MENU
thesari.com © 2001

Plan qytetar apo Plan politik i oligarkisë - Thesari

E Mërkurë 28 Dhjetor, 2016
Plan qytetar apo Plan politik i oligarkisë

plani-tirana

Kujtdo mund ti kujtohet esenca e intervistës z. Boeri, muaj më parë në Top Channel, për një ‘rregull të tretë urban’ që prish pallatet e Enverit për të ndërtuar të reja. Apo fjala e javëve të fundit të z. Veliaj mbi përparësitë e ‘kullave 10-të katëshe’. Merrni e studioni të gjitha intervistat e tyre, askund nuk do ta gjeni fjalën banor. Sepse Plani i tyre nuk është për banorët.

Tirana post diktaturë edhe pas 26 vjetësh në ribërje urbane nuk ka një Plan Territorial. Na e premtoi z. Rama Kryeministri i sotëm, z. Basha Kryeministri i së ardhmes së afërt, z. Veliaj Kryeministri i së ardhmes së largët, por askush nuk ja doli. Paradoksisht Tirana ka pasur Plan që nga vitet 1920 dhe deri në vitin 2010. Më sakt, deri në shkurt të vitit 2010, kohë kur për arsye të pleqërisë vdiq Plani i Tiranës socialiste i vitit 1990. Fiks 20 vjet pasi lindi. Me një fjalë, Tirana e demokracisë ka pasur formalisht vetëm një Plan, dhe ky ishte Plani i Tiranës socialiste. Sigurisht që koncepti Plan ka evoluar që nga vitet ‘20 e deri më sot. Ai nuk ka më të njëjtin kuptim si nga forma e as nga përmbajtja. Por, megjithëse nuk jemi duke folur për të njëjtën gjë, duhet pranuar paaftësia jonë e sotme për të bërë një gjë që 90 vjet më parë arritëm ta bënim. Pranuar këtë impotencë tonën, mund të kalojmë te një dimension tjetër i konceptit Plan që ka evoluar bashkë me evoluimin e organizimit shoqëror tonin, që nga Mbretëria e viteve ‘30-’40, te diktatura e viteve ’50-’90, e deri te kjo e tanishmja që ne e quajmë demokraci e viteve ’90-‘10.

E kam fjalën për aspektin: ‘për kë hartohet dhe kush e harton Planin?’! C’ka është jo vetëm aspekti më i rëndësishëm i planifikimit bashkëkohor territorial dhe i evoluimit të kësaj shkence përgjatë kohës, por edhe shkaku bazik që shpjegon impotencën tonë shoqërore për të hartuar një Plan për territorin që kemi pushtuar. Duket se lideri jonë i sotëm nuk e kupton ose nuk i konvenon të pranojë që Plani urban, i kohës ku jetojmë, hartohet për qytetarët dhe nga qytetarët. Dhe kjo është arsyeja që, për të disatën herë, ne na duhet të themi: ‘Plani vdiq, rroftë Plani”! Nuk do zgjatem më shumë sesa ti përmend Planin Rama 2012 dhe Planin Basha 2014, sepse kemi folur më parë, por edhe se nuk paraqisin asnjë specifikë të ndryshme nga Plani Boeri-Veliaj 2017. Te i cili do ndalojmë për të kuptuar pse të anashkalosh banorin, qytetarin dhe grupet e interesit në një proces planifikimi territorial, të drejton në dështim të plotë e për një kohë shumë të gjatë. Shikoni me kujdes diskursin e kryebashkiakut Veliaj dhe të kryarkitektit Boeri. Të gjitha herët që ata janë shprehur për Planin e tyre për Tiranën, kanë folur vetëm për pallate e kulla!

Kujtdo mund ti kujtohet esenca e intervistës z. Boeri, muaj më parë në Top Channel, për një ‘rregull të tretë urban’ që prish pallatet e Enverit për të ndërtuar të reja. Apo fjala e javëve të fundit të z. Veliaj mbi përparësitë e ‘kullave 10-të katëshe’. Merrni e studioni të gjitha intervistat e tyre, askund nuk do ta gjeni fjalën banor. Sepse Plani i tyre nuk është për banorët. Mirëpo, nuk ka shkollë urbanistike që nuk ka për yll polar banorin. Nuk mund të jetë ndryshe sepse, kjo është detyra e Planit: të shpërndajë funksione jetësore të banorëve të qytetit nëpër territorin e qytetit! Bën parashikime të rritjes demografike, përcakton numrin e individëve sipas grupmoshave, lexon mungesat dhe nevojat për rrjet rrugor, hapsira të hapura apo ndërtesa ku cdo grupmosh të kryejë ato aktivitete jetësore për të cilat ka interes. Dhe këto nevoja e kërkesa: për të banuar; për të punuar; për tu arsimuar; për tu kulturuar; për tu mjekuar; për tu rekreatuar; për të ushtruar sport; për të bërë blerje; etj.; etj.; bile edhe për tu varrosur, i shpërndan nëpër njësitë ekzistuese urbane apo nëse është e nevojshme dhe argumentohet, edhe në shtesa të reja të territorit urban të qytetit.

Vëzhgoni, gjithashtu, proceset përgjatë të cilit ky plan është “hartuar”! Tre janë shfaqjet publike në të cilat është folur për të. Shfaqja e parë ishte takimi public e mediatik midis Ministres së Zhvillimit Urban dhe Kryebashkiakut të Tiranës, që ditën e dytë në detyrë të këtij të fundit në të cilën u shpall që dy institucionet startuan bërjen e Planit. Shfaqja e dytë ishte intervista e para tetë muajve të kryeurbanistit Boeri, në të cilën u shpall se Planin do e bënte vet dhe sipas modeleve të tij Berlineze, Londineze e Milaneze. Dhe shfaqja e tretë ishte ajo e para disa javëve e z. Veliaj, ku u shpall se Plani kishte përfunduar. Shkëlqyer! Problemi i vetëm është: ku janë qytetarët dhe komunitetet që preken apo duhet të kontribuojnë në zhvillimet e propozuara nga Plani!? Sepse, pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të atyre që do e financojnë (me investime e taksa) apo do kontribuojnë (me pronësi e punë) në implementimin e tij, Plani degradon në një set pikturash shumëngjyrëshe si ato të Kryeministrit. Kështu që edhe këtë mot dështuam, e ajo që na mbetet të themi është plani i qytetarëve për qytetarët vdiq, rroftë plani i elitarëve për ndërtesat! 

Jep një mendim
Komentet publikohen direkt pa censurë. Mundohuni ti përshtateni etikës së komunikimit.*
* Administratori rezervon te drejten per te edituar ose fshire komentet
A keni besim se qeveria Rama 2 do e përmirësojë jetën tuaj?