DURRES- PD në qytetin bregdetar në Durrës po ngjan me atë në qendër, teksa është e ndarë në dy grupime të forta dhe që përfaqësojnë kreun Lulzim Basha e ish-rivalin e tij për postin e kryetarit Sokol Olldashi. Përplasjet kanë nisur që herët e vijojnë. PD dega Durrës duket e ndarë në klane njëlloj sikurse ngjet edhe në Tiranë me këtë parti. Kjo ndarje është ndjerë më shumë sidomos pas zgjedhjeve në parti në korrikun e shkuar kur kryetari i kësaj dege Igli Cara u "përjashtua"nga grupi i punës për hartimin e listave të zgjedhësve. Një situatë e tillë ndarje ka ndikuar në atrofizimin e kësaj dege aq sa prej kohësh nuk është ndërmarrë asnjë nisëm politike lidhur me situatën në vend apo me zhvillimet e tjera. Duket se të dyja palët po presin zgjedhjet për krerët lokalë të partisë si dhe emërimet në forumet drejtuese të PD të cilat u shtynë për një periudhë të pacaktuar për të shpërthyer me të gjithë mllefet e akumuluara. Dega e PD në Durrës është e dyta pas Tiranës për rëndësinë që ajo mbart.
Klanet.
Dy janë grupimet më të forta të cilat kanë dalë në pah sidomos pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Grupimi i parë dhe më i madhi është ai që mbështet Lulzim Bashën. Ky grup u konturua si kundërshtar i grupit Olldashi, Cara, Teliti, Ndreu që për 8 vjet komandoi administratën e Durrësit dhe gjithçka që lidhej me të. Ai bënte emërimet në të gjitha nivelet e kësaj administrate duke nxjerrë thuajse jashtë loje grupimin tjetër që është vënë në mbështetje të kryetarit aktual të PD Lulzim Basha.
Sipas burimeve nga kjo degë në Durrës, grupi që mbështet Bashën doli hapur kundër grupimit Olldashi gjatë fushatës së zgjedhjeve për krytarin e kësaj partie në muajin korrik. Pakënaqësitë e pjestarëve të këtij grupi lidheshin kryesisht me problemet e emërimeve në administratën shtetërore dhe atë lokale. Ata pretendonin pjesë më të madha nga ndarja e tortës së pushtetit qoftë me vende pune qoftë dhe me benefice të tjera të cilat rrjedhin nga qenia në pushet. Pas zgjedhjeve për krerët vendorë si dhe pas atyre për në forumet më të larta të Partisë Demokratike në qendër, duket se do të dalë më mirë në pah carja e kësaj dege në Durrës e cila ze fill nga qendra në Tiranë.
Dy grupet brenda PD në qarkun Durrës
Grupi që mbështet Lulzim Bashën
1.Oerd Bylykbashi depuetet
2.Gent Strazimiri deputet
3.Genc Juka ish prefekt i Durrësit.
4.Pëllumb Berisha ish Drejtor i Patentave
5.Zamir Ramadani ish Drejtor i Hekurudhave.
6.Sabah Jemishta Drejtor Drejtorie në Ministrinë e Kulturës.
7.Seid Kërtusha Ish n/Drejtor i Portit të Durrësit.
Grupi që mbështet Sokol Olldashin
1.Igli Cara deputet
2.Eduart Halimi deputet
3.Eduart Ndreu ish drejtori i portit detar.
4.Dokleat Ademi ish drejtor i Ujësjellësit të Durrësit
5.Armand Teliti kryetar i Këshillit të Qarkut të Durrësit.
6.Alban Isteri ish Drejtori i Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar.
7.Mit'hat Mema Rektor i Universitetit"Aleksandër Moisiu"në Durrës
