MENU
Thesari.com © 2001 - 2023

E vërteta mbi Shatërvanin e Durrësit - Thesari

E Shtunë 30 Gusht, 2014
E vërteta mbi Shatërvanin e Durrësit

shatervani 2

Në 2008 Bashkia e Durrësit ideoj projektin për "Rivitalizimin e Sheshit Iliria të qytetit të Durrësit" dhe hapi një konkurs ndërkombëtar me vlerën 5 milion euro, fond kredi nga Banka Arabe. Për këtë projekt në atë kohë Kryetari Bashkisë Vangjush Dako shprehet se Sheshi Iliria

"...është zemra e përhershme e qytetit, përfaqësuese dhe simbol, vendi publik kryesor i jetës kolektive...". 
(Gazeta Shqip 13/10/2008)

Dhe në të vërtetë ashtu ka qënë për të gjithë durrsakët që me atë shesh identifikonin qëndrën e Durrësit.

Mirëpo nuk dihet sa e kishte vënë re Kryetari i Bashkisë deri në atë kohë që në atë shesh ndodhej një shatërvan i cili është ndërtuar si pjesë e të njëjtit projekt me ndërtesën e Bashkisë ku ai sot ka zyrën. Nuk dihet as nëse e ka vënë re shatërvanin kur ka hedhur ndonjëherë sytë nga dritarja e zyrës apo kur dilte nga dera e Bashkisë. Ajo që dihet është se në projekt nuk kishte asnjë frazë apo kusht ku të specifikohej apo të përmendej shatërvani ekzistues. Dhe për rrjedhojë studiot që morrën pjesë në konkurim duke mos pasur asnjë kusht specifik për tu përmbajtur, nuk ishin të kushtëzuara që ta ruanin shatërvanin edhe pse në KRT e Durresit të asaj kohe ka pasur debate të ashpra për të përcaktuar kushte specifike në projekt. Por Kryetari i Bashkisë nuk i mori në konsideratë këto propozime.

Dita e konkurimit erdhi dhe 36 studiot konkuruese prezantuan secila projektin e vet dhe ja vunë përpara për vlerësim kësaj jurie ndërkombëtare të ngritur nga Bashkia:

1. Vangjush Dako - president nderi (Kryetari Bashkisë)
2. Alain Coussaran - arkitekt nga Franca
3. Luca Zevi - arkitekt i Institutit Kombëtar Italian të Arkitekturës
4. Alberto Monti - arkeolog në Universitetin e Parmës
5. Roco Maragna - arkitekt nga Kanadaja
6. Edi Muka - kritik arti
7. Viktor Dhimgjini - arkitekt
8. Marin Biçoku - arkitekt nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit

Kjo juri, nga të gjitha projektet e prezantuara vlerësoi pesë më të mirat për përzgjedhjen finale. Nga këto pesë studio do të zgjidhej më vonë projekti më i mirë për sheshin e qëndrës së Durrësit. Duhet theksuar këtu se edhe pse nuk ishin përcaktuar kushte nga Bashkia për ruajtjen dhe përshtatjen e shatërvanit, të gjitha studiot, që konsideroheshin prestigjoze dhe me eksperiencë, e kishin marrë në konsideratë shatërvanin dhe e kishin pjesë të projekteve të tyre, përvec një studioje. Dhe kjo ishte studio italiane "Michele Cro" projekti i së cilës e kaloi fazen e parë të konkurimit dhe u rendit midis pesë projekteve finale nga juria. Në vazhdim, për të respektuar proçedurën ligjore, Bashkia vendos ti bëjë publike të pesta projektet finale dhe u jep mundësinë shoqërisë civile, qytetarëve dhe publikut të jepnin mendimin e tyre dhe të votonin projektin më të mirë që ata mendonin. 

"Të pesta projektet në garë u ekspozuan në hollin e pallatit të kulturës "Aleksandër Moisiu", bashkë me maketet përkatëse, ndërsa gjatë ditëve të shqyrtimit është shfaqur edhe dokumentari "Sheshi Iliria ndër vite". 
(Gazeta Shqip 02/02/2009)

Në përfundim të ekspozimit qytetarët e dhanë votën e tyre dhe...

"...në votimin që është bërë në një kuti të veçantë për të marrë mendimin e publikut, "Sun Dial" e studios 3W Architecture Limited e Britanisë së Madhe është cilësuar si më e suksesshme duke marrë numrin dërrmues të votave".
(Gazeta Metropol 02/02/2009)

Pse votoi publiku për projektin e studios angleze? 
Përvecse kjo studio nuk e kishtë hequr apo spostuar shatërvanin nga sheshi, projekti i tyre parashikonte

"...ndërtimin e orës solare më të gjatë në botë, e cila mendohet se do të ishte në një atraksion turistik për qytetin bregdetar të Durrësit, pasi do të ngrihej mbi një kullë çeliku duke kapur lartësinë 70 metër e gjatë".
(Gazeta Metropol 02/02/2009)

Dhe jo vetëm kaq, por hija e kësaj ore solare, sipas projektusve, do të binte çdo ditë në orën 12 të drekës... te shatërvani.

Por këto elementë nuk u konsideruan me sa duket nga juria, dhe siç dihet nga të gjithë sot, juria zgjodhi fituese projektin italian "Folding" të studios romane "Michele Cro", pikërisht të vetmin projekt nga të gjitha projektet e prezantuara, ku shatërvani ekzistues ishte fshirë nga faqja e dheut. Kjo përzgjedhje tregon qartë se marrja e mendimit të shoqërisë civile te ne bëhet thjesht se e kërkon proçedura ligjore, por mos e rrej mendja ndonjërin se me të vërtetë kanë nevojë për mendimin e tij. Pra një proçedurë fiktive burokratike për të qënë në rregull me ligjin e që mos të thonë pse s'na pyetët dhe ne, edhe pse nuk e vë njëri në llogari mendimin tënd. Shkurt për "m'ka çu nana me la gojën".

Po çfarë parashikonte projekti fitues italian? 
Parashikon një shesh-besh për te gjithë hapesiren, me dy pellgje uji në mes si shatervani tashmë i vdekur që dikur ishte në qëndër të Tiranës, por më i cekët. Uji do hidhet nga poshtë nga shatërvane të vogla (si tek sheshi Azem Hajdari). Këto pellgje me ujë do kufizohen me bordura ku mund të ulen turistët e shumtë që do dynden për ta parë por gjithashtu ky shatërvan do jetë edhe dinamik; që dmth në raste mitingjesh apo aktivitetesh do "përzihen" turistët, do hiqet uji dhe do mbushet me mitingash.

Ky ishte projekti fitues që zgjodhi juria. Kush mund të ishin arsyet e jurinë për këtë zgjedhje?

"...në argumentimin e bërë nga juria ndërkombëtare u tha se projekti italian "Folding" mund t‘i përshtatet më mirë qendrës dhe zbaton plotësisht pikat e kërkuara në ruajtjen e trashëgimisë historike".
(Gazeta Shqip 02/02/2009)

Në fakt është komplet e kundërta, sepse e vetmja pikë referimi në atë shesh me satusin e trashëgimisë historike është shatërvani dhe kjo pikë nuk ishte kërkuar në asnjë vend nga Bashkia kur u shpall konkursi. Dhe kjo përzgjedhje ose ndoshta dhe parazgjedhje (siç ndodh shpesh te ne) nuk është pritur mirë dhe nuk kaloi pa debate si nga qytetarët e shoqëria civile ashtu edhe dhe nga intelektualët e qytetit.

"Projekti për rehabilitimin e sheshit në qendër të Durrësit, që parashikon heqjen e shatërvanit, ka shkaktuar debate mes disa qytetarëve dhe kryetarit të Bashkisë. Gjatë një takimi për këtë çështje, përfaqësues të shoqërisë civile kanë kërkuar ruajtjen e shatërvanit në sheshin "Liria", që sipas tyre, është identifikuar prej dhjetëra vitesh me këtë vepër. Por, kryebashkiaku Dako ka sqaruar se objekti do të zhvendoset në një zonë tjetër dhe do të ruhet si monument kulture."
(Gazeta Shqiptare 19/02/2009)

Pra megjithëse Kryetari Bashkisë e konsideron shatërvanin "monument kulture", ai prap sqaron se objekti do të varroset diku në një qoshe. Tamam ekzekutim i pushtetit në formën e tij më të keqe.

Dhe saga vazhdon. Bashkia pasi i paguan çmimin prej 200 mije euro studios italiane si fituese, merr kështu pronësinë mbi projektin fitues dhe kërkon ta vërë atë në zbatim. Për këtë e dërgon projektin për tu aprovuar në KRT. Duhet theksuar këtu se në atë kohë pushteti qëndror i kishte lënë shumë kompetenca qeverive vendore dhe njëra nga këto ishte edhe KRT. 

Kur në mbledhjen e KRT e pyesin përfaqësuesin e firmës italiane Michele Cro se pse nuk e kishte ruajtur shatërvanin ekzistues por e kishte zëvëndësuar, ai përgjigjet se shatërvani ekzistues ishte i vjetër dhe i dalë mode. Por fakti është se po kjo studio në një projekt të ngjashëm të quajtur "Trame Urbane" që ka bërë në Montesarchio (BN) të Italisë ka pasur identikisht të njëjtin shatërvan në shesh ndoshta më demode se ky i yni dhe studio atë shatërvan e ka ruajtur në projekt. 

http://europaconcorsi.com/projects/18478-Emanuela-Bulli-Enzo-Capone-Giorgia-Martinelli-Michele-Cr-giuseppe-senofonte-Trame-Urbane

Por ndërsa në Itali "ti fanno un' culo grande" sa shatërvani, po të shkojë ndërmend të heqësh objektet simbol, tek ne në Shqipëri i vetmi objekt simbol konsiderohet paraja. I zënë ngushtë përpara këtij fakti, studio italiane nxjerr nga mënga argumentin se në projektin e sheshit "Iliria" shatërvani nuk ka qënë specifikuar si kusht nga Bashkia. 

Por ka dhe një çmënduri tjetër në projektin tonë pa shatërvan. Kur i kërkojnë studios italiane detajet për kostot e llogaritura të projektit fitues që ata kishin bërë, aty mes detajeve një zë ishte edhe e drejta e autorit për shatërvanin modern (dy gropat me ujë) të cilat ishin të huazuara. Dhe vlera për këtë të drejtë autori ishte plot 200 mijë euro të tjera. Kjo do të thotë që Bashkia edhe pse e kishte marrë pronësinë mbi projektin duke paguar për të vlerën 200 mijë euro, për ta vënë në zbatim tashti duhet ti paguante 200 mijë euro të tjera atij që kishte të drejtën e autorit. Me pak fjalë, është njësoj sikur unë të hap një konkurs për këngën më të bukur që dua ta përdor për himn kombëtar, dhe ai që fiton konkursin pasi ka marrë lekët më thotë - dëgjo se refrenin e këngës e kam marrë nga Rihana, kështu që duhet ti paguash edhe Rihanës të drejtën e autorit nqs don ta përdorësh këngën. Gjëra të pakonceptueshme këto për çdo qeveri afrikane por jo për Bashkinë e Durrësit e cila ngulmon me doemos që ky projekt të zbatohet pa ndyshime. Por KRT e Durrësit e hedh poshtë këtë gjë dhe nuk i jep lejen për zbatim.

Me moskalimin në KRT të këtij projekti Banka Arabe anullon kredinë. Vitin tjetër kur Bashkia ka në dorë një fond prej 1 milion eurosh i drejtohet përsëri KRT që të japin dritën jeshile të paktën për pjesët që binin dakort. Kështu projekti u nda me 3 faza. Dhe KRT aprovon lejen për fazën e parë që përfshinte shkallët përpara xhamise, trotuarin dhe atë që sot është ekspozita posht xhamisë. Për këtë aprovim KRT vendosi edhe kushte per llojin e materialit që do përdorej si dhe për mos lejuar ndërtimin e asnjë dyqani aty, pasi fillimisht ishin planifikuar dyqane saqë Xhamia kishte kërkuar që te ato dyqane të shitej vetem ushqim Hallall.

Faza e parë u zbatua dhe siç e dini të gjithë sot kemi ato shkallë moderne plot me turistë. 

Në v. 2011 pushteti qëndror i detyruar edhe nga masakrat urbane nëpër komuna e bashki ja hoqi kompetencat KRT dhe këto kompetenca ja kaloi KKRT. Pra u hoqën KRT e pushtetit lokal dhe tashti çdo leje ndërtimi do jepej vetëm nga KKRT. Me 23 Qershor 2013 qeveria Berisha doli në pension me vota. Tashti Bashkia e Durrësit kishte shancin për të kaluar komplet projektin. Dhe ja ku jemi sot. Fakti që shatërvani i 1930 sot është rrethuar nga fadromat dhe është shënuar për tu ekzekutuar tregon se KKRT ka dhënë aprovimin e vet për ekzekutimin e shatërvanit, gjë që nuk ka marrë kurrë pëlqimin e qytetarit durrsak por vetëm të atyre që pushteti i ka mbyllur sytë nga shëndeti i tepërt.

Referenca:
http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=85455
http://arkivamediatike.com/lajme/artikull/iden/184916/titulli/Sheshi-Iliria-ne-dore-te-italianeve
http://arkivamediatike.com/lajme/artikull/iden/185311/titulli/Italianet-marrin-ne-dore-qendren-e-Durresit
http://arkivamediatike.com/lajme/artikull/iden/1046925785/titulli/Durres-arkitektet-kundershtojne-shkaterrimin-e-shatervanit-80-vjecar
http://arkivamediatike.com/lajme/artikull/iden/106571/titulli/Durresi-nis-konkursi-nderkombetar-per-sheshin-Iliria
http://arkivamediatike.com/lajme/artikull/iden/114282/titulli/Perzgjidhen-5-studiot-e-huaja-per-planin-rregullues-te-sheshit-Iliria
http://arkivamediatike.com/lajme/artikull/iden/184420/titulli/Projekti-quotFoldingquot-fiton-konkursin-nderkombetar-per-sheshin-Iliria-ne-Durres
http://arkivamediatike.com/lajme/artikull/iden/186625/titulli/Brenda-vitit-2009-zbatimi-i-projektit-te-qendres-se-qytetit

Mendimi juaj
31 Gusht, 2014 04:23 UTC
Vaso Papaj
Shume i sakte prononcimi, megjithese me pseudonimin Thesari. S me vjen mire keshtu, me sjell shije te hidhur, me ngacmon aty ku me dhemb me shume:Mungesa e lirise ose liria e blere me para.Gjithsesi falenderimi per te nuk do te mungoje.
Me kete rast po ju risjell nje prononcim i tim biri, arkitekt, mbaruar ne Itali me mesatare 9.6,i kompletuar edhe me provimin shteteror italian dhe i paisur me diplomen perkatese, firmosur nga Ministri i Arsimit te Larte dhe i Kerkimeve Shkencore italiane.Saper dijeni, i pushuar per fat te mire nga injorantet ne pushtet.Ka mese nje jave qe qarkullon ne faqet e internetit duke fituar pergezimet e nje shumice qytetaresh, miq te ketyre faqeve.

"Mendimin tim e kam shprehur qe kur eshte zhvilluar konkursi dhe sigurisht i permbahem akoma. Nuk eshte thjesht mendim personal por profesional dhe ne linje me literaturen, ambientin, dhe mendimin akademik boteror.
Kam qene dhe jam kategorikisht kunder kesaj nderhyrje, jo se shatervani ka vlera me te medha se “la Barcaccia” por sepse ai kompleks i perbere nga shatervani lulishtja pemet dhe objektet perreth jane pjese e memories se njerezve dhe mbi te gjitha pjese e memories se qytetit. Jam i bindur se nderhyrja e perfunduar do ti kenaqe njerezit me energjine pozitive te nje dickaje te re por shume shpejt do ti beje te ndjehen te zbrazet, te paorientuar, te ftohte, te vetmuar, jetim sepse te gjitha keto vijne si pasoje e humbjes se identitetit dhe te memories.
Dhe per te arritur te thelbi….. me ka bere pershtypje qe 34 projektet e konkursit, padyshim te nje niveli te larte hartuar nga profesioniste europian kishin dicka te perbashket: Asnjeri nuk ishte marre me temen e memories se shatervanit qofte dhe per te vleresuar energjine e tij, vleren apo mungesen e vleres, asnjeri nuk ka bere as me te voglen analize ne lidhje me te. Kjo do te thote se prishja e shatervanit dhe per pasoje fshirja e historise apo e memories pa rezistence duhet te kete qene e paracaktuar qe ne detyre projetimi sepse arkitektet a atij niveli nuk mund te bejne kurre gabime te kesaj natyre. Pra sic ka tregur historia Priftit vazhdon ti pritet mjekrra."
31 Gusht, 2014 12:25 UTC
Ada
Me se fundi, nje analize e plote, me fakte dhe me sens logjik e problemit te shatervanit te Durresit! Keto (perfshi komentin e V. Papaj me lart), jane argumente qe duhet te diskutohen, jo ato komentet qesharake qe mbushen rrjetet sociale dhe ne vend qe te bindin njerezit per te protestuar, krijuan me teper distancim....Nje artikulli te tille, i duhej bere jehone me e madhe ne media. Ky artikull duhet te shperdahet ne Durres. Quytetaret duhet te informohen per te gjitha keto detake. Me vjen vertet keq...Por si u shpjegua fakti qe qytetaret zgjodhen firmen angleze, por tenderin e fitoi firma italiane?
31 Gusht, 2014 19:51 UTC
roland mako
Eshte per te ardhur keq qe e vetmja menyre per te ruajtur sadopak trashegimine historiko-kulturore te qytetit tone i therrasim ndergjegjes qytetare , e cila kohet e fundit fatkeqesisht mungon.Shkaterrimi i objekteve me vlere historike apo kulturore ne Durres ,e jo vetem,eshte nje tradite fatkeqesisht tashme 20 vjecare, e asnjeri nuk bertet , mjaft indiferente per ate qe ne fakt na perfaqeson po ne,kulturen, historine tone si komb...mos valle duhet te presim nga eteret tane europiane (ku me aq deshire kerkojme te aderojme ) te na shikojne me sy tjeter ,pozitiv, kur ne vete demostrojme prej vitesh e dekadash nje aftesi e zell autoshkaterimi....duhet me patjeter te bejme protesta perpara perfaqesuesve lokale e qendrore ( qe ne fakt mazhoranca jone i ka zgjedhur per te na perfaqesuar)qe te mos prishim me duart tona ate qe brezat e meparshem u munduan te ruajne...po vete pushtetaret (qytetare)durrsake perse kaq te qorruar perballe kesaj masakre kulturoro-historike..dje rrenojat e qyteterimit romako-ilir ne qender te qytetit qe u prishen me apo pa miratimin e qeverise (ministrise se kultures),sot shatervani (embleme e qytetit)..mbase neser edhe amfiteatri apo torra do te bien preh e urise e manise se pushtetareve per disa "aspra"....eshte me te vertete per te ardhur keq...jemi vertet dekada larg te qenurit pjese e europes se kulturuar....vazhdojme fatkeqesisht te vegjetojme mbi deget e pemeve nderkohe qe fqinjet tane europiane na japin mesime kulture qytetare...
01 Shtator, 2014 07:06 UTC
shpresa
me ne fund dicka transparente...mjegulla fillon aty ku zgjidhet projekti pa shatervan...nje arkitekt (jo me diplome t bleme) nuk ma do menja se ben nga kto gabime
02 Shtator, 2014 11:43 UTC
Olsi
vangjushua me v te vogel po vogel fare eshte nje kriminel ambjenti edhe infrastrukture. Ai nuk ka bere gje tjeter vecse e ka shkaterruar qytetin e Durresit. Ai duhet te cohet ne gjykate si edhe shume te tjere para tij.
02 Shtator, 2014 20:15 UTC
Teuta
Ky eshte projekti i turpit te tyre, projekti qe mbush kupen per kryetarin Dako. Edhe ky kryetar do ta ruaj dhe do ta lere aty ku eshte shatervani, se nuk do ta lere populli
23 Maj, 2015 15:37 UTC
Libraria
Te falenderojme Z. Olsi. Trajtimi qe i beni ceshtjes eshte me te vertete me vlera ne te gjithe drejtimet, me kryesorja eshte transparent per kedo e per te gjithe. Eshte per te ardhur keq se si mund te ndryshohet te themi, per te mos lene pershtypje se kemi gje personale me ndokend, nje shesh qe eshte konsideruar si monument kulture ne nje shesh tjeter pavaresisht se mund te duket me modern apo me i bukur. Edhe kostumet kombetare nuk jane moderne sic mund te jete shprehur italiani per shatervanin, por ne ama i veshim ne te gjitha festimet tona kombetare madje organizojme edhe festivale me fjalen kombetare. Pa e zgjatur, eshte per te ardhur keq ne shekullin XXI qe te veprohet ne kete menyre. Keto veprime ti quajme ndodhin ne vendet e varfera, te pa qyteteruara e te pa zhvilluara, ne kete shekull as ne vendet afrikane nuk kemi degjuar te ndodhin se ne ato te amerikes latine jo se jo. Masa e njerezve kur sheh te tilla gjera mendon, ndoshta e ka gabim, por askush nuk ja kundershton, se behen per qellime fitimi, urojme te mos jete keshtu. Te pakten te ruajme filmimet e fotot qe tua tregojme gjeneratave qe vijne por te mos harrojme se kur dhe kush drejtonte qytetin ne kohen kur u hoqen ama. Mesimi te na behet pesim. Flm Z. Olsi, keni mbeshtetjen tone, ndonese ne kryeqytet ku u be e njejta gje me lulishten prapa statujes se Skenderbeut ku tiransit, te pakten tre breza kane fotografi familjare dhe shoqerore.
Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?