MENU
Thesari.com © 2001 - 2024

Organizatorë, mos e bëni pis protestën - Thesari

E Dielë 10 Nëntor, 2013
Organizatorë, mos e bëni pis protestën
Nga

kimike_protest

Protesta e sotme kundër sjelljes së armëve kimike të Sirisë në Shqipëri ka patur pjesëmarrje të ulët. Organizatorët e saj ndër të cilët dalloheshin zonja dhe zotërinj të angazhuar edhe më parë me protestat ambjentaliste, nuk ia kanë dalë dot mbanë të tërheqin përkrahjen e publikut. Pse?

E para, duhet të kërkojnë çfarë nuk shkon te vetë ata. Disa prej tyre, janë figura të diskredituara, sepse janë angazhuar në projekte me bashkinë e korruptuar (që në vote), të Tiranës. Disa të tjerë e kanë djegur veten duke bërë karagjozin në media të njohura për flirtet korruptive me Berishën. Ka ende mes tyre figura të panjollosura, të cilat duhet të dalin në krye të protestës.

E dyta, qytetarët nuk mund të bashkohen në protesta ku shkon dhëndrri i Berishës, familjarë të tjerë të Berishës, apo deputetë të PD-së. Vetë Berisha dhe shumë nga njerëzit afër tij tashmë nuk duhej të ishin nëpër rrugë, por në burgje. Nëse organizatorët e këtyre protestave mendojnë se mund t’ia dalin mbanë duke mbajtur në podiume berishizmin apo përfaqësues të tij, e kanë ndotur ende pa nisur mesazhin e kësaj proteste.

E treta, duhet të tregohen të kujdesshëm, për të mos hedhur në publik mesazhe që më shumë duken si antiamerikane sesa si shqetësim për helmet siriane. Qytetarët shqiptarë kërkojnë qartësi në këtë pikë, nëse u kërkohet angazhim.

E katërta, mënyra si kanë dashur të tërheqin vëmendjen, ka qenë tërësisht e papërshtatshme. Kanë shtrirë në tokë fëmijë, për të imituar fotot e tmerrshme me fëmijë të vrarë sirianë që qarkulluan në media, javë më parë. Hiqini nga axhenda këto maniera krejt të panevojshme.

Mund të renditen edhe plot arsye të tjera, por shkurtimisht ideja është që qytetarët shqiptarë në masë nuk e dëshirojnë ardhjen e armëve kimike për asgjesim në Shqipëri. Kjo meriton të përfaqësohet denjësisht. Mos pështyni mbi këtë ndjesi. Mos e bëni pis protestën.

Dita

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?