MENU
thesari.com © 2001

Tupja ironizon Ramën: Sa mirë do ishte të dekorojnë "Plehrë e popullit" - Thesari

E Hënë 03 Tetor, 2016
Tupja ironizon Ramën: Sa mirë do ishte të dekorojnë "Plehrë e popullit"

tupjpaaa

Shkrimtari, Edmond Tupja në një shkrim me titull "Plehërisht korrekt", ka komentuar miratimin e ligjit që lejon importin e mbetjeve në Shqipëri.

Duke i mëshuar logjikës së ndjekur nga Kryeministri Edi Rama se mbetjet janë ‘lëndë e parë që shitet dhe blihet’, profesor Tupja thekson se tashmë do të duhet t’i ndryshojmë dhe kuptimin fjalës "plehrë".

Plehërisht korrekt

Zhurmë e madhe po bëhet në të gjitha mediet, por edhe në kafene, bare, restorante, madje edhe nëpër familje e kudo gjetiu, midis shqiptarëve lidhur me ligjin e plehrave apo të mbetjeve për t’u importuar, trajtuar e ricikluar në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike. Të enjten e shkuar në darkë, i ftuar nga zoti Blendi Fevziu në emisionin e përjavshëm "Opinion", zoti Kryeministër u përpoq jo vetëm racionalisht, por edhe emocionalisht, të bindte shikueset dhe shikuesit se ligji në fjalë do t’i sigurojë mirëqenie dhe vetëm mirëqenie popullit tmerrësisht të shtangur shqiptar.

Tek e dëgjoja me vëmendje dhe gjakftohtësi, nuk e di se si m’u kujtua slogani optimist "Zoti e do Shqipërinë" dhe, për një çast, ama vetëm një dhe asnjë grimë më shumë, pandeha se Zoti kishte gisht e dorë në vendimin e qeverisë Rama për të mohuar atë që kreu i saj kishte deklaruar tre vjet më parë se "Në Shqipëri nuk do të vijnë plehra/ mbetje as sot, as nesër", madje mendova që, pse jo, ardhja e plehrave/mbetjeve midis nesh, ishte, në fund të fund, një dhuratë e Perëndisë, d.m.th. e Qeverisë. Kjo dhuratë na bëhet pikërisht në një kohë kur atdheu ynë fatkeq po zbrazet nga truri dhe forca e tij e gjallë nëpërmjet emigracionit, por këtu nuk ka asgjë për t’u habitur: A nuk thuhet se Zoti të jep me njërën dorë atë që ta merr me dorën tjetër?

Gjithsesi, ndonjë mendjembrapshtë mund të kërkojë të dijë se sa duar ka Zoti dhe se, duke bërë zhonglerin, mund të na japë dhuratën e gabuar. Në këtë rast, duke qenë se thuhet "vox populi, vox Dei", dopiogjashta i mbetet në dorë Qeverisë, që përfaqëson, në njëfarë mënyre, mbarë popullin, i cili e konsideron atë si Perëndi. Nëse e kam kuptuar siç duhet zotin Kryeministër gjatë intervistës së tij, plehrat apo mbetjet qenkan vlerë, madje një vlerë e zyrtarizuar në Bursë, çka, rrjedhimisht, do të thotë se riciklimi i tyre mund të jetë burim të ardhurash, gjë që e provuaka ngutja entuziaste e vendeve afrikane, madje edhe e Malit të Zi dhe e Maqedonisë fqinjë, për t’i importuar, trajtuar e ricikluar ato; për pasojë fatlume, ekonomia shqiptare do të bëjë një hop gjigant përpara, do të hapen shumë vende pune (me siguri 300 mijë, pse jo?), do të rritet mirëqenia dhe jetëgjatësia e shqiptarëve (me siguri ngaqë tërë shërbimet mjekësore do të jenë falas jo vetëm për qytetarët e Republikës tmerrësisht demokratike të Shqipërisë, por edhe për gjithë diasporën tonë).

Po të ndjekim, pra, këtë logjikë kryeministrore, i bie që, në qoftë se dikush na cilëson si pleh ose si plehrë, kjo nuk qenka më sharje, përkundrazi, kjo përbëka një vlerësim të lartë dhe ne, me këtë rast mallëngjyes, duhet të valëvitim flamurin e krenarisë kombëtare dhe nuk duhet të habitemi assesi nëse, një ditë të bukur, mësojmë që dikush nga ne shpallet, për shembull, "Plehrë e Kombit", "Plehrë e Popullit", "Plehrë e Partisë", "Plehrë e Bashkisë", "Plehrë e Merituar" etj., etj. Në emisionin e lartpërmendur të së enjtes së shkuar, mungonin, të paktën sipas meje, vetëm tri pyetje nga ana e zotit Blendi Fevziu, të cilat po ia drejtoj unë, krejt modestisht, gati-gati me druajtje, zotit Kryeministër: Çfarë do të bëhet në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike me plehrat e grumbulluara prej vitesh në ndërgjegjen kutërbuese e një numri të caktuar shqiptarësh të racës homo politicus, sidomos kur ata kacavirren në fikun e pushtetit dhe refuzojnë të zbresin që andej? A mund të riciklohen këto lloj plehrash?

Nëse po, ku, brenda ose jashtë shtetit, në mos, përtej planetit tonë? Së fundi, dje, tek i jepja dorën e fundit këtij shkrimi, nuk e mora vesh se si më erdhi në mendje fjala "brumbull", prandaj nxitova të hapja "Fjalorin e gjuhës shqipe" (Tiranë, 2006) ku, për habinë time, mësova se brumbulli na qenka një "kandërr e zezë a e murrme, me krahë të fortë e me brirthë të gjatë, që rron në plehra", por habia ime u shndërrua në tronditje kur, po aty, një radhë më poshtë, syri më zuri proverbin "Kush shkon pas brumbullit, në pleh do të vejë". Gjithsesi, pas pak e mblodha veten, sepse, ç’është e vërteta, ky proverb tingëllon plehërisht korrekt në Shqipërinë tonë tmerrësisht demoplehkratike.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?