Eshtë vërtet interesante por edhe shumë domethënëse të hysh sot në web-et shqip dhe të dëgjosh tymnajën që është ngritur për arsenalin kimik të Sirisë. Të gjithë diskutojnë si ja thotë mëndja e vet. Bëjnë të gjithë sikur sapo kanë mbyllur bisedën telefonike me presidentin Obama ose me Komandantin Suprem të NATO-s. Varet ku hedh sytë dhe do lexosh që një palë i quajnë lëndë kimike dhe pala tjetër armë kimike. Disa të tjerë shkojnë më tej dhe i quajnë armë të shkatërrimit në masë. Të gjithë hiqen të mirëinformuar deri në detaje edhe pse asnjëri s'di asgjë, edhe pse askund nuk kam parë akoma asnjë mendim specialisti të fushës me eksperiencë apo ndonjë formulë kimike. Asnjë vendim qeverie. Kam parë vetëm një video se si specialistët e Enverit testonin Sarinën te kali, te qeni dhe te qingjat. Video që të kallte datën. Për pak të duket sikur amerikanët me ndihmën e kryeministrit Rama po pregatisin një plan sekret për të na shfarosur të gjithëve. Vetvetiu të lind pyetja: Çfarë do na sjellin këta amerikanët nga Siria? Armë kimike të tipit Sarinë? Lëndë kimike për të spërkatur rrushin? Apo ilaç miu? Sepse të treja të vrasin.
Lexon referenca të marra nga gazeta prestigjoze amerikane, apo intervista të gjetura me mund nga zyrtarë të CIA-s. Të gjitha për të mbushur mëndjen se ne shqiptarët nuk jemi aq budallenj sa na kujton Amerika. Ne nuk e hame sapunin për djathë, edhe pse kemi 23 vjet që na kanë ushqyer me sapuna kuq-e-blu të markës Nano-Berisha. Aq shumë sapuna kemi ngrënë sa nga eksperienca e fituar jemi bërë më të zgjuar dhe ja kemi kuptuar hilenë amerikës hileqare. Amerika po kërkon të na e fusi me këtë punën e çarmatimit të Sirise tashti, ashtu sic na e futi me luftën e Kosovës. Dhe më e bukura është kur dëgjon se kush bërtet më shumë nga të gjithë. Po ta shikosh nga jashtë do mendosh se patjetër janë disa engjëj që vetëm nga hiletë nuk marrin vesh. Engjëj që vetëm t'ja fusësh tjetrit nuk e dinë se ç'është. Por po ta shikosh nga brenda është komplet e kundërta. Bërtasin e gjëmojnë më shumë ata më hileqarët dhe më dinakët. Ata që e kanë bazuar ekzistencën e tyre vetëm dukë ja futur të tjerëvë. Ata që sajimin, gënjeshtrën dhe mashtrimin e kanë në ADN. Ata që përpara axhendës së tyre nuk vënë as familjarët e vet e lëre më pastaj të mendojnë për jetën e fëmijëve të të tjerëve ose të atyre që do vijnë më pas. Ata që shpikin pistoleta stilolaps dhe çadra shiu snajper.
Një nga këta e quan heshtjen e Ramës zhurmë. Por nuk thotë se çfarë lloj zhurmash dëgjon dhe se nga i vjen zhurma. Na e lë ta kuptojmë vetë. Biles na citon edhe kushtetutën që e ka respektuar fjalë për fjalë vet kur kishte shkopin te dora dhe si një nënë e butë dhe mësuese e urtë u jepte mësim në kuvend disa zhelanjosëve, për veprat dhe arritjet e ndritura të udhëheqësit.
Një tip tjetër i jep urdhër ambasadorit amerikan të dalë nga foleja ku është futur nga frika, dhe të na tregojë se ku e ka hilenë kjo punë. Biles ky tipi i tregon ambasadorit amerikan se ne jemi populli më pro-amerikan i globit!!! Dhe po ky tullumbac i fryrë, dy rrjeshta më poshtë i lë të kuptojë ambasadorit, se po nuk foli, atëhere ky do detyrohet të urdhërojë popullin shqiptar që të bëhet anti-amerikan.
Dhe ajo që i vë kapak të gjithave u dëgjua sot në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm Parlamentar. Hipokrizia arrin kulmin kur vetë ujku thërret me të madhe - "Ujku!!!". Ai deklaroi sot se nuk do donte që "...të ndodhin gjëra që nuk duhet të ndodhin, ta dini mirë". E kishte fjalën për Gërdecin. Dhe ka të drejtë, sepse ai akoma mendon që ne nuk e dimë mirë. Biles nuk dimë mirë akoma se çfarë ka ndodhur atje. E kush mund të na e tregojë tjetër përveçse atij? Ishte pikërisht ai që e aprovoi, që e krijoi, që mori jetë njerëzish por... ama në fund fitoi shumë para dhe të gjitha gjyqet. Dhe mos u nxitoni të mendoni që ky e ka fjalën te shpërthimi apo te jetët e humbura. Jo. Ky e ka fjalën te fitimi. Nuk duhet të ndodhi më që të fitojë njëri siç fitonte e përfitonte ai me padronin, nga vdekja e të tjerëve.
Dhe seç mu kujtua përsëri video e armëve kimike. Dikur, dikush testonte Sarinën te kafshët, me sebepin për tu mbrojtur nga armiqtë e jashtëm që na kishin rrethuar dhe donin të vidhnin lumturinë e popullit. Sot, dikush tjetër që ktheu njërëzit në kafshë për të testuar pak dinamit, tritol apo ndonjë plumb rikoshet bërtet në emër të popullit. Çdo gjë për të mirën e popullit.
Por kjo eshte ajo qe duhet te shpjegoje Rama dhe nga ky pikeveshtrim mendoj se Rama po e manaxhon shume keq situaten. Ai me shume po fshihet sesa po shpjegohet. Tashti me duket edhe pak si vone. Çfaredo argumenti qe te nxjerre Rama tashti do e quajne justifikim. Nuk mund te fillosh te me shpjegosh pasi ka ndodhur hataja. Duhet te me informosh para se te veprosh dhe nqs me bind atehere jepi e beje ate pune dhe do te thone edhe pune e mbare. Por keshtu sic e ka marre Rama edhe me injoranti do mendoje ca ka ky qe sna ka thene gje ne nderkohe qe po behet gjithe kjo zhurme. Dhe patjeter qe do mendoj qe ka dicka qe nuk shkon.
Megjithate gjeja me pozitive me kete rastin e armeve kimike qe me ben te shpresoj qe ky vend behet eshte kur shoh se njerezit kane filluar te levizin dhe te kuptojne se c'eshte liria e vertete ne demokraci. Te kerkosh qe mendimi jot te degjohet. Te dalesh te protestosh kur nuk e mendon njesoj si qeveria.