Nuk ka të sosur furtuna në Policinë e Shtetit. Fshesa e nisur që prej tre javësh vijon me intensitet, për të çmontuar militantët e Partisë Demokratike nga të gjitha nivelet e piramidës së Policisë së Shtetit. Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, pas shkarkimit të krerëve të policisë në të 12 qarqet, ofensiva e spastrimeve do të zhvendoset tek sektorët e policisë në qarqe. Sipas burimeve, menjëherë pas zëvendësimit të kupolës drejtuese të politikës, në shënjestër do të jenë sektorët kryesorë që përbëjnë drejtoritë e policisë. Krerët e rinj të policisë në qarqe, aktualisht kanë gati raportet për veprimtarinë e drejtuesve të pesë sektorëve kryesorë të policisë. Madje, sipas burimeve një pjesë e tyre kanë raportuar tek Artan Didi. Raportet janë kërkuar nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, në kuadër të reformës në polici. Më konkretisht bëhet fjalë për Sektorin e Analizës së Formacionit Kriminal, Sektorin Kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve, Sektorin Kundër Krimeve të Rënda, Sektorin për Operacionet Speciale dhe Sektorin e Rendit dhe Sigurisë Publike. Ndërkaq, Sektori Kundër Krimit Financiar u godit javën e kaluar. Ky sektor u shkri nga Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, pasi ishte kthyer në mburojë e bixhozit të paligjshëm në Shqipëri. Ndërkaq, në pesë sektorët e tjerë priten ndryshime radikale menjëherë pas shqyrtimit të raporteve të drejtuesve të policisë. Ndryshimet po ndodhin për shkak të intensitetit të krimeve të rënda që po ndodhin ditët e fundit, ekzekutimeve mafioze, trafikut të drogës jashtë kontrollit si dhe me gjendjen e pasigurisë së krijuar vitet e fundit. Po ashtu, nga ndryshimet nuk do të shpëtojnë as tre sektorë të tjerë si Sektori i Personelit, Sektori Ekonomik dhe Sektori i Buxhetit dhe Financës.
Kontrolli
Ligji për Policinë e Shtetit parashikon që drejtori i policisë së qarkut raporton tek Drejtori i Përgjithshëm për punën dhe kryerjen e detyrave nga drejtoria e policisë së qarkut, komisariatet dhe stacionet e policisë. “Çdo drejtori e policisë së qarkut drejtohet dhe kontrollohet nga drejtori i Policisë së qarkut. Drejtori i Policisë së qarkut dhe drejtori rajonal i Kufirit dhe Migracionit raportojnë te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, nëpërmjet Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për: a) kryerjen e detyrave; b) kryerjen e detyrave nga drejtoria e Policisë së qarkut, komisariatet dhe stacionet e Policisë që drejto dhe kontrollon. Drejtori i Policisë së qarkut i paraqet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë një raport vjetor ose sa herë që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë bën kërkesë për punën e drejtorisë së Policisë së qarkut, të cilën ai drejton dhe kontrollon dhe punën e komisariateve dhe stacioneve të Policisë në varësinë e saj. Drejtori i Policisë së qarkut raporton te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, me kërkesë të tij, për çdo çështje të përgjithshme ose të veçantë të drejtorisë së Policisë së qarkut që drejton”, parashikon ligji.
