MENU
thesari.com © 2001

Përse Edi Ramën nuk e ndihmon dot as historia - Thesari

E Dielë 14 Gusht, 2016
Përse Edi Ramën nuk e ndihmon dot as historia

stadiumi_qs

Edi Rama shkoi shumë larg për të gjetur shpëtim përballë zemërimit publik që shpërtheu me publikimin e fotove që dokumentuan prishjen barbare të fasadës së stadiumit “Qemal Stafa”. Ai u solli shqiptarëve, (më shumë atyre që e besojnë verbërisht sasa kritikëve), një shembull nga Egjipti, për të justifikuar shkatërrimin e fasadës momunent kulture dhe mosmbajtjen e një premtimi publik për të mos e prekur atë. Edhe ai premtim ishte bërë vetën nën presionin e publikut.

Tha se njësoj si në rastin e fasadës së stadiumit, një gjysmë shekulli më parë u veprua me tempullin e famshëm Abu Simbel mbi lumin Nil, në Egjipt. “Sepse mu aty qeveria vendosi të ndërtonte një digë gjigante mbi lumin e famshëm”, shkruan Rama.

Por historia është e bazuar mbi fakte dhe ato janë kokëforta përballë çdo lloj qeveritari e politikani që kërkon t’i përdorë në kontekste të tjera, sidomos kur e gjen veten në vështirësi nga marrëzia e mosmarrjes në konsideratë të asgjëje që nuk i vjen nga vatha e tij.

Abu Simbel u zhvendos 65 metër më sipër për t’i hapur rrugë një vepre të domosdoshme publike, jetike për jetën e miliona njerëzve që jetojnë përgjatë lumit Nil.

Ndërtimi i liqenit Naser, më i madhi krijuar nga njeriu në botë, u bë një objektiv kryesor i Qeverisë egjiptiane pas revolucionit të vitit 1952, si nevojë për të kontrolluar vërshimet e Nilit që shkaktonin përmbytje kolosale, për të siguruar ujë për ujitjen dhe për të gjeneruar energji elektrike si mjet i rëndësishëm për industrializimin e Egjiptit. Diga e Lartë Asuan u ndërtuar në mes të 1960 dhe 197 dhe pati një ndikim të madh në ekonominë dhe kulturën e Egjiptit. Para ndërtimit të saj, Nili përmbyste çdo vit gjatë fundit të verës.

Këto fakte që gjenden nga një kërkim fare i thjeshtë, e bënë qeverinë egjiptiane, që për interesa të medha publike të merrte një vendim për zhvendosjen një aseti të paçmuar të trashëgimisë kulturore.

Por edhe pse në vitet 60, qeveria Egjitiane nuk vendosi e vetme. Ajo mori së pari miratimin e UNESCO-s. Ekpsertë të UNESCO-s dhe vendas drejtuan të gjitha punimet që duheshin për zhvendosjen e tempullit të gurtë, të ndërtuar në vitin 1264 para erës sonë në kohën e mbretit Ramses II.

Tani, me këto fakte përpara, të cilat kryeministri Rama i anashkalon në reagimin e tij ndaj atyre që e kritikuan se prishi një monument kulture edhe pse kishte premtuar se do ta ruante atë, le të krahasojmë atë që ndodh gjysmë shekulli më vonë në Shqipëri me atë çfarë ndodhi me Abu Simbel në Egjiptin e viteve 60.

Edi Rama vendosi i vetëm mbi projektin e stadiumit. Ai kërcënoi edhe përfaqësuesit e shoqatës së arkitektëve për të pranuar modelin e tij për ndërtimin e një kulle shumëkatëshe mbi stadium. Ai jo vetëm nuk mori mendimin e ekspertëve të trashëgimisë kulturore dhe as të publikut, por i futi ata në rreshtin e qenve që i lehin karvanit të tij rilindas. Një karvan që, kundështarët politikë e akuzojnë se lë vetëm gjurmë korrupsioni ngado që shkel.

Opinioni publik nuk ka kundështuar ndërtimin e stadiumit. Ai madje e ka përkrahur idenë që edhe Shqipëria të ketë një impiant të denjë për ndeshjet ndërkombëtare. Shqetësimi nuk ka të bëjë me impiantin, por me faktin se përse duhet që një pjesë e truallit që është pronë e të gjithë qytetarëve t’i dhurohet një privati. Përse i nevojitet stadiumit një kullë shumëkatëshe, përse duhej prishur me çdo kusht fasada e Bosios që përbën një monument kulture, në kompleks me sheshin Nënë Teresa dhe Universitetin e Tiranës dhe përse Rama nuk e bëri transparent asnjëherë projektin.

Ky është shqetësimi i publikut dhe këto pikëpyetje kanë shtuar dyshimet se ndryshe nga sa thotë kryeministri, plani i tij nuk bëhet për inters publik, por fsheh afera korruptive, siç e akuzon opozita.

Për më tepër, fasada e stadiumit u prish dhe nuk u zhvendos ashtu si Abu Simbel. Por edhe nëse do të ishte prishur për interes publik, Rama duket të kishte marrë në konsideratë më së pari kërkesat e publikut për ta bërë transparent projektin dhe për të kërkuar mbështetje pa nxitim.

Nëse do të kishte qenë për interes publik, ai do të ishte i pari që do të rreshtohej në krah të publikut që kërkon mbrojtjen e trashëgimisë dhe që monumentet të mos prishen për t’u bërë vend dyqaneve të rrobave, kafeneve e fast –foodeve që do të mbushin hapësirat private të stadiumit të ri. Aq më tepër, që trashëgimia kulturore që i takon një vendi të tërë të mos konsiderohej si pronë private e kryeministrit të radhës.

A nuk e kërkoi vetë ai këtë kur Sali Berisha vendosi të prishte Piramidën?  

Nëse qeveria e Egjiptit të vitit 60 mori vendim të zhvendoste një tempull të ndërtuar 3 mijë vjet më parë, ajo e bëri atë së pari për një interes të një vendi të tërë, pa përfshirë interesa private apo edhe personale, duke respektuar të gjitha rregullat dhe institucionet dhe jo me firmën e kryeministrit dhe të ndonjë arkitekti të huaj, të dënuar për korrupsion dhe të akuzuar nga arkitektë të njohur në vendin e tij për paaftësi.

Ndaj, dy rastet nuk kanë asnjë ngjashmëri. Nëse Abu Simbel u zhvendos për të ndihmuar miliona njerëz që jetonin përgjatë Nilit dhe liqenit Naser dhe për zhvillimin e ekonomisë së Egjiptit, në rastin e stadiumit lind pyetja: kujt do t’i shërbejë ai më shumë, shqiptarëve që do të shohin ndoshta një herë në javë ndonjë ndeshje futbolli, apo bizneseve të lidhura me Edi Ramën që do të kenë kulla, zyra e dyqane në mijëra metra katrorë tokë publike të shndërruar në private me firmë të Edi Ramës.

(lapsi.al)

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?