Fushata për zgjedhjet vendore ka nisur. Bisedimet, pazaret dhe tensionet kanë filluar. Po të mendosh që në këto zgjedhje qytetarët do të votojnë për qytetarin e parë të tyre, të lind pyetja pse duhet që të votojnë për kandidatët që servirin partitë. Për çfarë arsye politizohet Bashkia e një qyteti apo komunat? A nuk do ishte më mirë që këto institucione lokale të drejtoheshin nga qytetarët e pa politizuar për interesat e vet qytetarëve? Ku janë intelektualet, individët, kandidatët e pavarur, shoqëria civile dhe qytetaria në këto momente? Me të vertetë mendoni se kandidati i një partie do të zgjidhi hallet e qytetarëve? Unë mendoj se jo dhe ja pse.
Ja kush është përcaktimi i Partisë Politike nga Wikipedia:
Një parti politike është një organizim individësh që kërkon të arrijë qëllimet e përbashkëta të anëtarëve të saj përmes marrjes dhe ushtrimit të pushtetit politik. (wikipedia)
Pra, është e qartë, që kandidati i çdo partie sa të mari karrigen do ushtrojë politikat e partisë së vet dhe interesat e antarëve të saj dhe jo të qytetarëve. Edhe nëse do shihni të ngrihet ndonjë urë apo të shtrohet një rrugë, gjitmonë këto investime bëhen në funksion të partisë dhe interesave të antarëve të saj, për aq kohë sa Kryetari i Bashkisë punon për partinë e tij dhe për rrjedhojë për interesat e antarëve të saj, pjesë e të cilëve është edhe ai vet, pra edhe për interesat e veta deri personale. Ato që do dëgjoni gjatë fushatës nëpër mitingje dhe në media janë thjesht mashtrime e gënjeshtra me bisht. Për këtë duhet të jetë i bindur çdo qytetar përpara se të shkojë drejt kutisë së votimit.
Atehere pse mungojne individët dhe kandidatët e pavarur dhe pse zgjedhja e tyre do të ishte zgjedhja me e mire.
Së pari, të bësh një fushatë zgjedhore duhet nje makineri e fuqishme për të reklamuar programin ose pikeveshtrimin e kandidatit. Kjo makineri kërkon njerëz që ta shtyjnë dhe mjete që kushtojnë. Një kandidat i pavarur pra duhet të jetë i fuqishem ekonomikisht e financiarisht e të nxjerrë nga xhepi i vet paratë që duhen për të levizur këtë makineri. Ndërkohë partitë i kanë të siguruara me ligj këto fonde dhe jo nga xhepat e tyre, por nga xhepat e taksapaguesve. Pra gara për kandidatin e pavarur fillon me hile që në nisje.
Së dyti, kandidatit të pavarur i kërkohen mijëra firmëtarë për tu lejuar të hy në garë e të hedhë kandidaturën, ndërsa partia i ka keto firma të siguruara nga antarët dhe strukturat interesat e të cilëve bën sikur mbron. Kjo bën që të shtypet iniciativa individuale qytetare e gjithkujt që ka ndërmend të kandidoj si i pavarur. Pra, edhe në këtë rast një stërkëmbëth "ligjor" e bën garën e kandidatit të pavarur të vështirë që në nisje.
Por pse duhet të jetë kështu ndërkohë që me kushtetute çdo qytetar ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet? Apo mos ndoshta edhe kushtetuta mashtron, sepse dihet që më pas partitë bien dakort mes tyre të kushtëzojne atë (ngaqë e respektojnë shumë) dhe bëjnë një ligj apo marrëveshje psh që duhet të jesh më i gjatë se 2 metra që të kandidosh. A nuk është kushtëzim edhe numri i firmave që duhet të mbledhë kandidati i pavarur?
Po pse i tremben partitë kandidatëve të pavarur?
Rasti Milloshi në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës tregoi qartë se kandidati i pavarur është figurë e frikshme për partitë, jo sepse ky të merr bashkinë, por sepse nga ky mund të varet shigjeta e peshores në rezultatin final sic ndodhi në Tiranë. Nga kjo tremben partitë politike dhe Milloshi e përdori me shumë zgjuarsi këtë kartë për përfitime personale, edhe pse kjo i kushtoj qytetarëve paratë që futi në xhep Milloshi, para që dalin nga taksat e vjedhura në formën e investimeve partiake më vonë. Asnjeri mos kujtojë se paratë Milloshit ja dha Berisha nga xhepi i tij apo nga llogaria personale e familjes. Edhe në rast se do ishte ashtu të jeni të bindur që këto lekë janë zëvendësuar shumë shpejt nga taksat tuaja. Politika tashmë është kthyer në biznes dhe si çdo biznes tjetër askush nuk hedh dy lekë pa futur katër në xhep në fund. Ai që nuk e kupton këtë është i destinuar të vazhdojë të vidhet pa e kuptuar si.
Pra kush janë të mirat dhe të keqiat e kandidatit të pavarur në këto kushte që ndodhet Shqipëria?
Përvec faktit që kandidati i pavarur nuk i raporton dhe jep llogari kryetarit të partise por vetëm qytetarëve që e kanë zgjedhur, e mira kryesore e kandidatit të pavarur është "Pergjegjshmeria".
Ky individ i pavarur pikësëpari nuk ka parti të strukturuar, por synon që të marre votën qytetare dhe i kërkon atyre ta mbështesin e ti japin votën për interesat e atyre vet. Dhe në rast se qytetaret besojnë se ky individ do punoj për interesat e qytetit dhe të qytetarëve, atëhere ky kandidat i pavarur ka shumë shance që të fitoje zgjedhjet vendore. Në këtë rast individi i pavarur kryebashkiak është i detyruar të punojë me përgjegjshmeri e të finalizojë me sukses detyrën që ka marrë përsipër të bëjë, sepse ai e di shumë mirë që është objektiv më i lehtë për tu rrëzuar e të denohet nqs deshton (gabon, vjedh, korruptohet, etj), pasi nuk ka mbështetje politike nga lart.
Por ekziston edhe ana tjetër e medaljes si një e keqe nga kandidati i pavarur. Kush më garanton mua se kandidati i pavarur nuk kthen timonin rrugës e na bashkohet me ndonjë parti për qëllime politike. Ky është edhe i vetmi risk që sjell kandidati i pavarur në garë. Por edhe në këtë rast ai do të luftohet e demaskohet si figurë, si nga qytetarët që e besuan, ashtu edhe nga politika opozitare dhe që do i kushtojë shumë në mandatin tjetër. Në rast se pastaj ky Kryebashkiak i pavarur arrin objektivat dhe qytetarët janë të kënaqur me punën e tij, atëhere bujrum le të zgjedhë cilin krah partiak të dojë. Në fund për qytetarin ka rëndësi qyteti dhe puna e qytetarit të parë.
Si konkluzion, midis nje Kryetari Bashkie partiak dhe një tjetri të pavarur do e preferoja qytetarin e parë të ishte i pavarur. Në kushtet aktuale është zgjedhja e vetme që tremb partitë e mëdha aktuale duke qënë guri i peshores që i çjerr atyre masken dhe i rrezikon pushtetin absolut, të cilin deri më sot e kanë përdorur për interesat e tyre të mbrapshta politike duke sjellë shkatërrimin e qyteteve dhe duke e bërë më të vështirë jetën e qytetarëve.
