MENU
thesari.com © 2001

"Xhelati" që vriste natën, sot "Doktor" që të qan ditën… - Thesari

E Mërkurë 20 Nëntor, 2013
"Xhelati" që vriste natën, sot "Doktor" që të qan ditën…

sala_cry

Është e natyrshme, njerëz të “përsosur” as ka dhe as që mund të ketë.

Njerëzit, qofshin këtë njerëz të thjeshtë, apo politikanë të çdo rangu, vlerësohen sipas kontributeve të tyre në shoqëri, me të mirat e me mangësitë e tyre.

Edhe politikanët i qëndrojnë korrekt bindjeve të tyre, të asaj force politike që ata përfaqësojnë, dhe për këtë kurrkush nuk i bën ata fajtorë.

Njerëzit respektohen dhe vlerësohen për bindjet e tyre, ashtu si ata i kanë, sepse nuk është e thënë, sidomos në demokraci, që ata të mendojnë njësoj.

Dikur në sistemin njëpartiak, ata ishin të detyruar, deshën apo nuk deshën, të zbatonin ato ç’ka u thoshte partia.

Por, nga ana tjetër, për ata ç’ka shoqëria ndjen neveri, janë pikërisht ata lloj politikanësh, që pavarësisht bindjeve që kanë, i ndryshojnë ato sipas interesave të tyre.

Këta lloj politikanësh shkojnë sa majtas- djathtas dhe, për hir të së vërtetës, duhet të pranojmë se ata kështu janë “formuar” dhe nuk janë “fajtorë”.

Fajtorët në këtë rast, janë ata që u shkojnë nga pas njerëzve të tillë.

Një “model” i tillë politikani, apo më mirë t’i themi një “monstër” që është i veçantë në llojin e vet, ka qenë dhe mbetet ish- kryeministri Sali Berisha.

E ndërsa Qosja i Nastradinit “sëmurej” kur nuk vidhte, ky farë politikani “sëmuret” kur nuk bën trazira e gjullurdi.

Protesta apo trazira, pavarësisht se përse ato bëhen, ky do të jetë në krye të tyre, jo për t’u bashkuar me atë ç’ka ata kërkojnë, por për t’i hedhur “benzinë” zjarrit, vetëm për të “ngrohur” duart e veta, për të fituar sadopak për veten e vet. Le t’i shohim më konkretisht të dy anët e kësaj “monstre”!

Në karrierën e tij politike ka pasur uljet e ngritjet e tij, atë të ngjitjes në lartësitë e pushtetit dhe atë të uljes në opozitë.

Sipas vendit ku ndodhet ky “kameleon”, ashtu e ndryshon edhe “ngjyrën” e vet.

Kur është në pushtet, karakterizohet nga arroganca e bajraktarizmi, nga mënyra e të sunduarit me çdo çmim e me çdo mjet, vetëm e vetëm që të mos humbasë karrigen e vet.

“Bëmat” e tij nuk mund të hiqen lehtë nga kujtesa e shqiptarëve.

Ky nuk e ka për gjë që të paraqesë të bardhën “të zezë” e të zezën “të bardhë”.

Ky, që sa ishte në pushtet, “përgjërohej” ditë e natë për miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, nuk e ka fare për gjë, që për të fituar “parajsën” e tij të humbur, t’i paraqesë ata “armiqtë” më të rrezikshëm!

Këtij farë politikani nuk i është dridhur dora as kur ka vrarë njerëz dhe as kur ka shitur pasuritë kombëtare tek të huajt. Sipas mënyrës së vet, ka luajtur herë rolin e mashtruesit e herë atë të karagjozit, duke ua lënë “në derë’ të tjerëve kusuret e veta!

Për aq kohë sa ishte në pushtet, propagandonte me të madhe “mirëqenien’ e shqiptarëve, “rritjen e madhe ekonomike”, “zhvillimin me hapa vigane” si asnjë vend tjetër i Europës e më gjerë, në një kohë që shqiptarët, nën sundimin e këtij diktatori, nuk patën as ujë për të pirë e as kushtet më minimale të jetesës, pra e çoi shumicën e popullit në kufijtë e mbijetesës!

Gjithçka e privatizoi për interesat e tij e të oborrit të tij. Ai grabiti pasuritë e shqiptarëve e ua dha ato të huajve apo vendasve, vetëm për interesat e veta.

Jo vetëm që privatizoi pasuritë e shqiptarëve, por e “privatizoi” edhe NATO-n, edhe liberalizimin e vizave, duke i quajtur këto vetëm “suksese” të tij, në luftë me një opozitë “destruktive” që punonte “në dëm të interesave kombëtare”!

Përsa i përket mosmarrjes së statusit, këtë ia linte “në derë” vetëm opozitës “antikombëtare”!

Historia ka për të folur shumë për këtë tip anarkisti, siç e theksova edhe më lart, i veçantë në llojin e tij.

Por le të vijmë në ngjarjet e ditëve të fundit.

Njerëzit, të rinj e të moshuar, organizata joqeveritare e gjithkush, me të drejtë u ngritën në protesta për një çështje jetike siç ishte ajo e armëve kimike, aq shumë të përfolura, që ato të mos vinin për t’u demontuar në Shqipëri.

Nga të gjithë mijëra e mijëra pjesëmarrësit, i vetmi që nuk duhej të ngrinte zërin e të qëndronte larg këtyre protestave, duhej të ishte Sali Berisha.

Por ja që ky njeri, i pangopur për pushtet e që nuk njeh alfën e demokracisë, rotacionin politik, gjendet në ballë të protestave, për t’i “qarë” hallin shqiptarëve, që mbasi i “ngopi” me bukë, tani u “qan” edhe hallin që të mos “helmohen”!

Halli i vetëm i këtij “anarkisti” që e gërryen nga brenda, nuk janë armët kimike, por të gjejë një shkak, të shfrytëzojë një pakënaqësi, për të plotësuar interesat e tij të ngushta.

Dhe ja ku i erdhi “zogu” në dorë, që mezi e priste, të shfrynte tërë mllefin kundër mazhorancës së re dhe kundër Edi Ramës.

Po pse ky njeri do të ishte më mirë që të fshihej gjëkundi? Arsyet janë të shumta, që nga koha e Berishës së I-rë e deri tek Saliu i II-të, në tetë vitet e fundit.

Së pari, ai “mbretëroi” në kundërshtim me vullnetin e shumicës së shqiptarëve.

Ai, që nga zgjedhjet e vitit 1996 e deri sa u largua, bëri ç’është e mundur që me anën e vjedhjeve e manipulimeve, t’u imponohej shqiptarëve, për të ardhur në pushtet me çdo mjet e me çdo çmim, por jo me votën e lirë të qytetarëve.

Si një ish- komunist i pandreqshëm, nuk ka lejuar vendosjen e një demokracie të vërtetë, por frymën totalitare të uni-t të tij, që kjo frymë të sundonte kudo, jo vetëm në qeveri, por edhe në parlament e në institucionet demokratike.

Është “aftësia” e këtij njeriu, që të mbytej zëri i opozitës, zëri i demokracisë e të dëgjohej vetëm zëri i Sali Berishës. Është “aftësia” e këtij njeriu, që edhe institucionet demokratike të mos funksiononin, edhe ligji të mos zbatohej, por të bëhej vetëm ajo që diktonte Sali Berisha!

Gënjeu, mashtroi, sakatoi e varfëroi edhe më shumë shumicën e shqiptarëve, duke mos u thënë atyre asnjëherë të vërtetën, por i “ngopte” vetëm me rroga e pensione!

Edhe industrinë e “modernizoi”, edhe bujqësinë e “lulëzoi” vetëm me miliardat që “investonte”, por që ato shkonin në xhepat e hajdutëve të tij!

Por që mos i futemi thellë “bëmave” të tij, le të përmendim disa prej tyre.

A nuk ishte ky përgjegjësi kryesor në ngjarjet e vitit ’97, ku shteti i tij u shkërmoq brenda disa orëve?

A nuk ishte ky, që kur protestuesit kërkonin paratë e tyre, dërgoi tanket e avionët për të shtypur këto protesta?

A nuk ishte ky njeri që mobilizoi forcat nga veriu e mbushi avionët me lëndë kimike e armatim për të mposhtur popullsinë e jugut të “pabindur”, duke krijuar precedentë të rrezikshëm për një luftë vëllavrasëse?

Ky, që deshi të helmonte qytetarët e vet, ky tani na del “shpëtimtar” që shqiptarët të mos helmohen nga armët e Assad-it. Çfarë ironie!

A nuk është përgjegjësia direkte e këtij njeriu që vrau njëzet e gjashtë jetë të pafajshme, që plagosi mbi treqind të tjerë e shkatërroi qindra shtëpi dhe jo vetëm nuk dha dorëheqjen, por akoma edhe sot nuk ndjen asnjë fije përgjegjësie për tragjeditë e ndodhura!

Jo vetëm tragjedia e Gërdecit, por edhe ajo e 21 janarit, ku u vranë katër të pafajshëm, kanë nga një emër.

Ata janë Fatmir Mediu e Lulzim Basha.

“Streha” e tyre është Sali Berisha, që në vend që këta të dy e shumë të tjerë si këta, të ishin para drejtësisë, dalin sot e na bëjnë moral për pasojat e armëve kimike!

Populli le t’i gjykojë këta demagogë, se sa ata janë për hallet e popullit.

Por në të njëjtën kohë, është Sali Berisha, që jo vetëm ata nuk i çoi para drejtësisë, por i shpërbleu për “meritat” me poste e ofiqe, siç edhe ka bërë me të gjithë njerëzit e oborrit të tij, duke sfiduar jo vetëm drejtësinë, por edhe duke u tallur me shqiptarët.

A nuk ishte ky Sali Berisha, që lejoi ardhjen në Shqipëri të plehrave nga Europa pa pyetur e pa përfillur as protestat e popullit e as organizatat jo qeveritare?

Është ky hipokrit, që sot i “qan” hallin popullit shqiptar, që ai të mos helmohet nga armët kimike!

Ky kryetar “de facto” i Partisë Demokratike, mbas goditjes që mori nga vota e popullit, kërkon të nxjerrë mllefin tani kundër Ramës, që të japë dorëheqjen.

Këtë e kërkon me atë rrugë që dje tallej e i drejtohej opozitës si opozitë që i binte bilbilave, kurse sot ky ka zgjedhur rrugën e goditjes së tavolinës, si një tipik rrugaç “modern”!

“Unë, thotë ai, dorëzova kryetarin, jo Sali Berishën.”!

Kjo është e vetmja gjë reale që ai thotë!

Po të kishte mbajtur “Kryetarin” do të ishte më mirë, mbasi edhe mund të kishte ndonjë fije humanizmi, por ai ka mbajtur “Sali Berishën” që është po ai që ishte, e që akoma po na shfaqet në ekranet e televizorëve si “i persekutuar” gabimisht nga sovrani.

Por Sali Berisha mbetet po ai, por jo më “i qeshur” cinik, lajkatar, demagog e hipokrit, por edhe më tej akoma, si hakmarrës që merr pozat e një “egërsire” për të fituar “prenë” e humbur!

“Unë, tha së fundi, jam doktor Sali Berisha”!

Këtë, nuk e tha ndonjëherë sa ishte në pushtet, ku demonstroi gjithçka, që ishte jo humane.

“Ujku” tregon këmbën me “miell” për të treguar që është “dhia” dhe kujton se me të vërtetë shqiptarët do t’i “hanë” akoma përrallat e tij!

Por hakun të mos ia hamë, ai gjen “shesh” e bën “përshesh”! Sikur të ishte vetëm ky, do të ishte gjysma e të keqes.

Më e keqja është se edhe shumë të tjerë, që nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e demokracisë si Xhozefina, Majlinda, Mesila, Luli, Mediu & Co, gjejnë “frymëzim” tek ky Don Kishot. Nuk shqetësohen as Saliu, as edhe këta ish- besnikë të tij për shkatërrimin e ekonomisë, për atë që e çuan vendin në mjerim dhe e lanë jashtë Europës, për vjedhjen me të dy duart nga oborrtarët e zyrtarët e tyre, por tani na rrëmbejnë flamurin e “shpëtimtarit” për gjoja dëmet që do të na sjellin armët kimike!

Këta, e shumë të tjerë “marka’ të tilla, do të vazhdojnë të sillen kështu, përderisa nuk flet drejtësia, përderisa demokracia nuk funksionon.

Ja përse këta “doktorë” ndodhen sot në vijën e parë të protestave e derdhin lot krokodili për “hallet” e popullit!

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?