MENU
thesari.com © 2001

Kujt po i tregon muskujt Ilir Meta? - Thesari

E Dielë 03 Nëntor, 2013
Kujt po i tregon muskujt Ilir Meta?

Ilir_Meta_Press_Conf

Duket qartë që LSI po fryhet dhe po tregon muskujt. Brenda një harku kohor relativisht të shkurtër, Lëvizja Socialiste për Integrim e pakësoi opozitën aktuale me dy deputetë, duke e çuar numrin e deputetëve të saj në 19 dhe duke shpresuar e duke thënë nën zë, se ky numër do të rritet akoma më shumë, ndonëse pa specifikuar nga cili krah do të vinë deputetët e tjerë.

I pari u largua një republikan, së fundmi dhe një ish-socialist që e kishte dhe vetë të qartë që nuk kishte lidhje me demokratët, si socialist Kadeli.
Por, edhe pse virtualisht hinkën e kuqe LSI-ja e ka vënë djathtas, pasi nëse e vë majtas prishet marrëveshja për qeverisje të përbashkët, gurgullima e këtyre lëvizjeve më shumë ndihet majtas dhe konkretisht në Partinë Socialiste. Ndaj, jemi përballë një paradoksi të tillë, kur edhe pse pakësohet e djathta në parlament, mërzitet më shumë Partia Socialiste e Ramës.

Jo pa ironi, një figurë e njohur e opozitës shtroi pyetjen: Po në qoftë se opozita me vullnet të plotë kalon e gjitha tek Meta çfarë ndodh? Është fare e qartë se përthithja e deputetëve nga ana e LSI-së nuk bëhet në funksion të shtimit të një mazhorance absolute në parlament, e cila Metës vetë nuk i hyn në punë dhe nuk ka për të marrë ndonjë duartrokitje nga Rama, por shtimit të një mazhorance brenda për brenda së majtës.

Dhe këto lëvizje nuk bëhen në det të hapur dhe pa një pikë orientimi. Ëndrrën e tij më të madhe, për të qeverisur pa LSI-në, Kryeministri aktual Edi Rama e gërvishti herë pas here po vetë, duke u ndjerë për disa minuta mirë vetë me përjetimin e kësaj ëndrre, por duke harruar në të njëjtën kohë ultratingujt e mosbesimit që lëshon tek partneri i tij qeverisës zoti Meta.

Në një situatë kur PDIU e Shpëtim Idrizit me 5 deputetë së shpejti pritet ti bashkëngjitet qeverisjes "Rama", Ilir Meta nuk ka si të rrijë duarkryq. Atë rritje që kërkon Rama t'ia bëj vetvetes me këto aleanca, kërkon t'ia bëjë dhe Meta partisë së tij, në funksion të së ashtuquajturës ndarje të ndershme të pushtetit. Pra është fare e qartë se kujt po ia tregon muskujt LSI-ja.

Dhe fryrja e muskujve nuk ngel vetëm brenda përbrenda LSI-së, por mund të shpërndahet dhe brenda për brenda grupimeve në Partinë Socialiste dhe kryesisht në ato grupime që edhe pse me kontribute historike në këtë parti, u lanë jashtë qeverisjes.

Dhe këto grupime afërmendsh do fillojnë të bëjnë atë që po bën LSI-ja, më e pakta për të patur dhe ata dorë në ndarjen e kësaj torte që jo vetëm nuk po e prekin, por dhe as po e shohin. Pyetja që është më vështirë t'ia gjesh përgjigjen ka të bëjë me faktin se këtë fryrje muskujsh, qoftë të LSI-së, qoftë brenda përbrenda PS-së, po bëhen në funksion të një balance të ndarjes së përfitimeve të pushtetit, apo të një projekti të mirëfilltë politik të së ardhmes.

I vetmi që mund të ketë dhe mund të udhëheqë një projekt brenda së majtës është Ilir Meta, i cili ashtu sikurse Rama ka një ëndërr dhe ai vetë ka një ëndërr. Figurat politike të Partisë Socialiste i kanë mbyllur me kohë ëndrrat në sirtar.

Por, Meta duket se e ka marrë me ngadalë , thënë ndryshe me qetësi metiste. Së pari, ai njihet si një politikan që i respekton marrëveshjet, kuptohet brenda një afati kohor për aq kohë sa natyrisht nuk cenohen dhe interesat e veta si LSI. Së dyti, duke qenë në postin e kryetarit të parlamentit që nuk është një post administrativ, duke i lënë në dorë Ramës policinë, doganat e tatimet, ministrinë e Financave, ai bashkë me ministrat e tij dhe administratën qeverisëse të LSI-së, në rast të një dështimi të Ramës në elementët kyç të qeverisjes si në rend, tatime, dogana, pra thënë shkurt të një dështimi në dy elementet kyç rend dhe siguri, ai e ka fare të lehtë të shfajësohet përpara opinionit publik, në të kundërt automatikisht i bashkohet suksesit të bashkëqeverisjes.

Së treti, me shtimin e numrave të deputetëve dhe me flirtimet brenda të pakënaqurve brenda PS-së është në pozita më komode për të bërë presion për të ruajtur balancën e ndarjes së tortës së pushtetit, ndarje e cila nuk ka mbaruar: ka përpara zgjedhjet lokale si dhe Presidentin. Kjo situatë fryrje dhe shfryje muskujsh, ky duel i heshtur mes Ramës dhe Metës, jo thjesht mund të vazhdojë me vite, por po u ndërpre sjell rrëzimin me knock down të njërit apo tjetrit.

Në këtë peizazh politik martesa Rama-Meta o do të vazhdojë me këto fryrje e shfryje muskujsh, ose marrëveshja prishet pa fjalë, në sekondë me nock down, në favor të njërit apo të tjetrit. Ndoshta këtë lexim të kësaj martese politike ka filluar të bëjë dhe Partia Demokratike, që së fundmi zyrtarisht, gjatë sulmeve politike ka filluar të përdorë togfjalëshin qeveria Rama- Meta, ndryshe nga disa kohë më parë kur i përvidhej emrit të Ilir Metës në sulmet e saj, duke lënë hipotetikisht një shteg lidhës me LSI-në.

Duket se edhe opozita shqiptare e ka kuptuar se kjo martesë që mban këtë pushtet në këmbë, o përfundon me knock down të beftë, dhe opozita do të gjendet më shumë e hutuar se ai që do të hajë "grushtin vetë" ose mund të mos mbarojë kurrë.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?