MENU
thesari.com © 2001

Kur hipoteka hipotekon paligjshmërinë - Thesari

E Mërkurë 08 Mars, 2017
Kur hipoteka hipotekon paligjshmërinë

trualli-korce-2

Përbri godinës së Prefekturës / Këshillit të Qarkut të Korçës, Bashkia e Korçës, institucioni ekzekutiv dhe i zgjedhuri me votë kryetari i saj Sotiraq Filo, në mes të Korçës, në mes të ditës por edhe natën, para syve të të gjithë korçarëve, rrëmbejnë lulishten, trotuarin, bulevardin dhe fillojnë të ndërtojnë pa leje, atë që kanë planifikuar të jetë Biblioteka e Qytetit dhe Galeria e Arteve.

Kjo hapësirë publike, figuron në hipotekë ende lulishte, trotuar dhe bulevard. Kjo ngastër kadastrale nuk figuron si e rregjistruar për “truall ndërtimi” dhe kjo hapësirë nuk është aprovuar për të ndryshuar destinacion kadastral. Kjo sipërfaqe publike, mbi të cilën sot Bashkia hap themele, heq inerte dhe dhera nuk ka dokument hipotekor.

Atëherë si është e mundur që Bashkia e ligjshme e Korçës, kryen akte të kundërligjshëm?!

Sotiraq Filo që për një avlli, apo disa qyramidhe, apo një tra dërrase pa leje, ka vendosur deri më sot gjoba djegëse në vlerë monetare ndaj banorëve të Korçës, sot, vetë ai ndërton pa leje, në mungesë të plotë të dokumentacionit zyrtar, institucional parashikuar në ligj. Kush e gjobit dhe kush e ndal Filon?

Ndoshta populli! Ndoshta Prokuroria! Ndoshta instanca të tjera auditi apo kontrolli! Ndoshta ligji?

Ironia e fatit… Dhe vjen momenti që disa njerëz bëhen më shumë se qesharakë, kur si në morsë ndodhen mes fjalëve të tyre të bukura dhe praktikave të tyre shëmtuara. Një i tillë, që është shndëruar sot në njeriun më të pabesueshëm në Qarkun e Korçës, është zv.kyeministri Peleshi, i cili trumbeton dhe apelon për Vetting, por… Apelimet kemi vërejtur që i ka qejf, por është tipiku i personit që thotë “bëni siç them unë, por mos bëni siç bëj unë”.

Numri dy i Qeverisë është në dijeni të kësaj që ndodh në zemër të Korçës dhe jo vetëm kaq por e reklamon virtualisht, duke u krenuar për një projekt tjetër monist, një kuti tjetër betoni si dhe kulla e shëmtisë, duke u krenuar gjithashtu edhe për paligjshmërinë e rradhës.

Zv.kryeministër nuk e di ti që kjo që po ndodh në Korçë është në kundërshtim me ligjin? Ti po e shkel ligjin me vullnet dhe koshiencë të plotë. Ti, që apelon dhe predikon Vetting-un. A nuk është qesharake kjo? Po a nuk është tallëse kjo për popullin e mençur të Korçës? Mjeran kush mendon se popullit ia hedh, se kush mendon se mund ta sundojë popullin, në dukje të heshtur.

Ndalo punimet z.Peleshi. Nëse nuk e bën ti, kërko ndihmën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, që të marrë masa për ndalimin e këtyre punimeve që Bashkia po kryen kundër ligjit.

Unë e kuptoj, me këtë rast më mirë se kurrë, që Vetting-u është i domosdoshëm. Që duhet të kemi prokurorë që të veprojnë dhe mos neglizhojnë para paligjshmërisë. Por po bindem edhe një herë më shumë për faktin se, fillimisht na duhen qeveritarë pro ligjit. Dhe ti z.Peleshi, më rezulton të mos jesh i tillë.

Bashkia e Korçës me firmën e zv.kryeministrit, para disa ditësh në qytetin e Korçës, ka HIPOTEKUAR PALIGJSHMËRINË.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?