MENU
thesari.com © 2001

Italianët e Shqipërisë - "Emigrantë sot jemi ne" - Thesari

E Dielë 03 Nëntor, 2013
Italianët e Shqipërisë - "Emigrantë sot jemi ne"

italbania

Kush do ta mendonte! Thuajse 20 vite më vonë, do të jenë shtetasit italianë, ata të cilët do të emigrojnë, as më shumë e as më pak, në vendin tonë, Shqipëri. E përditshmja prestigjoze informative “La Republica”, në një artikull të posaçëm për këtë fenomen, të titulluar “Italiani d’Albania”, shkruan se një numër i madh italianësh, të konsideruar si krahë pune, udhëtojnë drejt Shqipërisë për të marrë një rrogë, pasi Italia është në krizë ekonomike.

“Cili është emigranti italian i Shqipërisë? Është mashkull, rreth 20-50 vjeç, nga veriu i Italisë, kryesisht, statusi civil i ndryshëm. Të “përjashtuar”nga sistemi i prodhimit, nisen për udhëtim, por jo për pushime. Ata, që në fillim ishin sipërmarrës të uritur për të nxjerrë përfitime me kosto të ulët, sot janë artizanë, kuzhinierë, elektriçistë, hidraulikë dhe madje edhe operatorë telefonik në vendin fqinjë”, shkruan “La Republica”, duke shtuar se motoja e italianit të Shqipërisë është : “Më mirë pak, se asgjë”.

Pjesë e artikullit janë bërë edhe dy personazhe, Roberto, 49 vjeç, i cili punon te ne si kuzhinier dhe Davide, 26 vjeç, saldator. Për Roberton, Shqipëria është vendi i mundësive, pasi këtu mund të jetë ndër të paktët në llojin e tij, kurse në Itali, ishte një ndër të shumtët. Kurse Davide, duke treguar eksperiencën e tij si saldator, thotë për “La Republica”-n se pas disa kohësh në Tiranë, atëherë kur punët i shkonin mirë, ai hapi një ofiçinë të vetën dhe madje nisi të mësonte edhe shqiptarët për këtë zanat.

Të tjerë personazhe janë Emilio, 60 vjeç, i cili vjen nga Pisa, në Tiranë, për të hapur një restorant të vogël, ku gatimi kryesor janë makaronat. Pas tij, vjen edhe e ëma, e cila merret me rritjen e kërmijve.

Italianët e Shqipërisë i gjen thuajse në të gjithë sektorët, më të fundit, janë ata të medias, me Agon Channel.

Sipas të dhënave të paraqitura në artikull, janë rreth 1460 sipërmarrje në Shqipëri, me të paktën një ortak Italian. Sa për rezidentët italianë në vendin tonë, ata numërohen rreth 500 të tillë, ndërkohë që rreth 1800 të tillë bëhen gati për të ardhur në tokën tonë.

Artikullin e plotë e gjeni këtu:

http://www.repubblica.it/cronaca/2013/11/01/news/italiani_d_albania_i_migranti_ora_siamo_noi-70018678/

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?