MENU
thesari.com © 2001

Dallëndyshja në folenë e Irfanit - Thesari

E Dielë 11 Janar, 2015
Dallëndyshja në folenë e Irfanit

dallendyshe-bici

Edhe Dallëndyshja e INUK në folenë e ngrohtë të Irfanit.

Kryeinspektorja e INUK (Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar), Dallëndyshe Bici, e cila këto kohët e fundit meriton të quhet Zonja Fadromë për shkak të prishjeve të shumta të ndërtimeve të paligjshme që janë kryer me urdhër të saj, sot ka botuar një shkrim moralizues në gazetën “Panorama” me titull “INUK dhe mentaliteti antishtet”. Them shkrim moralizues se zonja kërkon të na bindë që e ka marrë detyrën e Kryenspektores me vetëdijen edhe të një misioni moral, atë të emancipimit (çlirimit) të qytetarëve shqiptarë nga mentaliteti antishtet, përveçse të çlirimit të hapësirave publike. Por mënyra që ka gjetur Dallëndyshja e INUK për të publikuar tekstin e saj moralizues, gazeta “Panorama”, e zhvlerëson moralizimin e saj, dhe është njëjtë sikur një vajzë të bëjë një fustan nusërie duke qepur bashkë prezervativë të përdorur. 

Nëse ka pasur gjatë tetë viteve që PD ka qenë në pushtet, një gazetë e cila është përdorur abuzivisht për të siguruar pronari i saj privilegje të kundërligjshme në dëm të pronës publike, një prej të cilëve është zaptimi i hapësirave publike, për ndërtime abuzive, kjo është gazeta “Panorama” Sa iu përket televizioneve, ka qenë KLAN i Aleksandër Frangajt. Gazeta “Panorama” nuk është një medium, por një instrument mafioz i konceptuar dhe i përdorur nga pronari i saj, pikërisht në funksion të mentalitetit antishtet që kritikon Dallëndyshja e INUK. 

Nëse ka në Shqipëri ndonjë monument të mentalitetit antishtet, sa i përket zaptimit të hapësirave publike dhe ndërtimeve abuzive në to, ky me siguri që është një kompleks pallatesh që ka ndërtuar Irfani, pasi ka zaptuar një pjesë të oborrit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipoteka) në Tiranë. Kjo ka ndodhur para vitit 2005, pra kur në pushtet ishte PS. Në atë kohë zaptimi i kësaj hapësire publike u bë shkak që që Banka Botërore të tërhiqej nga financimi i një pjese të projektit për modernizimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pallati më i lartë i kompleksit ndërtimor, i cili i bën hije Burgut 313, që gjendet aty afër, dhe i cili pallat ka shtatë kate pa leje, është monument i pushtetit abuzues që siguruan disa oligarkë si Hysenbelliu, duke keqpërdorur gazetat dhe televizionet që kanë në pronësi, në kohën që PD ishte në pushtet, në vitet 2005-2013. Ironikisht, lejën fillestare për ndërtim Hysenbelliu e mori nga shefi i Dallëndryshes, Edi Rama, në kohën që ai ishte kryetar bashkie. Por katet pa leje Irfani i i ndërtoi kur në pushtet erdhi Berisha në 2005, se kishte garancinë nga Berisha dhe Basha se nuk do t’ i prekeshin ato. 
Madje, Sali Berisha,m kur u bë Kryeministër në 2005, bëri një VKM (vendim të Këshillit të Ministrave) të posaçëm në favor të Irfanit, me të cilin këtij të fundit iu dha në pronësi toka në oborrin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në një zonë urbane të preferuar të Tiranës, në këmbim të një toke që gjendej në periferi të Tiranës dhe që shtetit gjoja i duhej për nevoja publike.

Dallëndryshja e INUK mund të thotë se Irfani sot i ka letrat në rregull (letrat e Irfanit i rregulluan Sali Berisha në Qeveri dhe Lulzim Basha në Bashki), prandaj ajo mund të publikojë pa asnjë ngurim në gazetën e qytetarit Irfan. Por Zonja Fadromë në shkrimin e saj e shtron çështjen filozofikisht, duke folur për mentalitetin antishtet. Filozofinë, Zonja Fadromë e ka ushtruar në restorantin modest të peshkut ku ishte kliente e përditshme deri kur mori detyrën e lartë, nga pikëpamja e lartësive institucionale të tranzicionit, ku ndonjë institucion merr përpjetë si prras i rritur me hormone, duke sfiduar të tjerët. Dhe nga pikëpamja filozofike, Irfani përfaqëson mentalitetin antishtet në trajtën e tij më të sofistikuar. Se Irfani e ka keqpërdorur shtetin për të legjitimuar ndërtimet e tij të kundërligjshme. Nëse Madamë Fadroma nuk ka fuqi që ta bëjë këtë gjë, së paku të mos publikojë tekste moralizuese në gazetën e Irfanit. Se kur edhe Dallëndryshja hyn në folenë e Irfanit, atëherë është e qartë, se e gjithë kjo fushata e INUK vetëm me ligjin nuk ka të bëjë fare.

Nëse shefi i Dallëndyshes, Korbi, do të kishte synim që të rrënonte mentalitetin antishtet, ai do t’ ia niste me njerëzit si Irfani, jo me njerëzit e dobët e pambrojtur. Të gjitha veprimet e kryera nga zyrtarët e shtetit në dobi të Irfanit, në mënyrë që ky të legjitimonte ndërtimet e tij të përmendura më lart, janë kryer në shkelja të ligjit, dhe të gjitha ato akte mund të shfuqizohen dhe autorët e tyre të shkojnë në burg e pastaj Madamë Fadroma të kafshojë pallatet e Irfanit me dhëmbët e saj të hekurt.

Edhe rasti më i rëndë i ndërtimeve të paligjshme që ka prishur INUK, duket si një shaka në krahasim me ato që ka bërë Irfani dhe të tjerë si ai. Kur Dallëndyshja e INUK iu drejtohet qytetarëve nëpërmjet gazetës së Irfanit, kjo është njëjtë sikur shteti për të cilin flet kjo zonjë të jetë Irfani, pavarësisht se ndërrojnë qeveritë. Me Dallëndyshen e hekurt të INUK në folenë e ngrohtë të Irfanit, mentaliteti antishtet vazhdon edhe në INUK. Se aspekti më i rëndë i mentalitetit antishtet sa i përket përvetësimit të paligjshëm të hapësirave publike për ndërtime abuzive, është qëndrimi i dyfishtë i shtetit ndaj zaptuesve. Pikërisht zyrtarët si Dallëndyshja që betohen në ligj e shtiren se kanë standarde morale absolute, përfaqësojnë shkallën më të lartë të mentalitetit antishtet.

Nga foleja e ngrohtë e Irfanit kanë dalë ylli i ri politik i PD-së, Grida Duma (ish-sekretarja e Irfanit), zëdhënësja e sotme e PD-së, Ori e ndonjë tjetër. Tani, në një mënyrë apo një tjetër, në këtë grup hyri dhe Dallëndyshja e INUK. Se për Irfanin ka shumë rëndësi që Madamë Fadroma ta begenisë gazetën e tij me një opinion, të cilin ai e ka vendosur si editorial. Kështu Madamë Fadroma bën punën e shërbëtores të shtëpisë së Irfanit, e cila pastron në makinën larëse rrobat e pronarit. Madamë Fadroma pastron imazhin e Irfanit si zaptues tokash publike.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?