MENU
Thesari.com © 2001 - 2023

Para partizanë! Urraaaa - Thesari

E Hënë 18 Nëntor, 2013
Para partizanë! Urraaaa

para_partizan

Jemi revoltuar kur na kanë etiketuar si popull me bisht, por ky rast na bëri të kuptojmë se nuk e kanë pasur për bishtin mbrapa, si ai i personazheve të filmit Avatar, por si atavizem nga truri i majmunit që gjen kënaqësi kur imiton veprimet e instruktorëve të vet edhe pse koshiencën për atë që po bën e ka zero. 

Në fakt protesta kundër LHL u kthye në trend social. Të dukej vetja jashtë mode nqs nuk i bashkoheshe trendit që reklamonte "JO"-në ose po mos vendosje një logo LHL si foto personale në profilin e face"bujkut".  Faqe e grupime pa fund me tituj "super edukuativ" të tipit "Fjala e Lirë" ose "Stop Injorancës" përhapnin dhe grumbullonin vetëm injorancë, pa dhënë asnjë argument për atë që thonin. Rëndësi kishte kush kishte më shumë klikime te faqja vet dhe kush mblidhte më shumë antar apo kush kishte më shumë komente. U kalua në një eufori publike virtuale ku secili filloi të besontë pallavrat e veta. Të gjithëve ju duk se kapën qiellin me dorë. Të gjithëve ju duk vetja të pushtetshëm. Asnjëri prej tyre nuk e pa asnjëherë këtë çështje si rastin e artë për të ardhmen e tyre. Por nuk kanë faj ata. Ata nuk e dinin dhe ne nuk ja u thamë. Por Sazan Guri, Altin Gonxhe, Mero Baze, Mustafa Nano e të tjerë si këta duhet ta dinin.

Por nuk është shanci i vetëm që kemi humbur.

Shancin e parë e kemi humbur kur refuzuam anglo-amerikanët pas Luftës II Botërore. Do kishim qënë pjesë e perëndimit me kohë dhe do kishim ngrënë një pjesë të madhe nga torta e Planit Marshall, meqë do ishim vend kufitar me Lindjen. Për ata që nuk e dinë, në Itali, Gjermani dhe gjithë vendet kufitare me Lindjen Komuniste, deri në vitin '90 kishte zyra të posaçme amerikane që merreshin vetëm me situatat në këto vende, që këtyre vëndeve mos i mungonte asgjë dhe mos kishin asnjë problem me mirëqënjen. Investonin pa kursim dhe e reklamonin këtë mirëqënje me anë të propagandës në mënyrë që vëndet kufitare të Lindjes (përfshirë edhe ne) ta shikonin këtë mirëqënje me zili nga ekranet TV dhe nga sinjali radios. Megjithatë dihet tashmë që Enver Hoxha kishte parazgjedhur Lindjen dhe e quajti heroizëm kur përzuri anglo-amerikanet në fund te vitit 1944 kur këta u perpoqën të zbarkonin në Sarandë dhe Himarë për ta bërë Shqipërinë pjesë të perëndimit. Dhe në librat e historisë, që ai vetë u kujdes si të shkruhej, si për ngjashmëri me sot, ja paraqiti popullit këtë ngjarje sikur anglo-amerikanët donin tja fusnin popullit tonë për ti rrëmbyer nga duart atij fitoren ndaj fashizmit. Arriti deri aty sa ndihmat që amerikanët hidhnin nga avionët e tyre për ushtrinë Nacional-Çlirimtare i quajti të pavlera, pasi sipas tij kepucët ishin pa lidhëse dhe të së njëjtës këmbë, edhe pse partizanët skishin as ushkur për të lidhur brekët, edhe pse vetëm nafta që përdornin avionët për të hedhur këto ndihma vlente kushedi sa herë më shumë se vet ndihmat.

Rasti tjetër i humbur është ndaj ofertës gjermane të vitit 1984 propozuar nga Kancelari i Bavarisë Shtraus. Ai i kërkoi Shqipërise hapjen ndaj perëndimit dhe me këtë rast kalimin e Shqipërisë në bllokun perëndimor me anë të investimeve. Kjo lëvizje do kishte sjellë investime të paimagjinuara në Shqipëri edhe për faktin se pjesa më e madhe e këtyre investimeve do vinte nga politika amerikane, për të përmbysur komunizmin në të gjitha vendet e Lindjes, me qëllim izolimin final të Bashkimit Sovjetik. Por megjithëse ne e refuzuam këtë ofertë, në fund të bisedimeve sipas Ramiz Alisë "Shtrausi vendosi që Shqipërisë t’i jepen 20 milionë dojc marka, nga të cilat 10 milionë falas e 10 në formë kredie". Në të njëjtën kohë në popull komunistët hapnin fjalë se gjermanët na e kishin me të futur. Autostradat që ata donin të ngrinin tek ne kishin si qëllim uljen e avionëve luftarakë për të na pushtuar. Kështu që edhe në këtë rast, ne nuk e hëngrëm atë "koqe ulliri". Siç e kupton çdokush sot, idiotësia nuk kishte të sosur. Kjo edhe falë injorancës ku e kishte futur ideologjia komuniste këtë popull.

Dhe sot, rasti i LHL Siriane, ishte treni i fundit i humbur. Por ndërsa dje shqiptarët ishin një vend i mbyllur dhe për rrjedhojë ushqeheshin vetem nga kazani që gatuhej në zyrat e Byrosë Politike, sot në kohën e internetit, nuk i falej të ishin të pa-informuar dhe as të ushqeheshin nga kazani i rrymave anti-kombëtare apo nga euforia e injorantëve me diploma e mastera "Kristali". 

Ne vetëm disa muaj përpara, me 23 Qershor, me shumicë dërrmuese zgjodhëm një qeveri të re dhe i besuam kryëministrit të ri frenat e vendit, por si frikacakë, duke e tërhequr nga xhaketa nuk e lamë të na përfaqësonte në çështje të tilla madhore me rëndësi të madhe kombëtare.

Një fjalë e urtë thotë: "Kur të troket fati në derë, është mirë të ndodhesh në shtëpi atë moment". Ne në shtëpi ishim, po s'na lanë fëmijët ti hapnim derën.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
Do a marri Berisha apo do e mbaje Basha drejtimin e PD?