MENU
thesari.com © 2001

Ana e panjohur e protestës, një bisedë e sikletshme me një nga organizatorët - Thesari

E Martë 19 Nëntor, 2013
Ana e panjohur e protestës, një bisedë e sikletshme me një nga organizatorët

ekipi-protest-2

Një protestë… me kokën në rërë? Kastriot Frashëri bashkë me Sazan Gurin, Kozara Katin, Blendi Kajsiun, etj ishin grupi i organizatorëve të protestës. Kastriot Frashëri, pasditen e djeshme, erdhi në vëmendjen e gazetës, pasi në DITA-online, ai kishte lënë një koment si lexues internaut, duke shprehur hapur dakordësinë e tij mbi një editorial të kryeredaktorit të gazetës për çështjen e armëve kimike. Editoriali vinte në pah disa arsye pse këto lëndë mund të pranoheshin për trajtim, për pasojë dakordësia e një organizatori proteste me këto arsye, na bëri pak çudi. Ndaj dhe e kontaktuam. Vendosëm të flisnim me të.

Intervista nuk ka nevojë për shumë komente, njerëzit që kanë frymëzuar opinionin publik për lëndët kimike në emisione televizive, pranojnë pa asnjë ndrojë se nuk dinin ne thelb asgjë për këto lëndë dhe për procesin. Me pak fjalë ishin si të thuash “me kokën në rërë”, zero informacion te rendesishem mbi atë që ishin duke e kundërshtuar me aq forcë. Përmendin dhe fjalët “google”, apo “kafene” si burime të tyre të informacionit. Nuk kishin asnjë ide se kush do e kryente procesin e asgjësimit të këtyre lëndëve dhe as mbi teknologjinë që do të përdorej. E megjithatë jo vetëm dolën kundër, por frymëzuan dhe shumë të tjerë, duke konvertuar paditurinë në paranojë dhe frikë. Z.Frasheri pranon madje që nëse do kishin informacion nga qeveria, do reagonin ndryshe.

Ai shton edhe se ambientalistët shqiptarë do kërkojnë që në Shqipëri të asgjësohen mbetjet ekzistuese kimike në 30 pika të ndryshme të vendit. Kur e pyet se a ka frikë nga ky asgjësim, ai përgjigjet se nëse asgjësimin do e kryejnë specialistë, nuk ka arsye për të pasur frikë. Një logjikë që çuditërisht nuk vlejti për lëndët kimike për të cilat u protestua.

Zoti Frashëri, ju keni bërë një koment online në faqen e gazetës DITA në shkrimin e kryeredaktorit mbi lëndët kimike. Na bëri përshtypje ky koment i juaji, ku binit dakord me një sërë arsyesh që mbështetnin shkatërrimin e lëndëve kimike në Shqipëri, ndërsa jeni një nga organizatorët e protestave kundër këtij shkatërrimi. Si shpjegohet ky dyzim?

Qëndrimi në editorialin e zotit Thano e konsideroj shumë të saktë. Nëse ne do kishim informacione nga qeveria se çfarë bëhej me procesin, apo çfarë armësh apo çfarë lëndësh ishin, do ishte me mirë ti dinim.

Kjo do të thotë që ju nuk kishit informacion?

Ne nga ajo që çfarë pamë nëpër televizione, në “google” etj u munduam të informoheshim. Por nuk kishim asnjë informacion

Në “google”? Çfarë zbuluat në google?

Ne në “google” pamë këto gjërat, çfarë është Zarina çfarë janë lëndët kimike si bëhet demontimi i tyre dhe e filluam të shqetësoheshim.

Kur u bindët ju? Kur menduat se ishte e domosdoshme që të organizoheshit në një protestë, në një lëvizje?

Ne vendosëm kur mediat nisën t’i bënin jehonë kësaj çështje dhe ne u ndërgjegjësuam. Unë që në fillim jam deklaruar se Shqipëria është një vend i vogël, nuk ka kapacitetet e nevojshme, nuk ka infrastrukturë, nuk ka stafin dhe personelin teknik dhe arsye të tjera.

Dmth ju mendonit që ky process do kryhej nga një staf shqiptar… Ju zoti Frashëri nga e dinit që ky proces do të kryhej nga një staf shqiptar? Kishit ndonjë informacion?

Jo, ne nuk kishim asnjë informacion por duke parë procesin duke parë një ngjarje të shëmtuar siç ka qenë Gërdeci, siç janë dhe gjërat këtu në Shqipëri sepse shqiptarët nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë të zotë për të bërë punë për së mbari, kështu që ai mund të degradonte.

Ju mendoni që një biznes privat si ai i rastit të Gërdecit që ju referoni, është i barabartë me një çështje si kjo e lëndëve kimike siriane ku janë të angazhuar Presidenti i SHBA-ve, i Rusisë dhe OKB-ja? Mendoni se mund të hiqen paralele?

Nuk them se mund të hiqen paralele…

E dinit apo jo për çfarë procesi bëhej fjalë?

Neve në informacionin fillestar që kishim nuk e dinim se si ishte. Pastaj kur u futëm në detaje, unë personalisht fillova të bëj kërkime.

Dhe ju doli që OKB-ja dhe një kompani private amerikane në Gërdec janë e njëjta gjë?

Po sigurisht nuk janë e njëjta gjë. Janë dy gjëra të ndryshme, unë nuk mund të them dot që janë e njëjta gjë.

Kur u bindët ju zoti Frashëri, që pikërisht ajo lëndë që do vinte në Shqipëri, do bënte gjëmën? Kur e formuat këtë bindje?

E thashë në arsyet e mësipërme, Shqipëria është një vend shumë i vogël, kudo që mund të ndodhen këto, duhet të ketë të paktën një rreze ose një diametër prej 30 kilometër. Nuk mendoj se në territorin shqiptar ka ndonjë zonë apo krahinë që të mos jetë e populluar. Ne kishim informacione që magazinimi mund të bëhej në Mjekës dhe demontimi në Qafë Thanë.

Nga kush i kishit këto informacione zoti Frashëri?

Nga burimet tona, miqësore shoqërore domethënë.

Pra janë informacione të marra kështu me shokë e të njohur nëpër kafene apo jo?

Po burime tonat pra, edhe në kafene duke pyetur kolegë, shokë.

Ju thatë që qeveria duhet t’ju jepte informacione, qeveria tha që informacione të karakterit teknik nuk lejohej të jepeshin. Gjithsesi, ju i keni kërkuar këto informacione pranë autoriteteve shtetërore? Apo vendosët të protestoni pa i pasur ato?

Ne thjesht i kemi biseduar këto punë në biseda të lira, kemi kërkuar informacione nga ekspertët.

Nga cilët ekspertë?

Tani unë nuk i mbaj mend këto detaje po flas që kemi biseduar…edhe me ekspertë që kanë ardhur dhe në protesta e kanë folur.

Çfarë ju kanë thënë këta ekspertë kimie juve?

Na kanë thënë që kushtet teknike për të bërë demontimin e armëve kimike sidomos gazit Zarin duan një rreze të pabanuar prej të paktën 30 kilometër nga vendi ku bëhet demontimi.

Këta ekspertë kimie janë shqiptarë?

Po po, këta normal që janë shqiptarë.

Ju jeni informuar mbi bazën teknologjike me të cilën do operonte OKB-ja? Si u bindët ju që rrezja do ishte 30 kilometër?

Ne dëgjuam që do vinin laboratorë po nuk dëgjuam që do vinin teknologji me këto që thoni ju.

Po atëherë nga ju doli distanca e rrezes prej 30 kilometër? Pse e besuat pikërisht këtë të dhënë për 30  kilometër rreze sigurie? Përse nuk besuat një shifër tjetër prej 40 kilometër apo prej 2 kilometër?

Po sepse aq është rrezja. Sepse neve e pamë dhe në SHBA, se aty është një bazë në Kentaki, dhe diametri i sigurisë në këtë bazë është 130 milje. E njëjta gjë dhe me bazat ushtarake në Rusi. Tani kur këto vende, veprojnë në këto kushte, si mund të veprohet në një zonë në Shqipëri, fjala vjen në Mjekës apo në Qafë Mollë.

Pra, ju keni siguruar informacion zyrtar dhe të detajuar për qendrën amerikane të Kentakit apo bazën ruse që po referoni? Apo i keni me të dëgjuar?

Po jo… Ne i kemi parë kështu nëpër televizion dhe në “google”.

Sepse kam parasysh që ato janë baza strategjike ushtarake dhe informacioni për to është tepër i kontrolluar….Ju si e mësuat?

Epo gjatë kësaj kohe gjatë kësaj jave tepër të acaruar besoj se dhe fëmijët e kanë mësuar teknologjinë , e jo mos ta mësonim neve. Për ne shqetësimi kryesor ishte se jemi shumë vend i vogël. Kur neve kemi reaguar për herë të parë për këtë proces, mbas 10 ditësh apo diçka më tepër, ndoshta 2 javë, Kryetari i Parlamentit, ka deklaruar të njëjtat fjalë që kam thënë unë. Që Shqipëria është vend i vogël dhe ne nuk kemi mundësi për ti bërë këto gjëra.

Më duhet t’ju korigjoj… Kryetari i Parlamentit ka deklaruar se “Shqipëria do mbajë aq sa i mbajnë krahët” jo që nuk ka mundësi…

Këtë e ka thënë disa ditë më vonë. Mbas 4 ditësh në mos gaboj. Zoti Ilir Meta ka thënë pikë për pikë ato që kisha thënë dhe unë.

Zoti Frashëri, u vu re një protagonizëm i juaji, i  zotit Sazan Guri dhe organizatorë të tjerë në disa media sidomos emisione televizive. Si pranuat ju të shkonit të flisni për publikun, kur ju sot pranoni se nuk ishit të informuar? Sepse në “google” mund të kërkojë kushdo, edhe një adoleshent 14 vjeç, apo jo?

Shikoni këto janë mjete të komunikimit masiv, që nuk i hedh dot njeri poshtë, edhe në “Ëikipedia” mund të kërkosh dhe ajo vetë të lajmëron për informacionin e pakonfirmuar. Por për hir të së vërtetës, nëse ne do të ishim kontaktuar nga qeveria shqiptare, apo ndonjë institucion tjetër dhe do të ishim informuar në lidhje me këtë proces edhe ne do ta jepnim atë mirëkuptimin tone. Dhe ndoshta dhe publikun do ta ndërgjegjësonim.

Pra ju keni dalë në TV dhe në shesh pa ditur realisht dhe konkretisht se çfarë po ndodhte?

Shiko… ne ishim të ndërgjegjshëm të mirinformuar, sepse kjo u bë dhe nga mediat botërore prestigjioze si “Foreign Affairs”

Më falni, ju keni protestuar sepse kishit një frikë shumë të madhe se këto lëndë do sillnin helmim. Është kështu?

Po kështu është.

Atëherë më thuaj cila medie ndërkombëtare ka thënë që “X teknologji” që do përdoret mbi këto lëndë do shkaktojë helmim?

Po ç’rëndësi ka kjo.. Kur organe prestigjioze të medias botërore ty të njoftojnë për procesin e demontimit të armëve kimike në masë nga Siria dhe vende me standarde të larta si Belgjika, Norvegjia, Rusia etj nuk e pranonin, atëherë i binte që kjo mund të mbetej tek neve…

Po ju e dini se një nga arsyet që Norvegjia, apo vende të tjera nuk i kanë pranuar këto lëndë mund të jetë fakti se këto shtete kanë marrëdhënie tregtare me Bashar Al-Asadin?  E dini që këto shtete mund të kenë dhe interesa  dhe arsye të tjera të cilat nuk kanë detyrimin t’i thonë hapur? Ju si ambientalistë shqiptarë e mbështesni zotin Asad?

Zotëri kjo as që mund të diskutohet fare. Si mund të mbështesim neve një diktator…

Pra ju nuk keni probleme politike me zotin Bashar Al-Asad, por vetëm problemin teknik të lëndës kimike apo jo?

Sigurisht që vetëm teknike të lëndës.

Pikërisht për këtë më duhet tju pyes përsëri… Ku e konstatoni problemin teknik, mund të më japësh një referencë zoti Frashëri?

Si ta them, ne kemi shqetësim qytetar, sepse si ta them, asnjëherë nuk ka një garanci absolute, që ky proces do shkonte kaq mirë dhe vaj.

Po kur hipën në avion ke garanci absolute?

Jo absolutisht që s’mund të ketë garanci absolute.

Po atëherë përse i kërkuat këto garanci absolute vetëm në këtë rast zoti Frashëri?

Sepse ne kemi demontuar vetëm 16 tonë lëndë kimike, mendoje vetë tani çfarë mund të bëjnë 1300 tonë. Përveç kësaj ka dhe një problem se çfarë do bëhej me ambalazhin e këtyre armëve.

Ku e mësuat ju që do ambalazhoheshin?

Po armët si rregull vijnë të ambalazhuara.

Si janë të ambalazhuara këto lëndë kimike tani që po flasim? Si janë të depozituara pra në depot e Asadit?

Po ku ta gjej unë këtë informacion se si janë vendosur apo organizuar ato lëndë kimike… Ne me çfarë kemi lexuar në “google”…në revistën prestigjoze “Foreign Affairs” dimë që ato lëndë janë të depozituara në portin e Latakës në Siri…

Z.Frashëri, a mund të themi se ju keni dalë të protestoni të painformuar?

Ne kemi dalë si qytetarë për të mbrojtur interesin publik nga rreziku të nisur nga shqetësimi qytetar.

Po si mund të dalë dikush në shesh për të mbrojtur opinionin publik nga rreziku, ndërkohë që nuk ka asnjë ide se çfarë është konkretisht ajo gjëja që e quan rrezik?

Se çfarë janë armët dhe çfarë rreziku kanë ne e dimë. Do ishte budallallëk të thoshim se nuk e dinim se kemi lexuar siç ju thashë dhe në internet në “google” dhe burime të tjera.  Ne nuk u treguam të papërgjegjshëm gjatë protestave sepse nuk krijuam asnjë anomali asnjë destabilitet në protesta.

Kush e dha idenë për të protestuar para Ambasadës Amerikane?

Shikojini në fotografi ose TV, vetë… Në krye të tyre janë njerëz dhe shoqata që janë financuar këto vite nga Ambasada Amerikane dhe ndoshta dhe nga Soros. Ne nuk ishim kundër Ambasadës Amerikane, madje unë personalisht nuk kam qenë duke protestuar aty.

Në Shqipëri është raportuar se ka të paktën 30 vatra me lëndë helmuese. Si ju duken 30 vatra, shumë? Apo normal?

Sigurisht që janë shumë , mund të ketë edhe më shumë, këto mbeten gjithnjë një burim rreziku.

Ju do kërkoni që lëndët në këto vatra ekzistuese të asgjësohen?

Po sigurisht që do e kërkojmë, kjo nuk ka dyshim.

Nuk keni frikë se gjatë asgjësimit të këtyre lëndëve mund të ndodhë ndonjë problem siç kishit merak  në rastin e lëndëve kimike siriane?

Po shiko….për sa kohë janë në mëshirë të fatit të pakontrolluara përbëjnë rrezik, por ekziston dhe rreziku gjatë asgjësimit.

Po atëherë si kërkoni ju që të asgjësohen këto lëndë që ndodhen këtu, ndërkohë që gjatë procesit të asgjësimit mund të na ndodhë gjëma?

Shiko…mendoj se për këtë proces duhet të mendojnë specialistët. Nëse e kryejnë specialistët do e mbështesim.

Për këto lëndë që ndodhen këtu duhet të mendojnë specialistët thoni ju, jo ambientalistët?

Po sigurisht që specialistët. Ata duhet të mendojnë.

Marrë nga Gazeta Dita

Mendimi juaj
19 Nëntor, 2013 14:05 UTC
Elsa Mani
Mjer Shqiperia. Regres intelektual i mirefillte
19 Nëntor, 2013 15:07 UTC
karpathian
per fat kam mare pashaporte te huaj
Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?