MENU
thesari.com © 2001

Paturpësia e mediave të kazanit të Ramës - Thesari

E Hënë 03 Tetor, 2016
Paturpësia e mediave të kazanit të Ramës

Media-Kazan

Duke i quajtur mediat “kazan” Edi Rama ka thënë një pjesë të së vërtetës. Shumica dërrmuese e tyre, sidomos atomainstream, janë vërtetë kazan. Por Rama nuk na tha arsyen kryesore pse janë të tilla. Ato janë kazan, mbi të gjitha sepse janë të shitura te vetë Kryeministri, duke bërë politikën e tij në mënyrën më të paskrupullt. Arroganca e tij, për të pështyrë skllevërit e vet, vetëm sa e bën më të dukshme shëmtinë e pushtetit dhe larove të tij.

Kjo u vërtetua shumë shpejt. 36 orë pasi pronari i këtyre kazanëve e lëshoi këtë etiketë të gjithë televizionet shqiptare, në kundërshtim me çdo normë profesionale, e përqendruan vëmendjen tek fjalimi i stërgjatë dhe i mërzitshëm i Kryeministrit në asamblenë e PS-së, ndërkohë që në shesh mbahej një ndër protestat më të rëndësishme e mbajtur ndonjëherë në të tilla përmasa, pas asaj kundër armëve kimike. Nuk ka njeri në botë që merr vesh sadopak nga gazetaria që nuk do të pohonte, pa as më të voglën mëdyshje, se protesta ishte lajm ndërsa asambleja një pleh pa asnjë interes. Vetë fakti që asambleja u vendos të mbahet pa pritur, e për të u caktua e njëjta datë dhe orë me protestën, tregon se ajo nuk ka kurrfarë interesi, përveç se të bëjë zhurmë për të mos dëgjuar zërin e qytetarëve. E megjithatë, mediat në unison vendosën ta përqendrojnë vëmendjen tek plehu dhe jo tek lufta kundër tij. Natyrisht, këtë nuk mund ta bëjë asnjë organ informimi përveç medias së kazanit, që më shumë se për lajmin interesohet të trumpetojë bërllogun e pushtetit.

Por nuk u mjaftua me kaq, disa televizione e një mori gazetash u përpoqën si e si të zbehnin peshën e protestës, duke u nisur që nga numri i protestuesve, vënia në dyshim e sinqeritetit të drejtuesve, e deri tek tallja me protestuesit, duke i konsideruar ata të paaftë për të gjykuar dhe viktima të një propagande antiqeveritare.

Kështu një media ballkazani si Ballkanweb raportonte se në shesh ishin dhjetëra qytetarë, ndërkohë që kryeministria ishte e rrethuar nga qindra policës, si kurrë më parë, gjatë këtyre tri viteve. Kjo do të thotë se, në perceptimin e qeverisë, protestuesit duhet të kenë qenë komando të specializuar për t’u përballur në një raport të tillë numerik!

Po kështu një media top of the top midis kazanëve, dërgoi një nga kamikazët e gazetarisë së saj satirike për të bërë humor kinez me protestuesit. Duke kërkuar me qiri ndërmjet tyre ndonjë individ që mund ta përdorë për t’u tallur, kërkuan pretekst për t’i karrikaturuar protestuesit duke i paraqitur t’i si të paaftë për të kuptuar atë për çfarë po protestojnë. Kjo është një përpjekje e turpshme për të denigruar një protestë që, për nga inveli intelektual i pjesëmarrësve, është më iluminuar se çdo tubim tjetër i këtyre përmasave i mbajtur ndonjëherë.

Për të mos u mjaftuar me kaq, televizioni në fjalë, për herë të parë në historinë e medias shqiptare, kish ngrehur një dron, i cili do na paraqiste pamje nga lart të sheshit, i cili na servirte foto në minutat e para të mitingut, kur sheshi ishte ende i pa mbushur mirë. Edhe risitë profesionale kurdisen kur e do dhe si e do nevoja e pushtetit.

Po kështu, një sërë shkrimesh në gazeta e portale të ndryshme u përpoqën të prishin imazhin e protestës me spekulime të ulëta e pafytyrësi intelektuale. Në të njëjtën mënyrë edhe disa shkrime, kinse në mbrojtje të ambasadorit amerikan, i cili u kritikua ashpër nga shumë opinionistë për qendrimin e ambasadës ndaj protestës, ishin pjesë e llogores së turpit. Në terma apostazikë ata nuk ngurruan të akuzojnë kolegët e tyre për herezi ndaj Amerikës, duke ngatërruar kritikën ndaj një ambasadori me qëndrimet ndaj asaj çfarë Amerika përfaqëson. Sipas tyre, të kritikosh ambasadorin amerikan na qenkësh antiamerikanizëm! Logjikë e mjerë mercenarësh pa turp, të mësuar të lehin në prehërin e ngrohtë të pushtetit.

E gjithë kjo është vetëm një prostituim me profesionin. Kjo nuk është gazetari, por kurvëri shtypi. Në fakt e tejkalon edhe prostitucionin. Në përgjithësi ai bëhet fshehtas, natën, nëpër rrugë periferike të qyteteve të mëdha. Në Shqipëri ai bëhet haptas, në sytë e të gjithë njerëzve, në ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave. Fakti që nuk iu vjen zor nga kjo, tregon thjesht pazarin e tyre. Ajo çfarë pretendojnë se fitojnë prej pushtetit, duhet të jetë më e madhe. Në fakt, nuk ka mundësi të jetë e tillë.

Megjithatë, ndonëse pushteti ka blerë sot shtypin dhe zotëron, si kurrë ndonjëherë, të gjithë skenën e pushtetit të katërt, përsëri autoriteti i qeverisë është përtokë. Kjo vjen sepse, sado ti kesh nën kontroll tellallët e një vendi, paudhësitë janë aq të mëdha sa nuk mbulohen dot me ndotjet akustike të tyre. Ligji për importin e plehrave, ndër të tjera ekspozoi më qartë skorjet e kazanëve të qeverisë, të cilët shkaktojnë vetëm indinjatë kolektive apo dhe pështirosje publike, e nuk shkaktojnë asnjë efekt shoqëror në dobi të një pushteti të kalbur si ky.

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?