Letër e nënshkruar
Unë quhem Fadil Vucaj. Në Shqiperi janë bërë 2 projekte të tilla të shkatërrimit të armëve kimike. Njëri në vitin 2001, tjetri në vitin 2007. Unë kam punuar drejtperdrejt në këto projekte. Kam sqaruar çdo gjë. Në projektin e vitit 2007, para fillimit të procesit u bënë analizat mjedisore në ajër, ujë dhe tokë. Gjithashtu këto analiza u bënë edhe pas përfundimit të proçesit në të njëjtin vend, me të njejtat proçedura. Rezultati ishte zero ndikim në mjedis dhe shendet. Analizat u bënë në laboratore ndërkombëtare të licensuara për veprimtari të tilla.
Nga Siria do vinin 2 grupe agjentesh kimikë. I pari, ishin ata të veprimit në lëkurë. Në 2007 ne shkatërruam agjent kimik të tillë. Ndërsa grupi tjeter ishin prekursorë ose më thjesht komponime binare, të cilat veç e veç janë të pa rrezishme, që trajtohen, transportohen, magazinohen dhe ruhen lehtësisht. Këto komponime janë shumë të rrezikshme, madje edhe më të rrezikshme se sa janë thënë, vetëm atëhere kur bashkohen bashkë. Këto janë probleme që kërkojnë një kohë të gjatë për t’i trajtuar. Teknikisht, mund të them shkurt, se në keto proçese përdoren teknologji me impakte zero në mjedis.
Unë mendoj se çdo gjë është ditur dhe ka qënë e qartë. Ajo që nuk dihet tani, por do të dalë më vonë dora e zezë që drejtoi protestat në atë mënyrë. Këtu bashkohem me juve, sikur ta dinim. Jam i gatshëm të debatoj gjatë për keto probleme, natyrisht teknike.
