Në një fjalim të tij në Kuvendin e Shqipërisë në korrik të vitit 2000, ndërkohë që qeveria “Meta” bënte disa ndryshime në kabinet, Sali Berisha është ndalur veçanërisht në figurën e Arben Imamit, i cili ishte dekretuar si Ministër Drejtësie. Më poshtë po japim të plotë tekstin për Imamin, marrë të zbardhur nga gazeta RD e asaj kohe.
* * *
"Një akt tjetër i papërgjegjshëm është zëvendësimi i ministrit Panda me ministrin Imami, që përfaqëson së pari një fyerje të rëndë për të gjithë shqiptarët, vendosja në krye të drejtësisë e një xhahili si Arben Imami.
Akte të tilla në të vërtetë kanë bërë vetëm diktaturat, ose kanë bërë ata, të cilët kanë dashur me çdo kusht të politizojnë drejtësinë, pra të vendosin atë në kontrrollin e plotë politik. Kam pasur rast të vizitoj kurora absolute, ish-koloni të Mbretërisë Britanike, por edhe në këto vende kam gjetur ministrër Drejtësie një jurist, trashëgimi kjo e ligjit britanik të mbetur në këto vende.
Kurse këtu vendoset në krye të drejtësisë një i pavetëdijshëm, një njeri që është shquar gjithë jetën e tij për aventurizëm dhe për mediokritet, ndërkohë që drejtësia përbën dhe problemin më të madh të shtetit dhe shoqërisë shqiptare.
Pa një drejtësi të pavarur, nuk mund të ketë liri njerëzore dhe shtet ligjor në Shqipëri. Në krye të drejtësisë erdhi njeriu që veshi rrobat e kolonelëve grekë për të djegur Gjirokastrën dhe Sarandën, njeriu që ka borxhe të mëdha ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe çfarëdo që të emërohet dhe kudo që të shkojë, do përgjigjet për atë që ka bërë."
* * *
Dhe në fakt z. Berisha me të marrë pushtetin e ndëshkoi z. Imami duke e bërë Shef të Kabinetit të tij në 2005-2009 dhe më pas 2009-2013 duke e veshur Ministër të Mbrojtjes...
Momentalisht Arben Imami është kallëzuar penalisht për korrupsion.
