bërë ndërtime pa leje, të atyre që janë marrë me kontrabandë nafte, armësh, droge, emigrantësh e fëmijësh, si dhe të atyre që kanë prerë pyjet, grabitur minierat, që s’kanë paguar energjinë elektrike, që kanë marrë ndihmë ekonomike pa iu takuar etj. do të na shfaqej një përqindje lemerisëse e popullsisë ligjshkelëse. Shtoju këtyre: gjyqtarët, prokurorët, policët dhe zyrtarët e tjerë mitëmarrës si dhe bisnesmenët që iu janë shmangur pagimit të taksave dhe atëherë do të konkludohej lehtësisht se jetën e popullit tonë për 23 vjet e ka qeverisur antiligji, pra padrejtësia.

Janë shumë domethënëse fjalët e kryesekretares së gjykatës së Pukës, e cila, e kapur nga kamerat e “Fiks Fare” thoshte se “Unë jam mafie, unë kam 20 vjet që e bëj këtë punë (sekseren e korrupsionit) por nuk flas”. Po kështu, kur dikush iu kërkoi llogari drejtuesve të një qendre votimi në rrethin e Shkodrës, në vitin 2009, se pse lejonin votimet e një njeriu për krejt familjen apo votime pa dokumente identifikimi, përgjigjja e kryetarit të qendrës së votimit ishte: “Ne kemi gati njëzet vjet që e bëjmë këtë punë. Ti do ta ndryshosh tani?”. Janë të pafundmë shembujt që tregojnë se e keqja në shoqërinë tonë ka fituar të drejtën e qytetarisë. Kontigjenti i njerëzve antishtet, është lejuar të zgjerohet dhe të rris ndikimin e tij në shoqëri me synimin që të krijohet një shtresë mbështetëse për të qëndruar gjatë në pushtet nëpërmjet krijimit dhe përhapjes së iluzionit se “kjo është demokracia që iu sollëm ne”. Krijimi i këtij iluzioni ka qenë edhe motivi që regjimi i Berishës së Parë lejoi firmat piramidale, pa menduar për pasojat.

Shembullin më kuptimplotë të nxitjes së sjelljes antiligj dhe antishtet në popull e përbën Lazarati, një bashkësi prej rreth dy mijë banorësh që për dy dhjetëvjeçarë jeton me prodhimin, përpunimin dhe shitjen e drogës e të tjera veprimtari të paligjshme, ku përfshihet edhe kundërshtimi i shumicës dërrmuese të banorëve për të paguar energjinë elektrike. Aleanca e pushtetit berishist me antishtetin këtu shfaqet hapur dhe pa maskë. PD-ja dhe kreu i saj e kanë shpallur si Bastion të PD-së Lazaratin dhe i janë kundërvënë shtetit kur ka “guxuar” ta prekë. Kështu bënë në 2005 dhe, me shumë gjasa, kështu do bëjnë edhe në të ardhmen.

 

Rëndësi ka pushteti, jo shteti

I gjithë ky “liberalizëm” është shkëmbyer me votën për pushtet. Përfitimet e ndërsjella të dy palëve në aleancë për shkeljen e ligjit, i kanë sjellë dëme të rënda sa imazhit të shtetit, aq edhe ekonomisë dhe stabilitetit të rendit. E kundërta ka ndodhur me këdo që u është kundërvënë paligjshmërive të pushteti të tyre. I kanë fyer, rrahur, burgosur, vrarë dhe kanosur se do t’i vrasin sërish. Për ta ka rëndësi pushteti, jo shteti. Prandaj shtetin e së drejtës, që e kishin premtuar që në krye të herës, nuk e ndërtuan dot. Ndërkohë që popullit i duhet shteti dhe jo pushteti. Kjo është arsyeja që disa herë iu ka dhënë shkelmin në prapanicë.

Kur udhëheqësi lejon dhe nxit me vetëdije inkriminimin e shoqërisë, atëherë ai krijon një ambient relativisht të favorshëm për ushtrimin e sjelljes dhe veprimtarisë së tij antidemokratike dhe të paligjshme. Në një ambient të tillë shoqëror, veprimet e tij, edhe kur janë qartazi kriminale, gjejnë mbështetje dhe justifikohen nga shumëkush sepse, në këtë rast, ai është veçse njëri prej atyre.

Duke pasur edhe pushtet të pakufizuar politik, rrjedhimisht, udhëheqësi në vend që të përbuzet dhe të largohet në votimin më të parë, ai admirohet dhe glorifikohet prej sivëllezërve të tij, bashkëfajtorë në shkeljen e ligjeve. Prandaj Sali Berisha mund të konsiderohet pa drojë si Komandant i Ushtrisë së Ligjshkelësve të Shqipërisë.

 

Dy tiparet e sjelljes në opozitë

Qysh në fillimin e aktivitetit të saj politik në vitin 1991, PD-ja dhe Sali Berisha i patën shfaqur hapur dy forma të të bërit opozitë. Nga njëra anë, frymëzonin, nxisnin dhe merrnin në mbrojtje aktet kriminale dhe, nga ana tjetër, bënin çmos të përbaltnin dhe inkriminonin kundërshtarin politik. Pse e bënin dhe vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë, që s’ka kurrfarë lidhjesh me opozitarizmin politik, por vetëm me gangsterizmin ordinero-politik?

Duke mos qenë bindës për vlerat e tyre shtetformuese, sidomos tani që kanë dështuar disa herë, ata besojnë se krijimi i një situate kriminale të padurueshme për qytetarët shqiptarë dhe paraqitja e kundërshtarit politik si djalli që përfaqëson gjithë të këqijat dhe që qëndron pas akteve kriminale që ata vetë nxisin e marrin në mbrojtje, do t’i bëjë shumicën e qytetarëve të thërrasin “Dum prapë Babën”. Opozitarizmi i Sali Berishës në vitet 1991-1992 ngjanë si dy pika uji me atë të viteve 1997-2005. Nxisnin aktet e dhunës dhe njerëzit për të sulmuar komisariate policie dhe institucione të tjera shtetërore, që kulmuan me aktet e 14 shtatorit 1998, kur deklaruan se “E morëm pushtetin”. Nga njëra anë nxisnin aktet e dhunës dhe pastaj dilnin në media dhe i thoshin popullit: “E shikoni? Këta nuk janë në gjendje të vendosin rendin dhe t’ju mbrojnë, prandaj sa më shpejt duhen rrëzuar…”.

Në vitin 1991 akuzuan Sigurimin e Shtetit për një aksident automobilistik në Fushë Krujë ku u plagosën lehtë Elez Biberaj dhe disa tropojanë të tjerë, por më vonë doli se drejtuesi i makinës tjetër kishte qenë kryetar i PD-së së fshatit ku ndodhi ngjarja. Për vrasjen e një mjeku të nderuar në Kukës, në vitin 2005, i cili ishte kryetar i PD-së së rrethit, përsëri akuzuan kundërshtarin politik, por më vonë u vërtetua se vrasja ishte bërë për motive ordinere nga dy anëtarë të PD-së.

Vrasjen e Azem Hajdarit e paraqitën si krim të qeverisë së Fatos Nanos dhe e përdorën si pretekst për marrjen e pushtetit me dhunë në shtator 1998. Më vonë u provua dhe u dënuan si autorë të vrasjes dy nga njerëzit më të besuar të Sali Berishës (ish-truproja u dënua me burg të përjetshëm, ndërsa shefi i truprojave me 25 vjet burg). Pak më vonë, Fatos Nanon e ftuan në audiencë dhe thanë se “Nano është një politikan vizionar….”. Edhe vrasjet e 21 janarit 2011 bënë çmos t’ia faturonin turmës, d.m.th. kundërshtarit politik, mirëpo u vërtetua plotësisht se autore ishte qeveria e tyre.

Të njëjtën gjë po bëjnë edhe tani. Është normale dhe e arsyeshme që opozita aktuale të kritikojë qeverinë për problemet e buxhetit, të taksave apo për dobësi në luftën kundër krimit, por është jashtë çdo logjike normale dhe në kundërshtim me parimet e shtetit ligjor që një opozitë politike të vihet në mbrojtje të atyre që kanë ndërtuar pa leje, të atyre që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, të atyre që s’kanë paguar energjinë elektrike apo të mbërrijnë deri atje sa, indirekt, të marrin në mbrojtje një individ që plagos policët dhe vritet nga policia pasi e kundërshton duke derdhur breshëri plumbash mbi uniformat e shtetit.

Si mundet që një opozitë politike t’i kundërvihet qeverisë për zbatimin e vendimeve penale të formës së prerë për arrestimin e falsifikuesve të zgjedhjeve në Ruzhdije apo në Dajç? Si mundet që krejt opozita të vihet hapur në mbrojtje të drejtuesve vendorë kur ata akuzohen nga prokuroria dhe gjykatat për korrupsion? Si mundet që drejtuesit e opozitës t’i thonë popullit se eksplozivet e vënë nëpër makina, në shtyllat e energjisë elektrike apo pas dyerve të apartamenteve, janë vepra të qeverisë? Si mund të akuzohet qeveria se është autore e vrasjes së të dënuarve që ktheheshin nga leja drejt burgut? Përse prokuroria shqiptare nuk i thërret si dëshmitarë këta skifterë pa sqep dhe ose të formulojë akuza për qeverinë, ose për denoncuesit e rremë? Pohime të tilla nuk janë mjete të “luftës politike”, siç përpiqet t’i trajtojë drejtësia shqiptare. Dhënia e emrave konkretë për ngjarje konkrete përbëjnë dëshmi penale që kanë si synim zbulimin e së vërtetës ose mbulimin e saj me pasojë nxitjen e kriminalitetit, duke iu dërguar sinjal autorëve realë se jemi në krahun tuaj.


Kush i bën dhe pse i bën këto akuza?

Po t’i ndjekësh me kujdes vëren se Prokurorinë Politike Opozitare e përbëjnë një grusht individësh pa dinjitet, të drejtuar nga kryetari real i PD-së, Sali Berisha. Thuajse të gjithë janë njerëz të inkriminuar. Përveç Berishës, të cilit s’do i mjaftonin 100 jetë për të paguar ato që ka bërë, në skenë del kryetari formal Basha, i cili, po të kishte drejtësi në Shqipëri, duhej të ishte në burg për shpërdorimin e 230 milion eurove në rrugën e Kombit dhe për nënshkrimin e Marrëveshjes Antikombëtare me Greqinë. Si skifterë përpiqen të shfaqen edhe një Bumç mendjelehtë, një Halim pa mend, një Ristan delinkuent (i dënuar dikur nga Berisha për shpërdorim detyre dhe i përdorur më vonë prej tij për të falsifikuar zgjedhjet e Tiranës) dhe një kokërruar që përpiqet të duket njëkohësisht “Hito katili dhe Benito Musolini” (F.Noli).

Kjo mënyrë sjelljeje ka dy synime: Së pari, të mbledhë rreth vetes gjithë kontingjentin e ligjshkelësve për të shtuar votat në zgjedhjet e ardhshme dhe, së dyti, të krijojë një armiqësi sa më të madhe të popullit me pushtetin, duke e paraqitur atë çfarë nuk është në të vërtetë.

Kur PD-ja ishte në pushtet u vranë një deputet socialist dhe një kryetar komune i PS-së por askush nuk e akuzoi pushtetin si autor, edhe pse as sot nuk janë dënuar autorët. Ndërsa tani, pushteti akuzohet edhe për një granatë që gjendet pas derës së një ish-zyrtari të PD-së. Vini re gjuhën që përdor “Familja” kundër pushtetit. Pasi shohin ëndrra gjithë natën me njerëz të revoltuar që mezi pritkan t’i rivënë ata në pushtet, në mëngjes nxjerrin në publik bumçët, halimët, bashët etj. dhe kërcënojnë: ”Mos luani me zjarrin se do të digjeni!”, duke imituar fjalë për fjalë atë që ato të burrit i kishte sa këta kanë kokat dhe që shprehjen paralajmëruese iu a drejtonte të huajve, kurse këta ”armikut të brendshëm”.

Guximi i kryetarit formal të PD-së merr përmasa qesharake kur, me sytë që s’i rrinë asnjëherë në një vend (shenjë e hipokrizisë), me fryrjen artificiale dhe trashjen e zërit (tregues i kotësisë individuale), thotë se “Nuk do të ketë asnjëherë paqe derisa qeveria të kërkojë falje për mosmbajtjen e premtimeve”.

Sipas tij, qeveria duhet të kërkojë falje pse nuk i ka realizuar premtimet e katër viteve brenda katër muajve, ndërkohë që ky, që i mohon popullit të tij paqen, ende nuk ka kërkuar falje për milionat e shpërdoruar dhe as për cenimin e integritetit territorial të vendit kur ishte ministër.

Si komandant pa akademi zoti Basha nuk e di ende se shumicën dërmuese të luftërave i kanë humbur pikërisht ata që i kanë shpallur. Ata që besojnë se Basha pengohet nga Berisha për të bërë një opozitë demokratike dhe moderne do të zhgënjehen shumë shpejt. Basha nuk mund të krijoi bashizëm, pra nuk do të mundë të ketë ndjekës. Sjellja e tij politike tregon se për këtë është i vetëdijshëm. Ai e sheh se ata që e mbështesin janë pak ndjekës fanatik të Berishës dhe një grusht njerëzish, bashkëpunëtorë të ngushtë të familjes në veprimtari antishtetërore dhe korruptive. Maskat që rreken të vihen, të huazuara në dyqane karnavalesh politik, të furnizuara nga tregtarë legalë dhe jolegalë, janë skarco dhe nuk e maskojnë dot realitetin.

Një metodë që Berisha po përdor dendur kohët e fundit është përpjekja për ta paraqitur kundërshtarin politik si individ me probleme psikike. Mirëpo, kush ka parë (dhe do të shohë përsëri) fytyrën e tij të shpërfytyruar në parlament, që i ngjan një daci të egër që ka ikur nga pylli dhe, pasi ka humbur rrugën, ka përfunduar gabimisht në qytet, mund të përcaktojë saktësisht bartësin e çrregullimeve psikike. Sikur Frojdi dhe Lombroso të ishin gjallë nuk do iu duhej shumë kohë t’ia përcaktonin diagnozën këtij “ordineri të rrezikshëm”.

 

Atëherë, çfarë duhet bërë me këtë individ?

Atëherë, çfarë duhet bërë me këtë individ, i cili që prej një çerek shekulli çliron nga goja erën e gropës septike, që nuk lë njeri pa përbaltur, që iu cenon pa droje shqiptarëve atë që historikisht e kanë konsideruar si gjënë më të shenjtë, familjen, që, i sigurt tek vërtetësia e shprehjes popullore se “Fjala është më e rëndë se plumbi”, përdor ndaj kundërshtarëve politikë fjalët më helmuese dhe kur këto i duken të pamjaftueshme i vret edhe me plumba?

Detyra e parë e qeverisë është të tregojë me punë se midis saj dhe “familjes biologjike dhe politike” në tërbim e sipër ekziston një dallim i madh kulturor, moral dhe atdhetar.

Së dyti, qeveria nuk duhet të stepet fare në punën e saj për evidentimin, dokumentimin dhe dërgimin në prokurori të të gjitha veprimeve të paligjshme të “familjes” në fjalë. Tërbimi i ”familjes” është reaksioni ndaj ligjit dhe shtetit, ashtu siç reagon një organizëm i sëmurë ndaj ilaçeve shëruese.

Së treti, duhet vënë dorë urgjentisht në sistemin e drejtësisë, i cili është bashkëfajtor dhe autor i gjendjes katastrofike të shtetit ligjor në Shqipëri. Nuk ka asnjë bazë logjike që qeveria të përgjigjet para popullit për luftën kundër korrupsionit dhe, nga ana tjetër, të mos ketë të drejtë dhe detyrim që gjyqtarët e korruptuar, në aleancë me krimin dhe antishtetin, të mos i padisë ligjërisht dhe të mos i shkarkojë urgjentisht, nëpërmjet mekanizmave kushtetues. Dhe, nëse mekanizmat janë ndryshkur, duhen ndërruar. Shumica (pushteti) duhet t’i përmbahet Kushtetutës dhe nuk duhet të stepet nga thirrjet e kërcënues të facebook-ut, të ngjashme me ato të Al Kaedës dhe simotrave të saj. Ai ka qenë dhe mbetet njeriu antishtet.

Kërcënimet dëshpëruese të Saliut dhe bandës së tij, mund të ngrenë lartë moralin e mbesave të tij dhe të kontingjenteve kriminale të lidhura me të, por kjo nuk do ndodh për shumë kohë, me kusht që shumica qeverisëse të ketë vullnet dhe vendosmëri për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet e shtetit.

Tani më shumë se kurrë nuk ka asnjë shans që të hedhë rrënjë ideja se Sali Berisha mund të ndryshojë. Të tilla përpjekje e kanë të vështirë t’i ndërmarrin edhe shërbëtorët e tij më të zellshëm, sepse populli e dallon nga shumë larg zvetënimin e tyre moral. Dikur Frrok Çupi, si armik i Berishës, shprehej: “Unë nuk jam angazhuar personalisht me Berishën, por me elementin shkatërrues të shtetit shqiptar që quhet Berishë”. Frroku, tashmë bashkëpunëtor i Berishës, ka vazhduar ta dijë se ai nuk ka ndryshuar asnjë thërrime. Ata që kanë ndryshuar gjuhën pandalshëm janë Çupi dhe çupistët, zogëzat dhe çilistët që kakarisin sa herë që pushteti i radhës ”harron” t’iu hedhë ndonjë dorë krunde.

Shqiptarët, qofshin ata qeveritarë apo qytetarë të thjeshtë duhet të kuptojnë, më në fund, se njeriu që tash një çerek shekulli i ka marrë të gjitha privilegjet politike dhe ekonomike dhe vazhdon ende të trazojë jetën sociale dhe politike të shqiptarëve, si një virus i ardhur nga Mesjeta, duhet lënë në vetminë e marrëzisë së tij. E, nëse ato që ka marrë deri tani s’i kanë mjaftuar, sepse nuk i ka merituar, i duhet dhënë ajo që meriton dhe që s’ka marrë ende. Mosdhënia e saj është vërtetë padrejtësi. Jo ndaj tij, por ndaj popullit.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?