MENU
thesari.com © 2001

BSH - një kazino me manaxher Fullanin. Dëshmi e ish-vartësit - Thesari

E Shtunë 02 Gusht, 2014
BSH - një kazino me manaxher Fullanin. Dëshmi e ish-vartësit

money-cash

Ardian Fullani dhe klani i tij e kanë kthyer Bankën e Shqipërisë pikërisht në një kazino të djallit, ku ata luajnë dhe vetëm fitojnë për veten e tyre, në dëm të gjithë shqiptarëve që ligjërisht janë si të thuash bashkëpronarë të kësaj banke publike. Nëse në Shqipëri media, si gazetat ashtu dhe televizionet do të qenë serioze dhe instrumente sharlatanësh spekulues, buxheti i Bankës së Shqipërisë i vitit 2010, do të ishte diskutuar gjerësisht në media dhe Ardian Fullani dhe Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë do të qenë thirrur në parlament dhe do të detyroheshin që të jepnin dorëheqjen kolektive. Opozita duhej të ishte e para ajo që do ta ngrinte zërin për shndërrimin e Bankës së Shqipërisë në një kazino të djallit. Prokuroria e Përgjithshme, mjaft që të lexonte buxhetin e vitit 2010, duke e krahasuar edhe me ato paraardhëse dhe do të kishte mjaft material për të marrë të pandehur krejt Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, me Guvernator Fullanin në krye.

Buxheti i Bankës së Shqipërisë i vitit 2010 stonon me atë të gjithë institucioneve të tjera në Shqipëri të cilat kanë ulur shpenzimet e tyre. Kështu, derisa në buxhetin e vitit 2008, për “Shpenzime personeli” kishte 886 392 000 lekë (këtu dhe në vazhdim bëhet fjalë për lekë të rinj), në 2010, kjo shumë është rritur në 1.159 643 000 lekë. Kjo shumë shpenzohet për 450 punonjësit e Bankës së Shqipërisë, duke i bërë ata komunitetin burokratik për të cilin shpenzohet më shumë në Shqipëri. Këtu duhet pasur parasysh se rritje ka pasur edhe në buxhetin e vitit 2009, por unë po e bëj krahasimin me vitin 2008, se kështu bëhet sot në botë.

Në 2008, fondi për pagat e personelit ishte në shumën prej 516.000.000 lekë. Në buxhetin e vitit 2010 fondi i pagave të paguara drejtpërdrejt, pa shpërblimet është rritur në shumën 704 539 000 lekë. Skandali është i dyfishtë se punonjësit e Bankës së Shqipërisë janë më të mirëpaguarit në Shqipëri, kështu që kjo rritje prej 20% e fondit të pagave, në krahasim me vitin 2008 është skandal mbi skandal, aq më tepër po të mendojmë dhe rritjen e vitit 2009. Punonjësit e Bankës së Shqipërisë, sikur të mos u mjaftojnë pagat e mëdha, marrin edhe shpërblime të mëdha mbi pagën. Në të gjitha bankat e botës nuk jepen shpërblime që me fillimin e krizës, por në Bankën e Shqipërisë ndodh ndryshe. Në buxhetin e vitit 2008 për shpërblimet e personelit kishte një fond prej 163.000.000 lekë të reja, si dhe shpërblime suplementare në masën 9.600.000 lekë të reja. Në vitin 2010 fondi për shpërblimet u rrit në 218 920 000 lekë, ndërsa ai për shpërblime suplementare është 5 000 000 lekë, pra u rrit me 23%. Një rritje të tillë asnjë bankë në botë nuk do të guxonte që ta bënte në kohë prosperimi ekonomik, jo më në kohë krize.

Në buxhetin e vitit 2008, për zërin «kompensimet dhe ndihmat financiare», i cili natyrisht se është jashtë fondit të pagave dhe shpërblimeve, u caktuan 23.800.000 lekë. Në 2010 kjo shumë është rritur në 37 000 000 lekë. Në buxhetin e vitit 2008 kishte dhe 8.800.000 lekë për ekskursione! Duhej pritur që në buxhetin e vitit 2010 ky shpenzim luksi të ishte hequr fare. Por jo, në kazinon e djallit të guvernator Fullanit as që bëhet fjalë për privime të tillë. Kështu që në buxhetin e vitit 2010, për ekskursione janë caktuar 10 400 0000 lekë të rinj. Duke konsideruar pagat dhe shpërblimet e mëdha që marrin punonjësit e Bankës së Shqipërisë, duhej pritur që së paku këtë vit të mos figuronte fondi i destinuar për “lindje-martesa-vdekje” të punonjësve të Bankës. Kjo as që i ka shkuar ndërmend Fullanit dhe shokëve të tij të tryezës së kazinos, të quajtur Këshilli Mbikqyrës i Bankës. Kështu që për këtë gjë në 2010 janë caktuar 7 900 000 lekë. Gjithashtu në 2010 janë caktuar edhe 11 000 000 lekë për “kujdes shëndetësor”. Fullani i pëlqen shumë këto lloj shpenzimesh të llojit «kujdes shëndetësor» se me to mund të vjedhë lehtë, me fatura fiktive.

Në buxhetin e vitit 2008 kishte dhe 6.500.000 lekë, të ndara për «shpenzime të tjera të njëjta, festa». Merret vesh, «shpenzime të njëjta, festa» do të thotë ekskursione e gjëra të tilla. Edhe kjo shumë është rritur paturpësisht në buxhetin e vitit 2010, ku për “shpenzime të tjera të njëjta, festa” janë caktuar 7 700 000 lekë. Sikur të mos të mjaftonin të gjitha këto, në buxhetin e vitit 2010, në zërin “Shpenzime të tjera për personelin” janë caktuar 19 964 000 lekë. Këtu, për “uniforma, veshje pune” janë caktuar 1 113 000 lekë. A thua do t’ i veshin firmato punonjësit me uniformë të Bankës, për të cilët janë shpenzuar çdo vit shuma të mëdha për veshje! Po në rubrikën e shpenzimeve të tjera për personelin, në buxhetin e vitit 2010, për “kompensim ushqimi” janë caktuar 10 900 000 lekë. Kjo do të thotë që punonjësve të Bankës t’ u paguhet diferenca e çmimit për ushqimet që konsumojnë në mjediset e bankës në restorantin e hapur guvernator Fullani, i cili e ka bërë Bankën edhe restorant, madje edhe hotel.

Nëse do të krahasoni kartat e një kazinoje mafioze me ato të bankës që drejton Fullani, dallimin do ta gjeni vetëm në nuanca. Kur bosin e një kazinoje mafioze e braktis fantazia, ai nxjerr pistoletën. Kur Fullanin e braktis fantazia ai shkruan në buxhetin e vitit 2010 “Të tjera shpenzime administrative” dhe për këto shënon shumën 139 244 000 lekë. Në vitin 2008, në rubrikën «bordiishpenzimeimbledhjeihonorare» kishte 21.294.000 lekë të reja. Këtu futen shpërblimet dhe honoraret që marrin shtatë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, që miratojnë buxhetin e bankës, duke filluar nga vetë Fullani, që është ex officio kryetar i Këshillit Mbikqyrës. Në vitin 2010 kjo shumë u rrit në 23 000 000 lekë. Kjo do të thotë se vetëm për shpërblimet dhe honoraret e një anëtari të bordit, i cili merr pjesë në një mbledhje në muaj, Banka shpenzon 3.3 milion lekë të rinj. Këtu natyrisht se nuk futen shpërblimet e tjera që marrin anëtarët e bordit për ekskursione, udhëtime, kualifikime shkencore, sport, ushqim etj.

Për vitin 2008, në buxhetin e Bankës së Shqipërisë qenë caktuar 40.000.000 lekë të reja për «shpenzime udhëtimi biznesi jashtë vendit». Në vitin 2010 për “Shpenzime udhëtimi, biznesi (shërbimet jashtë shtetit)” u caktuan 65 000 000 lekë. Në buxhetin e vitit 2008 qenë caktuar 10.000.000 lekë të reja për «shpenzime udhëtimi biznesi brenda vendit». Në vitin 2010 kjo shumë është rritur në 16 259 000 lekë.

Gjithsej shpenzimet e Bankës së Shqipërisë arrijnë në 4 196 196 000 lekë të rinj. Kjo do të thotë se buxheti vjetor i Bankës së Shqipërisë është sa shuma që kjo bankë i dha qeverisë për blerjen e Hotel “Dajtit” (4 148 400 000 lekë të rinj). Vetëm ky krahasim mjafton për të treguar abuzimin flagrant të Fullanit. Kur opozita e kritikon Fullanin se me blerjen e Hotel “Dajti” ai thjesht i dhuroi para qeverisë në një moment të vështirë.

Më mirë se çdo gjë tjetër, abuzimin flagrant të Fullanit e tregon raporti i të ardhurave të bankës me shpenzimet, do të thotë me buxhetin vjetor të saj.  Kështu, ajo do të shikonte se nuk asnjë bankë qendrore në botë, përveç në vendet e superkorruptuara afrikane, ku shpenzimet vjetore të bankës të zenë 45% të të ardhurave vjetore të bankës, siç ndodh me Bankën e Shqipërisë.

Autori eshte nje zyrtar i Bankes Qendrore ne Tirane, Tiranë 2012

Dita

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?