MENU
thesari.com © 2001

Diplomacia nuk është një ekspozitë zhgaravinash - Thesari

E Mërkurë 09 Nëntor, 2016
Diplomacia nuk është një ekspozitë zhgaravinash

rama-trump-soros

Nëse pjesa më e madhe e botës progresiste po e shikon me shqetësim ngritjen në krye të perandorisë së vetme të globit të një populisti gënjeshtar, ksenofob, dhe misogjen, shqiptarët kanë arsye të jenë dyfish të ankthosur.

Nëse i besojnë deklaratave të kllounit që kanë për kryeministër, sot, me fitoren e Tramp, ka ndodhur një fatkeqësi për Amerikën. Sot, pas këtij rezultati, Tirana rrezikon t'i përkeqësojë marrëdhëniet me Uashingtonin. Sot, ne kemi një shef qeverie që do të figurojë në fishat e Departamentit të Shtetit, si kritiku më i ashpër i presidentit të 45 të SHBA.

Që kur Rama filloi kryqëzatën e tij anti Tramp, nuk qenë të pakët diplomatët e lartë amerikanë që i kujtuan privatisht se nëse manjati i ndërtimit fitonte një ditë, ata do të ishin të detyruar t'i raportonin qëndrimet e kryeministrit të një vendi aleat të NATO-s.

Natyrisht, Edi Rama nuk ua vuri veshin. Atëherë Donaldi ishte vetëm një nga konkurentët në garën brenda partisë së tij. Atij i ishin kundërvënë disa nga elefantët republikanë, ndërkohë që establishmenti mediatik dhe lobet e mëdha financiare e merrnin si të kryer fitoren e Klinton.

Me siguri, kjo përllogaritje foshnjore e bëri Edi Ramën në rrugëtimin e tij kritik, ironik dhe tallës për Donald Trampin. Ai zgjodhi një strategji. Fillimisht e sulmoi atë në mediat shqiptare, i bindur se lajmi do të përhapej dhe se për pikpamjet e këtij lideri të një vendi të vogël ballkanik do të interesoheshin më të mëdhenjtë e globit. Dhe ashtu ndodhi. Zëri i Amerikës, New York Times, CNN i kushtuan vëmendje kryqtarit anti Tramp nga Shqipëria.

Dhe e gjitha kjo u bë me një qëllim. Po të shikosh datat e intervistave të Ramës, ku flet për rrezikun e prishjes së marrëdhënieve Tiranë - Uashington nëse fiton Tramp, vë re se ato janë bërë vetëm pak ditë përpara se ai të shkonte për takim me Obamën në Shtëpinë e Bardhë.

Taktika është e njohur. Eshtë ajo e intelektualit sipërfaqësor, e politikanit që jep shfaqje, e artistit që më shumë se për mendimin synon ekzibicionin. Lider i një vendi të papërfillshëm, i sfilitur me lobingje për të shkuar deri tek Obama, i kapluar nga makthi se nuk do të mund të shkelte në zyrën Ovale, Rama donte t'i ofronte diçka mikpritësit të tij.

Dhe duke ditur se Obama nuk e duronte dot Trampin, jo vetëm si një kundërshtar politik, por edhe si një ksenofob që i kish kërkuar çertifikatën e lindjes në garën e 2008 për president, ai tentoi të shkojë në takimin me presidentin si flamurtari ballkanik i kryqëzatës kundër Tramp.

Në fakt edhe në këtë rast, Rama nuk bëri asgjë më shumë sesa atë që di të bëjë gjithnjë. Të luajë kllounin dhe të japë shfaqje. Ai përdori të njëjtin stil me të cilin kërkoi t'i hyjë në zemër Anxhela Merkelit, kur i tregonte anekdoda me basketbollistët shqiptarë të komunizmit që udhëtonin drejt perëndimit.

Ai përdori të njëjtën strategji, që u bashkëngjit vizitave të tij zyrtare edhe ekspozitat e tij të zhgarravinave.

Ai luajti si gjithnjë rolin e politikanit që bën spektakël pa thelb. Të njeriut për të cilin vëmendja është gjithçka dhe qëllimi asgjë.

Dhe deri këtu nuk ka asnjë surprizë. Eshtë i njëjti Ramë që njohim dhe përqeshim prej kohësh.

Por, problemi nuk është personal. Sepse në fakt ne kemi një kryeministër që na ka paralajmëruar për përkeqësimin e marrëdhënieve me SHBA. Sepse ne kemi një shef ekzekutivi që do të figurojë në dosiet amerikane si flamurtari i parë anti Tramp.

Dhe sot pyetja është a duhet të shqetësohemi për këtë? A do ketë kjo ndikim në marrëdhëniet dypalëshe?

Ndoshta asnjë kataklizmë nuk do të ndodhi. Ndoshta deklaratat e një pelihvani qesharak nga Shqipëria nuk do të mbërrijnë as deri tek Tramp, as deri tek stafi i tij i ngushtë.

Por problemi tek kjo fabul nuk është ky. Ai nuk qëndron në faktin se Shqipëria do prishet me SHBA-në. Ai qëndron në faktin se ne kemi në krye një kryeministër të aftë për të bërë dordolecin edhe nëpër botë.

Ai është i njëjti njeri që foli 8 muaj më parë për rrezikun e përkeqësimit të marrëdhënieve dhe që sot, pas fitores të Tramp, deklaroi bindjen e vet se pas kësaj fitoreje “marrëdhënia strategjike me SHBA do të forcohet”. Kjo është tragjedia.

Ndaj nëse sot bota është në ankth për zgjedhjen e një shoumeni populist në krye të Amerikës, ne duhet të merakosemi se kemi një sharlatan delirant në krye të Shqipërisë. 

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?